Opinione
Iniciativa No-Billag sulmon vlerat tona
Nëse komunitetit shqiptar voton me JO për iniciativën No-Billag më 4 mars, atëherë ne me votën tonë do të votojmë për diversitetin mediatik dhe formimin e informacionit neutral, por gjithashtu si komunitet do të kemi betonizuar përkushtimin tonë ndaj vlerave të neutralitetit, stabilitetit dhe mundësive të barabarta
Kur vendosa të shkruaj mbi iniciativën No-Billag për komunitetin tonë shqiptar, ishte e qartë se nuk desha të fryej në gjellën e njëjtë si kolegët e mi, të cilët tashmë kishin sjellë argumente solide për një JO më 4 mars. Përpos kësaj, kemi dëgjuar edhe argumente goxha të mira përse është absolutisht e domosdoshme për demokracinë e drejtëpërdrejtë që formimi dhe transferimi i informacionit neutral, siç kërkohet nga Kushtetuta Federale, të financohet nga taksat dhe jo nga reklamat komerciale. A hasin këto argumente logjike në veshë të hapur, sidomos kur është në pyetje kuleta e çdonjërit, është për mua fatkeqësisht ende e paqartë. Nga ky aspekt, mendoj se për iniciativën No-Billag duhet të diskutojmë në një nivel tjetër.
Iniciativa No-Billag jo vetëm që do të heqë taksat radiodifuzive për Radio dhe Televizionin Zviceran (SRG), por gjithashtu do t’ i ndalojë qeverisë federale çdo mbështetje financiare për stacionet e radios dhe televizionit. Në rast të pranimit të iniciativës, formimi dhe transferimi i informacionit neutral dhe boshllëku që do të linte televizioni shtetëror, do t’ju binte në duar njerëzve të orientuar nga profiti dhe Qeveria Federale s’do të kishte asnjë vegël për të qenë prezente në skenën politike-mediatike dhe për të informuar në mënyrë autentike.
Se çfarë ndodh me politikën, por dhe me shoqërinë në tërësi, madje dhe me ekonominë kur individët tentojnë ta zëvendësojnë shtetin dhe e konsiderojnë atë si një dyqan vetëshërbimi, mund të shohim në vendet tona të prejardhjes. Gërshetimi midis investitorëve privatë dhe politikanëve milionerë dhe detyrave të shumta shtetërore është aq i madh, sa që çlirimi nga këto konflikte të interesit duket pothuajse i pamundur. Thënë këtë, në raportimin dhe transmetimin e lajmit me pranimin e kësaj iniciative, interesave të investitorëve privatë do t’u jepet detyrimisht më shumë rëndësi sesa principit të informacionit neutral dhe informimit të ekuilibruar të qytetareve dhe qytetarëve.
I padiskutueshëm në diskursin për iniciativën No-Billag duket të jetë fakti, se mbuluesit privatë mediatikë nuk do të munden të sigurojnë mjetet financiare nga reklamat dhe abonementet dhe rrjedhimisht ta përmbushin kërkesën të Kushtetutës Federale të informojnë në katër gjuhë kombëtare, 26 kantone dhe 2’255 komuna sidhe 20% të popullsisë me aftësi të kufizuara.
Pra, nëse komunitetit shqiptar voton me JO për iniciativën No-Billag më 4 mars, atëherë ne me votën tonë do të votojmë për diversitetin mediatik dhe formimin e informacionit neutral, por gjithashtu si komunitet do të kemi betonizuar përkushtimin tonë ndaj vlerave të neutralitetit, stabilitetit dhe mundësive të barabarta. Për këto vlera gjyshërit dhe prindërit tanë, apo edhe ne vetë e kemi zgjedhur Zvicrën si shtëpinë tonë të re.
Ta mbrojmë Zvicrën me votën tonë!
(Autori është kandidat i partisë socialdemokrate“SP Zürich 9″ për Këshillin e qytetit (Asamblenë) të Cyrihut. Më shumë informacione rreth tij mund të gjeni në faqen e tij të internetit islamalijaj.ch.)
- Ky është një opinion i autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimin e redaksisë
E-Diaspora
-
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për Diasporën, i cili synon... -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau -
Projekti “The Guestkeepers – Miqtë e vizitorëve” nis me fazën e parë të trajnimeve
Jeta në Zvicër
-
Kaosi i Krishtlindjeve në aeroportet zvicerane: Si të udhetoni pa stres Koha e Krishtlindjeve sjell fluks të lartë udhëtarësh në aeroportet zvicerane. Aeroporti i Cyrihut pritet të... -
Mungesë e vaksinës kundër gripit në Zvicër për shkak të kërkesës së lartë -
Emily Munishi ngjitet në elitën kombëtare U18 në gjimnastikë artistike -
UBS planifikon shkurtime vendesh pune në janar -
Edhe Kantoni i Fribourgut thotë “jo” për telefonat celularë në shkollë











