Lajme

Sa mund të jeni produktiv edhe kur punoni nga shtëpia

Jemi në kohë pandemie, dita-ditës po afrohemi tek izolimi dhe mundësia për të punuar nga shtëpia po rritet. Duke qenë se këto rrethana mund të ndikojnë rrjedhën normale të jetës sonë, si rezultat i këtyre edhe veprimtaria e rregullt e punës ndonjëherë duhet të realizohet jashtë ambientit të punës, çka ndryshe njihet edhe si puna nga shtëpia. Mirëpo, sa efektive është puna nga shtëpia?

Sp fundi në një studim të realizuar nga ConnectSolutions, 77% e të anketuarve thanë se janë më produktivë kur punojnë nga distanca, krahasuar me punën në një ambient zyre. Ndërkaq, në një tjetër anketim, 82% e të anketuarve raportuan se ndjeheshin më të lumtur kur punonin nga distanca, transmeton albinfo.ch.

Ani pse në vështrim të parë, realizimi i punës nga shtëpia mund të duket edhe si diçka e vështirë dhe shpesh e pamundur, ka edhe shumë mënyra se si punonjësit të jenë të fokusuar dhe mjaft produktiv.

AkademiPune ju sjellë disa këshilla për të lehtësuar përshtatjen tuaj edhe kur punoni nga distanca.

Caktoni një orar të rregullt

Puna nga shtëpia vjen me shumë fleksibilitet. Mirëpo, ky fleksibilitet mund të ndikojë negativisht tek produktiviteti i punëtorit. Nëse nuk i caktoni vetes një orar të rregullt edhe kur punoni nga shtëpia, ju mund të përfundoni duke punuar ndoshta gjatë gjithë ditës, t’i përfundoni punët vonë, apo edhe të punoni përsëri gjatë orëve të vona. Prandaj, vendosni se kur do të punoni dhe kur jo.

Gjeni një vend të përshtatshëm për të punuar

Në mënyrë që të shmangni shpërqëndrimet dhe të jeni produktivë edhe kur punoni nga shtëpia, mundohuni të gjeni një vend të veçantë ku nuk keni komunikim me anëtarët e tjerë të familjes. Nëse nuk e keni një dhomë të veçantë ku nuk ju pengon askush, gjeni një hapësirë ku të paktën mund të jeni më të fokusuar.

Mos e zhvendosni vëmendjen në gjëra të tjera

Kur nuk mendoni për gjërat e tjera rreth shtëpisë, ju do të mund të përqëndroheni më shumë, kësisoj të rrisni edhe produktivitetin tuaj. Te gjitha detyrat / gjërat e tjera që nuk lidhen me punë, mund t’i përfundoni jashtë orarit të punës, siç do ta bënit zakonisht. Nëse është e mundur, rrini me një orar të rregullt në hapësirën ku keni vendosur të punoni dhe respektoni të njejtat orë, sikur të punonit në zyrë.

Sigurohuni që pajisjet e telekomunikimit të jenë në rregull

Që të jeni në koordinim me anëtarët e tjerë të ekipit dhe në dispozicion për thirrje me video apo konferenca, kontrolloni vazhdimisht pajisjet e telekomunikimit. Gjithashtu, planifikoni të bisedoni në baza të rregullta me pjesën tjetër të stafit, në mënyrë që të shkëmbeni ide, sepse një gjë e tillë do t’ju mbajë më produktivë.

Parandaloni ndërhyrjet

Ndonjëherë, miqtë, familjarët apo njerëzit përreth mund të mos e kuptojnë punën nga shtëpia. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mos lejoni ndërprerje në punë, sepse ndërprerjet mund të ndikojnë që ju të humbni fokusin, të mbeteni vonë në përfundimin e detyrave apo edhe të keni nevojë për kohë shtesë. Kësisoj, fillimisht informoni njerëzit përreth që jeni në orar të punës dhe keni nevojë për qetësi dhe përqëndrim.

Në fund të ditës, largoni mjetet elektronike

Pas një dite pune, largoni pajisjet elektronike që të relaksoheni. Në këtë mënyrë do të jeni produktivë edhe ditën tjetër.