E-Diaspora

Jepet dënimi për 5 shqiptarët në Itali

Nga hetimet rezultoi gjithashtu se pesë të dënuarit drejtoheshin nga një tjetër shqiptar, i njohur me nofkën “Kuqi”

16 deri në 20 vjet burgim ka dhënë gjykata e Busto Arsizio në Milano për pesë shqiptarë, të akuzuar për vrasjen e kushërinjve të tyre Agron dhe Alban Lleshaj.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur gjatë natës mes 9 dhe 10 nëntorit të vitit 2016 në periferi të Milanos. Viktimat u ekzekutuan me pistoletë poshtë një kompleksi banimi, pas një ndjekjeje me makinë.

Dënimi për Edmond, Elidon, Pjetër Ll., Eduard N. dhe Fation S. u dha nga gjykatësja Piera Bossi. Prokurori Giuseppe D’Amico kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të pandehurit, raporton “TV Klan”.

Sipas hetuesve, banda i ekzekutoi dy kushërinjtë, pasi këta të fundit po tentonin që të zgjeronin aktivitetin e trafikut të kokainë në Legnano. Menjëherë pas ekzekutimit, autorët u arratisën nga frika e gjakmarrjes nga familjarët e dy viktimave, përcjell albinfo.ch.

Për këtë arsye, përpara se të arrestoheshin nga oficerët e Monzas, banda e trafikantëve kishte lëvizur nëpër qytetet të ndryshme, në qendër dhe veri të Italisë, ndërsa një prej tyre kishte arritur të dilte nga Italia. Ata u arrestuan mes Pistoia, Lucca dhe Belgjikës.

Nga hetimet rezultoi gjithashtu se pesë të dënuarit drejtoheshin nga një tjetër shqiptar, i njohur me nofkën “Kuqi”. Ata vendosën t’i ekzekutonin dy kushërinjtë Lleshaj, së bashku me një kushëri të tretë, i cili arriti të shpëtonte, në mënyrë që të mos i lejonin të kontrollonin shpërndarjen e kokainës mes Canegrate, Legnano dhe Parabiago.

Atentati ndaj Agron dhe Alban Lleshaj u planifikua në afërsi të qendrës së Canegrate. Plot 12 plumba pistolete u zbrazën në drejtim të tyre, duke i lënë të vdekur në vend.