Lajme
Hap dyert, shkolla shqipe në Grabs të kantonit të St. Gallenit
"Janë këta nxënës: Ana, Sara, Amira, Ajla Mendohija, Albini, Shkodrani, Gresa, Genti, Ariana, Ajani, Zejdi, etj., të cilët vijnë në këtë pikë shkollore..."
Shkollat shqipe në të gjithë Zvicrën kanë marrë shkëlqimin e gjuhës sonë me atë ëmbëlsinë e dashurinë naimjane për të gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë. Ishte një përpjekje e re, një dritësim i ri në vazhdën e shumë veprimtarive, të cilat na shoqërojnë jo vetëm viteve të fundit, por më shumë se tri dekada, duke përhapur “dritën së diturisë” në gjuhën shqipe. Pika e re shkollore në gjuhën shqipe është vazhdimësi e këtyre veprimtarive të cekura më sipër. Kështu i shtohet shkollave shqipe në Zvicër, në kantonin e St. Gallenit, edhe kjo pikë shkollore, e cila hapi dyert që fëmijët shqiptarë ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.
Viteve të fundit është bërë një punë e admirueshme në hapjen e pikave shkollore në mbarë Zvicrën, pothuajse në të gjitha kantonet e Zvicrës. Puna dhe angazhimi ynë në bashkëpunim me prindërit shqiptarë ka dhënë frutat e saj, dhe në këtë mënyrë jemi bërë, shembulli më i mirë në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën shqipe. Para dy muajve fillova përpjekjet rreth organizimit të klasës në Grabs të kantonit të St. Gallenit, fillimisht punën administrative me Drejtorinë e shkollës, kontaktin me mësuesen Albulena Hasani, e cila pas një pune (zëvendësim) tre mujore në rajonin e Sarganserland-it, i hapi rrugës vetes, që të angazhohemi më shumë, për të, për t`i bërë vend në kuadër të Këshillit të Arsimtarëve të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.
Dhe të gjitha këto përpjekje filluan të marrin rrugë dhe hap pas hapi filluan të realizohen. Bashkëbisedimi me prindërit, leja për klasën nga Drejtoria e shkollës, regjistrimi i nxënësve ishin vetëm disa hapa, të cilët si në çdo pikë shkollore marrin kohën e vet, ndaj janë edhe një ngarkesë administrative jo vetëm për ne, veprimtarët vullnetarë, por edhe për drejtoritë e shkollave zvicerane, sepse klasat po hapen gjatë gjithë vitit shkollor, pa e planifikuar më herët, prandaj themi padyshim është një ngarkesë për të gjithë faktorët.
Dita e parë e mësimit ishte e veçantë, e veçantë, sepse nuk ka gjë më të bukur kur këta fëmijë i dëgjojmë duke shqiptuar fjalët e gjuhës sonë – gjuhë e prindërve të tyre, gjuhë e të parëve të tyre. Nuk ka gjë më të bukur se kur këta fëmijë shqiptarë i sheh me librin shqip në duar dhe të gatshëm për ditët e reja në rrugëtimin e tyre për ta mësuar dhe ruajtur gjuhën shqipe. Nuk ka gjë më të bukur por njëkohësisht edhe më të vështirë kur e sheh strukturën e nxënësve, nxënës të moshave të ndryshme, të nivelit të parë apo të nivelit të dytë. Ata, të cilët sa po fillojnë me shkronjat e shqipes dhe ata, të tjerët që nuk njohin shkronjat dyshe dhe kanë shumë vështirësi t`i shqiptojnë. Në mesin e tyre ka edhe të atillë, të cilët me përkrahjen e familjeve e flasin dhe e shkruajnë mirë gjuhën. E gjithë kjo është një “betejë” e cila na shoqëron gjatë ditëve të javës nga një pikë shkollore në tjetrën. Tani më edhe mësuese Albulena i bashkëngjitet kësaj sfide, këtu në mërgim me qëllim që t`i mësojë fëmijët shqiptarë, ta përvetësojnë sa mirë gjuhën shqipe.
Në këtë betejë jemi me dhjetëra e dhjetëra mësues në mbarë Zvicrën. E fillojmë dhe e mbarojmë javën, me qëllim që fëmijët shqiptarë ta mësojnë dhe ta ruajnë sa më mirë gjuhën shqipe. Fakt është se çdo fillim është shumë i vështirë dhe kjo shihet te qindra e qindra nxënës të cilët vijojnë rregullisht mësimet në gjuhën amtare, por kur mësuesit e nxënësit janë këmbëngulës në rrugëtimin e tyre të përbashkët sukseset nuk mungojnë.
Kësaj “beteje” aq shpresëdhënëse i bashkëngjiten edhe nxënësit e shkollës shqipe në Grabs të kantonit të St. Gallen. Janë këta nxënës: Ana, Sara, Amira, Ajla Mendohija, Albini, Shkodrani, Gresa, Genti, Ariana, Ajani, Zejdi, etj., të cilët vijnë në këtë pikë shkollore për të marrë nektarin e gjuhës sonë.
Shpresojmë që buzëqeshja e tyre, si kjo në orët e mësimit të gjuhë shqipe në këtë fillim pranvere të mos zbehet kurrë, të mbetet për ta buzëqeshje pranverore gjithmonë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Remitencat drejt Kosovës arrijnë 1.4 miliardë euro në vitin 2025, Gjermania dhe Zvicra kryesojnë Remitencat e dërguara nga diaspora vazhdojnë të mbeten një ndër burimet kryesore të të hyrave për... -
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër uron Fitër Bajramin -
Vjenë
Tragjedia në Vjenë: Mes viktimave edhe një punëtor nga Novi Pazari -
Kompania e ndërtimit fshin gjurmët pas vdekjes së tre kosovarëve -
Leipzig
Letërsia e Kosovës prezantohet në Panairin e Leipzigut
Jeta në Zvicër
-
Linja e re e trenit të natës Cyrih–Bruksel nis në shtator Nga 9 shtatori, Cyrihu do të lidhet me një linjë të re treni nate drejt Brukselit,... -
Rreziku nga erërat e forta në teleferikë: Çfarë tregoi aksidenti në Engelberg -
Gjeneva ndalon veshjet mbuluese si burka në pishinat publike -
Një në katër të rinj në Zvicër rritet me të afërm që vuajnë nga çrregullimet mendore -
Udhëtarët e huaj në tranzit do të duhet të paguajnë në të ardhmen














