Lajme
Inaugurimi i presidentit të zgjedhur të Malit të Zi, Jakov Millatoviq
Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, më 20 maj, në mesditë, do të bëjë betimin dhe do të marrë detyrën e kreut të vendit.
Në përurim, përkatësisht, në ceremoninë e betimit, që mbahet në Parlamentin e Malit të Zi, do të marrin pjesë rreth 200 personalitete, duke përfshirë zyrtarë nga fqinjësia, ambasadorë dhe të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobar.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Malit të Zi, përfaqësues të qeverisë, autoriteteve gjyqësore, si dhe presidenti i deritashëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të cilin Millatoviq e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në fillim të prillit.
Pjesa qendrore e qytetit të Podgoricës është bllokuar që nga mëngjesi, si dhe rruga për në aeroport.
Pas intonimit të himnit kombëtar, si dhe betimit të Millatoviqit, ai do të mbajë fjalimin inaugurues, pas së cilit do të mbahet përshëndetje ceremoniale ushtarake në platonë para Parlamentit.
Pas kësaj, Millatoviq do t’i presë të ftuarit në një drekë, ndërkaq në orët e vona të pasdites, në Vilën shtetërore Gorica, ai me bashkëshorten do të presin rreth 700 të ftuar.
Në mesin e tyre do të jenë presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërkaq nga Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës të pranishëm do të jenë Zhelko Cvijanoviq dhe Zhelko Komshiq.
Ardhja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk është konfirmuar.
Nga zyrtarët evropianë të pranishëm do të jenë Oliver Ropke, president i Komitetit evropian ekonomik dhe social të Komisionit Evropian, ndërkaq nga Britania e Madhe dhe Gjermania të dërguarit specialë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Pich dhe Manuel Saracin.
Presidenti i Malit të Zi zgjidhet çdo pesë vjet, ndërkaq të gjitha inaugurimet e mëparshme ishin bërë në Cetinë.
Jakov Millatoviq, 37-vjeçar, është presidenti i parë që nuk është nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviqit, e cila pati pushtetin për tri dekada, deri në gusht të vitit 2020, kur humbi zgjedhjet.
Millatoviq, një nga liderët e lëvizjes “Evropa tani”, e themeluar një vit më parë, ka qenë në politikën malazeze që prej tre vjetësh kur u emërua ministër i qeverisë së parë pas shkuarjes nga pushteti të DPS-së.
Në garën presidenciale, ai pati mbështetjen e partive në pushtet, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes qytetare URA.
Që nga fillimi i viteve të 90-ta, Gjukanoviq ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe dy herë president i Malit të Zi.
Pas humbjes së pushtetit në zgjedhjet parlamentare, gati tre vjet më parë, DPS-ja e tij humbi edhe zgjedhjet në Podgoricë, në muajin tetor. Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, Gjukanoviq dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë.
Ditëve të fundit, Gjukanoviq dhe Millatoviq zhvilluan dy takime si pjesë e procedurës së dorëzimit të detyrës, pas të cilave theksuan se Mali i Zi është shembull i mirë i tranzicionit demokratik të pushtetit.
Ndryshimi i kreut të shtetit vjen para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të planifikuara për 11 qershor. Ato u shpallën për shkak të krizës institucionale që ndaloi integrimet evropiane.
Që nga ndërrimi i pushtetit, për gati tre vjet, kanë rënë dy qeveri, ndërkaq tentativa për të zgjedhur një të tretë ishte e pasuksesshme. Në atë periudhë është shënuar rritje e tensioneve etnike.
Gjatë pushtetit të Gjukanoviqit, Mali i Zi votoi për pavarësinë e vendit në referendumin e vitit 2006. Në vitin 2010, Mali i Zi u bë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkaq më 2017 hyri në NATO.
E-Diaspora
-
Mikpritja në Kosovë lë pa fjalë gazetaret zvicerane Gazetaret e mediumit zviceran 20 Minuten, Lynn dhe Carolin, të cilat po realizojnë një reportazh disa... -
Gjykata gjermane refuzon kërkesën e shqiptarit: dokumentet ishin false -
Rriten pritjet në Dheu i Bardhë, mërgimtarët presin deri në 50 minuta për të hyrë në Kosovë -
127 fluturime direkte në një javë mes Prishtinës dhe Gjermanisë -
Mërgimtarët vazhdojnë të vijnë në Kosovë, pa pritje të gjata në kufij
Jeta në Zvicër
-
Zvicra u karakterizua nga këto lajme këtë javë Krahu i djathtë kritikon marrëveshjet e reja Zvicër-BE, dhe qeveria po digjitalizon procedurat e brendshme të... -
Konfirmohet: Dy pilotët zviceranë ishin privuar nga fluturimi për shkak të alkoolit -
Rusia kritikon mungesën e neutralitetit të Zvicrës, dy muaj para votimit federal mbi këtë temë -
Nuk pritet asnjë lehtësim nga thatësira aktuale -
Temperaturat deri në 40 gradë Celsius kërcënojnë Zvicrën











