Futboll
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë
Hektor Krasniqi mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën: të linte pas futbollin austriak dhe të provonte vetën në Superligën e Kosovës, me fanellën e KF Dukagjinit nga Klina
Sot, vetëm 18 vjeç, Hektor Krasniqi shihet si një nga mbrojtësit më premtues të brezit të ri – një përzierje e disiplinës evropiane dhe shpirtit luftarak shqiptar. Gjatë një bisede për Albinfo.at, Krasniqi tregon për vendimin e tij, largimi nga Austria, veshja e fanellës së Kosovës, e shumë gjëra të tjera.
Pasion që nga fëmijëria
“Që kur mbaj mend, kam luajtur futboll. Prindërit e mi e panë herët se sa shumë e doja këtë sport dhe më mbështetën gjithmonë, duke më blerë topa dhe fanella futbolli” – tregon Hektori.
Ai hodhi hapat e parë te SV Schwechat, për të kaluar më vonë në “FC Wien” dhe “First Vienna FC”, klube ku mori përvojën e parë profesionale dhe mësoi se suksesi kërkon sakrificë. “Në Austri mësova disiplinën dhe punën ekipore – gjëra që i çmoj shumë edhe sot”, thotë ai për albinfo.at.
Nga Vjena në Klinë
Pas përfundimit të shkollës së lartë, ai e pa Kosovën si një mundësi të re. “Pas përfundimit të shkollës së lartë në Austri, ishte koha për një sfidë tjetër dhe u paraqit mundësia për të kaluar në Kosovë. Superliga po zhvillohet, dhe doja të isha pjesë e këtij procesi. Ndjehem mirë që jam kthyer në vendin e prindërve të mi.”
Edhe pse shumëkush do ta quante një hap të guximshëm, për të ishte vendim zemre. “E kam ndjekur gjithmonë Dukagjinin. Jam rritur duke parë ndeshjet e tyre sa herë kthehesha në pushime, prandaj është nder i madh që tani jam pjesë e klubit”, thekson futbollisti Krasniqi.
Debutimi i ëndrrave
Kur trajneri Ismet Munishi e thirri për debutim, Hektori ndjeu një valë emocionesh që nuk i kishte përjetuar kurrë. “Ishte ndjenja më e bukur e jetës sime. Ishte pak keq, sepse nuk arrita të debutoja me fitore. Nuk ndjeva presion, vetëm gëzim. Ishte momenti kur e kuptova se gjithë mundi im kishte dhënë fryte.”
Pas ndeshjes, ai qëndroi vetëm në dhomën e zhveshjes për disa minuta. “Duhej ta përpunoja atë ndjenjë – ishte thjesht magjike. Ishte çast i veçantë dhe jam mirënjohës për besimin që më kanë dhënë klubi dhe trajnerët”
Futbolli austriak dhe kosovar
“Në Austri futbolli është shumë i organizuar taktikisht. Në Kosovë luhet po ashtu me disiplinë dhe taktikë, por aspekti fizik është më i theksuar. Në këtë nivel duhet të jesh në nivel të lartë si teknikisht ashtu edhe fizikisht. Te “KF Dukagjini” punojmë çdo ditë për ta zhvilluar më tej lojën dhe fizikën tonë. Një dallim i madh është edhe kultura e tifozëve – pasioni këtu është i jashtëzakonshëm. Tifozët tanë na japin gjithmonë energji të pabesueshme, dhe dua të falënderoj të gjithë tifozët e “KF Dukagjinit” për mbështetjen e tyre të vazhdueshme”, thotë ai, duke falënderuar publikisht tifozët e Dukagjinit.
Si ishte koha nën urdhërat e Ismet Munishit
“Ismet Munishi është një trajner me vizion të qartë. Di si të punojë me lojtarët e rinj dhe të na motivojë çdo ditë. Kam respekt të madh për të,” shprehet Krasniqi.
Një ndjenjë që s’harrohet: Kombëtarja e Kosovës
Hektori ka veshur edhe fanellën e Kosovës U17 dhe U20, diçka që për të mbetet ndër momentet më të veçanta të jetës. “Kur dëgjova himnin me dorën në zemër, më kaluan nëpër mend të gjitha sakrificat. Prindërit e mi ishin aty, dhe ndjeva se i kisha bërë krenar ata dhe gjithë familjen time. Nëse në të ardhmen do të kem përsëri mundësinë të përfaqësoj vendin tim dhe vendin e prindërve të mi, do të jap zemrën time në fushë dhe do të jep maksimumin.”
Shikimi drejt së ardhmes
“Jam i përkushtuar te Dukagjini, sepse ndjej se po zhvillohem çdo ditë. Do të shoh se ku më çon rruga, por ambicia ime është të arrij sa më lart, me punë dhe përkushtim.”
Kur pyetet se kush është skuadra më e fortë në Superligë, ai nuk heziton as një sekondë:
“KF Dukagjini. Besoj në punën tonë dhe në karakterin e skuadrës. Mund të përballemi me këdo.”
Me qetësinë e një profesionisti dhe përulësinë e një djali që e do futbollin me gjithë shpirt, Hektor Krasniqi po ecën drejt një të ardhmeje që duket shumë premtuese – një rrugëtim që sapo ka filluar.
/Albinfo.at/
E-Diaspora
-
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë Festë jubilarie në Mynih: Kënga dhe vallja shqiptare lidhin brezat... -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau
Jeta në Zvicër
-
Teknologjia zvicerane që po ndryshon trajtimin e tumoreve Radioterapia inovative zvicerane për trajtim të saktë të tumoreve... -
Ferma më e lartë e erës në Evropë ndodhet në Zvicër -
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike















