Feja

Imami i St.Gallen demanton shkrimin e “Solothurner Zeitung”

Fehim Dragusha, Imami i xhamisë El-Hidaje të St. Gallenit, kundërshton shkrimin e përfolur dhe mbron punën e tij në favor të integrimit

Lidhur me artikullin e botuar në gazetën “Solothurner Zeitung”, ku imami i xhamisë shqiptare në St.Gallen Fehim Dragusha apostrofohet për nxitje të dhunës ndaj fëmijëve, albinfo.ch ka kontaktuar me z. Dragusha duke i kërkuar të shprehë qëndrimin e tij. Bashkëbiseduesi ynë thotë se nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo që është shkruar në atë gazetë.

“Për punën tonë të mirë, në përputhje me ligjin dhe në të mirë të integrimit, ne kemi pasur lëvdata nga të gjithë këtu, përfshirë edhe nga përgjegjësit e qytetit për integriimin e të huajve”, thotë imami Dragusha. Përgjegjësit për integrim, rini dhe mësim parashkollor (Claudia Wiedemann und Peter Tobler)na kanë vizituar dhe ka përcjellë edhe punën tonë me nxënësit. Ajo ka thënë se metoda që zbatoj unë është metodë pedagogjike dhe nuk përmban aspak elemente dhune.

Këtu kemi pasur mysafirë edhe gazetarë të televizioneve dhe medieve tjera zvicerane dhe ata kanë shikuar nxënësit duke vizatuar. Kur kanë parë se nxënësit vizatojnë krahas xhamive edhe kisha, më kanë pyetur për arsyen. Unë u kam treguar se tema ime e magjistraturës ka qenë për komparacionin fetar dhe nuk është e thënë pse ne jemi myslimanë të mos mund të jetojmë me jomyslimanët. Me fjalë tjera, ajo që mësohet në xhami është krejtësisht diçka tjetër nga ajo që është shkruar në gazetë”.

Rreth hadithit të cilin e përmend gazetarja, ku, sipas asaj unë kam propaguar rrahjen e fëmijëve, ka një keqkuptim, sepse ai ka qenë vetëm një citim shkurtimisht i hadithit, pa komentin që është i nevojshëm në këto raste. Po kështu, përkthimi që e kam bërë unë vetë në gjuhën gjermane te fjalët “Schlagen und taddeln” ka një ngatërrim gjuhësor – sepse unë kam vetëm 2 vite që jetoj në Zvicër – kështu që fjala ka qenë për qortim dhe motivim e jo për rrahje në kuptimin fizik. Qortimin e praktikojnë edhe nëpër shkolla dhe këtë qëndrim e mbrojnë edhe të gjithë imamët dhe pedagogët fetarë.

Ç’është e vërteta, Pejgambei alejhisselam, jo vetëm që nuk ka rrahur fëmijet, por ka ndaluar që t’i mallkojmë apo t’u themi fjalë të ndyta, këtë gjë neve e kemi zbatuar edhe ne Xhaminë El-Hidaje dhe ata që kanë vizituar mësimbesimin islam (Islamunterricht) na kanë pasur lakmi.

  

Po ashtu, Imami sqaroi se hadithi në fjalë nuk ka për qëllim dhunën fizike, porse qortimin dhe nxitjen e fëmijeve për namaz. Madje thekson se ky hadith sipas Bejhekiut dhe disa dijetarëve të tjerë është abroguar për mospërgjegjësi para pubetitetit (cituar nga El-Eskalani, Fethul Bari, II, 286)

Sidoqoftë, shton imami i xhamisë El-Hidajet nga St. Galleni, të gjithë ata që duan të informohen se si punojmë në xhaminë tonë, mund të vijnë të na vizitojnë, të na shohin duke punuar dhe ta shikojnë planprogramin. Ne bëjmë përpjekje për integrimin. Këtu duhet të përmend se kemi mbaruar edhe kurset e gjuhës dhe se fundi në qytetin e Winterthurit kemi absolvuar në programin CAS (Certificate of Advance Studies), Religiöse Begleitung im interkulturellen Kontext në Institutin e ZHAW-it. Kemi raporte shumë të mira me të krishterët, kështu që shkrimi i botuar ka qenë vetëm një alarm që është përpjekur të hedhë hije mbi këtë realitet. Rreth gjithë kësaj mund të lexohet edhe ajo çfarë ka shkruar gazeta 20 Minuten:(http://www.20min.ch/news/ostschweiz/story/10870831)

Ndërkaq, sa i përket artikullit të botuar, hoxha thotë se gazetarja nuk e ka fyer vetëm imamin, dhe xhematin e kësaj xhamie (janë mbi 350 besimtarë) “por e ka fyer edhe shtetin, Sulltanatin e Bruneit, vendin ku unë kam kryer studimet. Sulltanati i Bruneit është vend i pasur e i zhvilluar si dhe shumë i moderuar. Edhe pse shtet mysliman, Brunei ka shumë kisha, ndërsa gazetarja thotë se bëhet fjalë për një shtet shumë konservativ. Për këtë arsye, mendoj se ky shtet që ka edhe Ambasadën e vet në Zvicër do të reagojë ndaj insinuatave”.

Për fund, imami Fehim Dragusha thekson se ky shkrim e ka fyer rëndë personalitetin e tij dhe fenë islame, kanë shqetësuar atë dhe familjen, prandaj kërkon nga mediet, edhe ato shqiptare, që të kenë kujdes kur kanë të bëjnë me përmbajtje të tilla.

Imami i xhamisë shqiptare të Kreuzlingenit, Rehan Neziri, i pyetur nga albinfo.ch, parimisht nuk pajtohet me artikullin e publikuar në gazetën zvicerane. “Unë e konsideroj jokorrekte ndaj imamit Fehim Dragusha atë që ka bërë autorja e artikullit. Ajo nuk e ka kontaktuar fare imamin por vetëm ka shkruar duke u nisur nga përshtypja e parë dhe thashethemet. Po kështu, për mendimin tim edhe shtypi shqiptar i bën një të padrejtë imamit Dragusha nëse e transmeton atë artikull pa e konsultuar njeriun për të cilin bëhet fjalë”, thotë imami Neziri.

Mirëpo, sa i përket rrahjes si mjet edukimi ose nxitjeje për të kryer ritet fetare, Rehan Neziri thotë se diçka e tillë nuk ka të bëjë me doktrinën e islamit. “Islami kërkon që mësimi i fesë të bëhet me dashuri dhe me motivim e assesi me dajak. Kanë qenë disa hadithe të vjetra, që janë abroguar qëmoti, të cilat kanë mundur të interpretoheshin ashtu sikur rrahja është mjet edukimi për fëmijët”, përfundon imami i xhamisë së Kreuzlingenit, Rehan Neziri.

Lidhur me artikullin e botuar në albinfo.ch: “Imami i këshillon prindërit t`i rrahin fëmijët që nuk duan të luten