Integrimi

Hamiti: Imamët shqiptarë në Zvicër duhet të përfaqësojnë vlera evropiane  

Një numër imamësh shqiptarë vihen herë pas here në fokus të mediave zvicerane në kontekst të radikalizmit islam. Albinfo.ch lidhur me këtë çështje ka marrë mendimin e studiuesit të moderuar të islamit, dr. Xhabir Hamiti

I fundit ka qenë një artikull i botuar ditë më parë nga gazeta “Tages Anzeiger” i cili ka bërë fjalë për disa imamë të angazhuar nga burgjet zvicerane në rolin e shërbyesit fetar shpirtëror, duke i cilësuar ata si të dyshimtë. Njëri prej tyre është një imam shqiptar.

Artikulli i cili pastaj është ripublikuar edhe nga shumë gazeta e portale të Zvicrës gjermane flet për shqetësimin që udhëheqësja e Forumit për Islamin Progresiv, Saida Keller-Mesahli ka shprehur në lidhje me angazhimin e dy imamëve në burgun në Regensdorf të  Cyrihut “Pöschwies”. Ajo u është drejtuar autoriteteve të këtij burgu me kërkesën që të pushojnë nga puna (angazhimi i jashtëm) dy imamë: shqiptarin nga Maqedonia, Nebi Rexhepi dhe turkun Engin Yilmaz. Lidhur me imamin shqiptar, Mesahli shkruan se ai në kuadrin e Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës  “shpesh organizon seminare me predikues salafistë, transmeton albinfo.ch. Dy prej predikuesve në fjalë: Shefqet Krasniqi dhe Mazllam Mazllami në Kosovë qenë arrestuar për predikim të urrejtjes ndërfetare”.

Mesahli, ka kërkuar nga drejtoria e burgut dhe zyra që i administron burgjet në nivel kantoni që të ndërpresin bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Cyrihut (VIOZ) e cila i siguron imamët për burgje. Ajo e konsideron të dëmshëm angazhimin e imamëve në shërbim të të burgosurve myslimanë. Për këtë arsye kërkon që në vend të tyre të angazhohen punëtorë socialë dhe psikologë.

Mirëpo, përveç që nuk ka përfillur kërkesën e saj, zyra kantonale e burgjeve i ka anuluar kurset që Mesahli i mbante për personelin e burgjeve me temë xhihadizmin. Një zëdhënëse e zyrës së përmendur ka thënë për gazetën se qëndrimi që Mesahli mban në kurset e saj, bie në kundërshtim me parimet bazë të integrimit dhe të bashkëpunimit ndërfetar të cilat i përfaqëson drejtoria për drejtësi, transmeton albinfo.ch. Ajo po ashtu ka siguruar se imamët aktualë në Poschwies janë të verifikuar nga autoritetet përgjegjëse.

Xhabir Hamiti: Me imamët që predikojnë në perëndim duhet të mbahen kurse për përshtatje me vlerat e atjeshme

Albinfo.ch duke dashur të hedh më shumë dritë në këtë kontekst, ka marrë qëndrimin nga Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, i njohur si studiues liberal i islamit,  Xhabir Hamiti. Pyetjes sonë se sa mund të qëndrojnë akuzat të cilave u nënshtrohen disa imamë shqiptarë në Zvicër, dr. Hamiti i është përgjigjur duke apeluar për një parapërgatitje në formë kursesh për imamët që vijnë për të predikuar në vendet perëndimore, si në Zvicër e gjetiu.

“Imamët janë prijës dhe udhërrëfyes shpirtëror të besimtarëve myslimanë. Ndikimi i tyre në mesin e komunitetit ku ata veprojnë është i lidhur ngushtë me vendin ku ata janë  edukuar dhe përgatitur profesionalisht. Nëse një imam  vjen nga universitetet arabe, dhe drejtpërdrejtë angazhohet në Zvicër, apo kudo tjetër në Evropë, duke mos  ju nënshtruar një parapërgatitjeje njoftuese në formë kursi për vendin dhe ambientin ku ai do të vepronte, është e pritshme që të ketë çalime dhe veprime të cilat bien ndesh me sistemin dhe jetën demokratike në Evropë. Imamët në përgjithësi, ndërsa shqiptarët në veçanti nuk guxojnë të jenë radikal dhe ekstrem në formën e interpretimit të fesë islame. Ata të cilët anojnë, apo kanë rënë  nën grackën e kësaj fryme devijante, duhet shërohen sa më shpejtë që është e mundur, për  t’ju  kthyer mendimit të shëndoshë dhe tolerant fetar, integrues dhe paqësor. Radikalizmin fetar, gjuhën e urrejtjes, racizmin dhe luftën ndaj tjetrit, e zhvillojnë vetëm ata të cilët nuk janë të orientuar mirë në kuptimin e konceptit të drejtë të besimit në Zot. Imami radikal i cili  promovon ideologji ekstreme të lëvizjeve politike sipas sekteve rigjide fetare të Lindjes së Mesme, nuk duhet të ketë vendin në xhami, qoftë në Zvicër apo kudo  në ndonjë pjesë tjetër të Evropës”.

Bashkësitë Islame janë përgjegjëse për anëtarët e tyre që ftohen për të ligjëruar kudo

Ndërsa lidhur me ftesat për të cilat disa hoxhallarë shqiptarë të Zvicrës fajësohen se u kanë bërë predikuesve të njohur si ekstremistë, për të ligjëruar në Zvicër, Hamiti, pa dashur të spekulojë, thotë se për secilin rast duhet të kishte njohuri Bashkesia Islame përkatëse, e Kosovës ose e ajo e Maqedonisë. “Nuk kam njohuri se kush i ka ftuar dhe se ku kanë vepruar, në cilat, shtëpi, xhamia apo salla, por e di se imamët e rregullt në Kosovë, Maqedoni  janë pjesë e Bashkësive Islame  përkatëse, të cilat në këtë rast, por edhe në rastet tjera duhet te kenë qenë të njoftuara për lëvizjet e çdo të punësuari të tyre. Ata, imamët  nuk do të mund të vinin në Zvicër pa lejen e BI respektive”.

Ndërkaq teologu Xhabir Hamiti është skeptik sa u përket akuzave se predikimet në fjalë mund të kenë ndikuar në indoktrinimin e të rinjve me islamizëm dhe në rekrutimin e tyre në ISIS. “Personalisht, mendoj se organizimi i shkuarjes së individëve në Siri, është përtej rolit të imamëve në përgjithësi, edhe pse nuk mund të përjashtohet mundësia e ndikimit të ndonjërit prej tyre. Shkuarjen e njerëzve në Siri dhe Irak, duket se e ka organizuar një rrjet sekret në nivel global mirë i organizuar, i cili ka keqpërdorur ndjenjat shpirtërore të besimtarëve në emër të një kauze të rrejshme, të shoqëruar me propagandë super të organizuar përmes rrjeteve të ndryshme sociale”.

Idetë vehabiste nuk duhet të udhëheqin asnjë imam që vepron në Evropë

Duke qenë se artikulli i fundit i botuar në mediat zvicerane flet për imamët në rolin e kontestuar të kujdestarëve shpirtërorë në burgjet zvicerane, albinfo.ch i ka kërkuar bashkëbiseduesit të saj edhe një mendim lidhur me këtë.

“E di se në vendet e ndryshme të Evropës praktikohet vizita në burgje nga ana e prijësve fetarë. Mendoj se është një praktikë e mirë, e cila realizohet në bazë të kërkesës dhe  vullnetit të lirë nga ana e të burgosurve. Do të ishte shumë normale që organet shtetërore të bëjnë përzgjedhjen e drejtë të atyre prijësve fetarë, në këtë rast vizitues të të burgosurve, roli i të cilëve duhet të jetë i kufizuar vetëm brenda domenit shpirtëror, dhe assesi anues, sektar, e aq më pak i shoqëruar me frymë radikale dhe ekstreme.
Idetë fetare vehabiste dhe selefiste të formës  puritaniste, të mbështetura sipas modelit të dijetarëve të sotëm sauditë nuk duhet të jenë pjesë e asnjë imami i cili jeton dhe vepron në Evropë.
Sot,  “dijetarët”  sauditë i ndalojnë gratë që të vozisin makinat, nuk u  japin atyre  të drejtën e votës dhe zgjedhjes, nuk lejojnë përzierjen e fëmijëve meshkuj dhe femra në shkolla, thonë se nikabi – mbulimi i fytyrës për femrën është obligim etj., ndërsa asnjëra prej tyre nuk ka mbështetje në Islamin genuin. Prandaj, pse t`i marrim ata  si model në çështje të cilat janë prodhim lokal shoqëror, e aq më pak kjo nuk na takon neve  që jetojmë në shoqëri të sistemeve të hapura dhe  demokratike”.