Lajme

Jeton Hoxha është zgjedhur kryetar i Këshillit Komunal të qytetit Renens

Ai ka marrë detyrën si kryetar më 01 korrik 2023 dhe ka nisur me përkushtim për të shërbyer dhe përfaqësuar interesat e komunitetit në këtë rol të rëndësishëm

Duke filluar nga një korriku i këtij viti, në krye të Këshillit Komunal (asamblesë) së qytetit Renens, Kantoni Vaud është zgjedhur politikani me rrënjë shqiptare, Jeton Hoxha. Ai nuk është emër i panjohur në këtë komunë dhe më gjerë, pasi ka një karrierë të gjatë politike, si asamblist komunal.

Z. Hoxha flet për albinfo.ch lidhur me postin e ri që ka marrë, detyrat, preokupimet dhe synimet e tij në këtë funksion.

“Jam zgjedhur kryetar i Këshillit Komunal (asamblesë) më 11 maj 2023 nga të gjithë anëtarët e këshillit, të të gjitha partive politike. Votimi është zhvilluar në një atmosferë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, ku të gjitha partitë politike kanë shprehur përkrahjen e tyre për mua në mënyrë unanime”, thotë Jeton Hoxha për Albinfo.ch.

Pas zgjedhjes, ai ka marrë detyrën si kryetar më 01 korrik 2023 dhe ka nisur me përkushtim për të shërbyer dhe përfaqësuar interesat e komunitetit në këtë rol të rëndësishëm.

Para kësaj, z. Hoxha ka qenë zgjedhur nënkryetar i asamblesë, por nuk ka qenë shef i grupit parlamentar, siç ndodh në mjaft raste të tilla. Mandati i kryetarit zgjat 1 vit. Në rastin konkret, nga 01.07.2023 deri më 30.06.2024.

Duke folur për rolin e tij në postin e ri, Jeton Hoxha thotë: Kryetari i Këshillit Komunal është “kryesori” i qytetit, ai luan një rol kyç në qeverisjen vendore dhe është i ngarkuar me ndërmarrjen e detyrave të ndryshme për të siguruar funksionimin e mirë të komunës. Disa nga detyrat që zakonisht i takojnë një kryetari të këshillit komunal, janë: përfaqësimi i komunës, kryesimi i seancave të këshillit komunal,  fasilitimi (lehtësimi) i bashkëpunimit në kuadër të Këshillit, mbikëqyrja e ligjshmërisë së veprimeve të këshillit etj.

Ai është shqiptari i parë që ka arritur të zgjidhet për këtë post në komunën e Renens dhe gjithashtu në Lausanne Ouest. “Ndër komunat e tjera të kantonit të Vaud, dihet që ka një kryetar të këshillit në komunën e Moudonit, por sipas njohurive të mia, nuk ka pasur ndonjë shqiptar tjetër, të zgjedhur në një rol të ngjashëm deri më tani”, thotë më tutje Jeton Hoxha.

Këshilli Komunal i Renens përbëhet nga 80 anëtarë të partive të ndryshme politike dhe ata zgjidhen për një periudhë prej 5 vitesh. Në total ka 5 parti politike, përfshirë Partinë Politike “Fourmi e Kuqe” (partia e punës dhe e majta), e cila ka 18 deputetë, Partinë Politike Socialiste me 20 deputetë, Partinë Politike të Gjelbër me 17 deputetë, Partinë Politike PLV-PVL me 18 deputetë dhe Partinë Politike UDC me 7 deputetë. Partia Politike Socialiste ka më shumë deputetë në krahasim me partitë e tjera.

Renens është qyteti i pestë për nga madhësia në Kantonin e Vaudit. Ai është qendër administrative e distriktit të Lozanës Perëndimore dhe ka një popullsi prej 21,104 banorësh. Të huajt përbëjnë pak më shumë se 50% të popullsisë totale.

Rreth njëqind kombësi janë të përfaqësuara, që vijnë nga pesë kontinente. Sa i takon ekonomisë, Renens ka pasur historikisht një prani të fortë industriale (20% e strukturës ekonomike). Shenja të shumta të kësaj ende janë të dukshme. Por Renensi tani është zhvilluar gjithashtu në sektorin tretësor (80% e strukturës ekonomike). Ai është seli e më shumë se 700 firmave me 10,000 vende pune, thotë z. Hoxha më tutje për Albinfo.ch.

Përveç një strukture tregtare të zhvilluar dhe tërheqëse (afër 200 dyqane të vendosura në qendër të qytetit të zgjeruar), Renensi gjithashtu strehon kompani të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare si Salt, Tesa, Siemens Zvicra, Alpiq Intec, etj., që kontribuojnë në mënyrë të madhe në zhvillimin ekonomik të qytetit.

Kush është Jeton Hoxha

Jeton Hoxha është me prejardhje nga komuna e Pejës në Kosovë, i rritur dhe i shkolluar në komunën Renens në Vaud të Zvicrës. Ai është njohës i mirë i dy kulturave, vendase dhe kulturës shqiptare. Është i diplomuar ne Universitetin UNIL Lausanne, drejtimi Ekonomi dhe Menaxhim dhe punon si përgjegjës në sigurimin social. Jetoni është i martuar dhe baba i 4 fëmijëve.

Është asamblist në komunën Renens që prej dhjetë vitesh, d.m.th. për 2 mandate. Po ashtu është i angazhuar me aktivitete të ndryshme të komunës si: delegat i komunave për Sigurimin në Lozanë Ouest (Police, Polouest); Pjesëtar i zyrës së parlamentit në Renens; Delegat i komunës për komisionin regjional e ndërkomunal CRI dhe delegat i komunës për organizimin regjional të mbrojtjes civile.