Integrimi

Ismet Kurteshi pretendon edhe një mandat të këshilltarit komunal në Onex

Migrimet e shqiptarëve të Kosovës në Zvicër janë të hershme. Ato zënë fill qysh në vitet e shtatëdhjeta. Edhe pse ende nuk posedojmë statistika të sakta, thuhet se në këtë vend, në jug të Evropës Qendrore, jetojnë mbi dyqind mijë shqiptarë. Vetëm në Kantonin e Gjenevës janë të përqendruar rreth 15 mijë shqiptarë. Shumica e tyre vinë nga regjioni i Anamoravës, më saktësisht nga Gjilani, Vitia e Dardana.

Komuniteti shqiptar në Gjenevë në dhjetëvjetëshin e fundit ka shënuar arritje të dukshme në të gjitha fushat. Në këtë kanton një pjesë e madhe e shqiptarëve, tanimë të natyralizuar, ushtrojnë profesionin e profesorit universitar, të avokatit, të ekonomistit, të mjekut, të arsimtarit, të mësuesit, të psikologut dhe të nëpunësit në administratë. Gjithashtu ka edhe shumë shqiptarë të angazhuar në fushën e biznesit dhe në atë të gastronomisë që po krijojnë emër me punën e tyre të mirë.

Kur është fjala për jetën politike, të gjithë e dimë se qytetarët zviceranë zgjedhin nëpërmjet votës së tyre të lirë autoritetet e tyre dhe vendosin për çështje të shumta. Ata për të gjitha problemet me rëndësi shoqërore organizojnë iniciativa e referendume, duke filluar nga niveli Komunë, Kanton e deri në instancën Konfederatë. Qeveritë kantonale në përgjithësi zgjidhen me votim të fshehtë dhe organizohen në mënyrë autonome. Ndërkaq Kuvendi kontonal i quajtur Këshilli i Madh (Grande Conseil) është një dhomë deputetësh, numri i të cilëve ndryshon nga njëri kanton në tjetrin. Kohëzgjatja e organeve ligjdhënëse është katër vjet, me disa përjashtime. Sikurse kantonet e tjera, ashtu edhe ai i Gjenevës organizon vetë sistemin shkollor dhe institucional, duke inkasuar të ardhura drejtpërsëdrejti në formën e taksave.

Qytetari gjenevian të dielën e fundit të prillit apo të dielën e parë të majit hyn në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet ekzekutive, duke dhënë direkt mendimin e vet për iniciativat dhe projektligjet. Përsosmëria e sistemit elektoral ka bërë që 2324 komunat e Konfederatës Helvetike, ashtu dhe kantonet të kenë një autonomi të madhe. Rrallë mund të ketë manifestime të mëdha e debate të pasionuara me ballafaqime të forta. Prandaj, ky faktor ka ndikuar që shumë shqiptarë të natyralizuar të motivohen për t’u marrë me aktivitet politik. Listat e përpiluara nga partitë politike të Gjenevës përmbajnë emrat e 1700 kandidatëve, konkurrues për zgjedhjet e ardhshme komunale të 19 prillit 2015. Në dyzet e pesë komunat e këtij kantoni pas dy muajsh secili do t’i testojë ambiciet e veta politike, për të zënë vend si asamblist në shkallë komune.

Në regjistrat e partive si kandidatë  të mundshëm për Asambletë Komunale të Kantonit të Gjenevës figurojnë edhe katërmbëdhjetë shqiptarë të natyralizuar. Në këtë konkurrencë kaq të fortë gjenden edhe katër femra shqiptaro-zvicerane, të cilat vërtet kanë përgatitje të duhur që këtë detyrë me përgjegjësi ta kryejnë me sukses. Mirëpo, njëri nga kandidatët me më shumë gjasa dhe me mundësi reale që ta marrë edhe një mandat të dytë të këshilltarit në Komunën Onex të Gjenevës është z. Ismet Kurteshi. Ai shquhet me të folmen e tij të rrjedhshme në frëngjisht dhe si jurist ka bazë të mirë, ngase njeh rrënjësisht organizimin dhe strukturimin administrativ të komunave në këtë kanton.

Ismeti lindi më 1959 në Gjilan të Kosovës, kurse në Zvicër migroi më 1990. Edhe pse me profesion jurist, këtë detyrë nuk e ka ushtruar asnjëherë, sepse në Zvicër, siç e dimë të gjithë, diploma e juristit nga vendet e Evropës Juglindore nuk është ekuivalente apo e barasvlershme. Prandaj z. Kurteshi të ardhmen e tij e ka ndërtuar duke përfillur çdo ofertë pune. Ai gati pesëmbëdhjetë vjet ka punuar në gastronomi. Ndonëse ky profesion nuk ka qenë i tij, ai punën e kuzhinierit dhe atë të kamerierit e ka bërë me vullnet e dashuri. Ismeti kohën e lirë e ka ndarë me bashkatdhetarët e tij nga Kosova, duke dhënë ndihmesë të veçantë në shoqata e klube të ndryshme. Ai ka kontribuar në ecurinë dhe mbarëvajtjen e punëve në Shoqatën Kulturore të Gjenevës “IKBALLE PRISHTINA”.  Pastaj duke qenë anëtar aktiv i Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës, është treguar produktiv në detyrat e besuara. Më 2001 Ismet Kurteshi angazhohet në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “NAIM FRASHËRI” të Gjenevës, ku edhe sot përkrah avancimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Po ashtu, me punën e saj të suksesshme dallohet dhe bashkëshortja e Ismetit, zonja Hyrije Kurteshi, e cila punon si mësimdhënëse në sistemin e mësimit plotësues në Gjenevë. Ismeti nga dëshira që ta afirmojë  trashëgiminë tonë kulturore bëhet krah i fortë i koreografit të mirënjohur, Xhemaili Berisha dhe i producentit të urtë e punëtor z. Nexhmedin Ilazi, me të cilët krijon Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve “GËZUAR” të Gjenevës.

Ky ansambël, edhe pse amator, me prezantimet e tij të shkëlqyera ka pushtuar zemrat jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të vendësve. Para tri ditësh ansambli “GËZUAR” ka mbajtur Kuvendin e tij të rregullt, me ç’rast kryetar për periudhën e ardhshme dyvjeçare me vota të njëzëshme ka zgjedhur Ismet Kurteshin.
Vlen të theksohet se në prill të vitit 2013 z. Kurteshi ka qenë anëtar i Këshillit nismëtar për themelimin e “KOMUNITETIT SHQIPTAR TË GJENEVËS”.

Aktivizimi i tij në Partinë Socialiste të Komunës ONEX të Gjenevës e detyron atë që në shtator të vitit të kaluar të tërhiqet nga Kryesia e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, për ta pasuar zëvendësimin e z. Renaud Bernard, i cili për arsye shëndetësore e pati braktisur detyrën e këshilltarit në Komunën Onex të Gjenevës. Kurteshi mandatin e këshilltarit komunal po e kryen me shumë sukses, duke qenë edhe anëtar i disa komisioneve në këtë komunë. Ai edhe në zgjedhjet e ardhshme, i mbështetur fuqimisht nga anëtarësia e Partisë Socialiste dhe simpatizantët e saj synon postin e këshilltarit komunal në Onex të Gjenevës. Krahas angazhimeve politike, Kurteshi është i aktivizuar edhe në kompleksin banesor “TOUR BLEUE” si mbikëqyrës.

Të gjithë banorët e komunës Onex e çmojnë lart punën dhe korrektësinë e z. Kurteshi. Shefi i Grupit të Socialistëve në këtë komunë, z. Daniel Fino, thotë: “Ismeti në diskutime e debate çdoherë shpreh maturi. Por, rreth çështjeve të caktuara nganjëherë di të reagojë ashpër, në mënyrë që të evitohet çdo shkarje eventuale gjatë përpilimit apo hartimit të programeve tona apo nismave”. Z. Kurteshi asnjëherë nuk pajtohet me kompromise apo zgjidhje të pjesshme të cilat s’i kënaqin kërkesat e qytetarëve. Ai lufton diferencat brenda shoqërisë, duke u mbështetur gjithmonë në norma morale. Prandaj me të drejtë gëzon përkrahjen e të gjitha komuniteteve të komunës Onex të Gjenevës.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI