Lajme

Haxhi Robin Krasniqi rrëfen sfidat deri te titulli i kampionit

Në kuadër të konferencës ‘Diaspora 2020’ është duke u zhvilluar një bisedë e drejtpërdrejtë mes dy sportistëve të njohur ndërkombëtarë me prejardhje nga Kosova. Lorik Cana dhe Haxhi Krasniqi po debatojnë për sukseset dhe sfidat e tyre gjatë ndërtimit të karrierës larg vendlindjes, shkruan Albinfo.ch.

“Do të ndajmë disa momente të rrugëtimit tonë. Është dëshira ime si Lorik, si sportist edhe si shqiptar do të doja të delëgjoj Robinin si e ka perjetu karrierën dhe suksesin”, u shpreh Lorik Cana në hyrje të këtij bashkëbisedimi.

Robin Krasniqi tha se është kënaqësi për të që përmes kësaj platforme të bashkëbisedojë me futbollistin e njohur Lorik Cana. Krasniqi foli për ndjenjën e të qenit kampion bote, shkruan tutje Albinfo.ch.

“Çdo ditë kur zgjohem them se a është e vërtetë që zgjohem si kampion bote dhe çdo ditë po e shijoj. Falënderoj Zotin që po e përjetoj. Këtë fitore ia kam uruar edhe gjithë kombit shqiptar. Edhe pse nganjëherë kam pasur sakrifica, shqiptarët e dinë se nuk jam dorëzuar”, theksoi kampioni Krasniqi.

Ndërsa Lorik Cana e pyeti për udhëtimin ndër vite të ndërtimit të karrierës si sportist, Krasniqi tregoi fillet e para të ëndrrës së tij.

“Kam ardhur këtu në vitin 2004 dhe gjithmonë ëndrra ime ka qenë të jem bokser profesionist. Gjermania na e  dha këtë mundësi. Në Kosovë nuk jam marrë, se në Junik nuk i kemi pasur mundësitë. Por me disa shokë të shkollës e kemi pasur nje klub të karates, ku kemi ushtruar kryesisht në shkollë apo në mal. Por, ka pasur shumë pak kushte”, tha Krasniqi.