Shqipëria
Kaos në Gjykatën Kushtetuese, dy emra për një post
Presidenti Meta e bëri emërimin e anëtares së re në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij kushtetuta
Emërimi sot pasdite i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e fut në kaos procesin e krijimit të organit më të lartë ligjor në Shqipëri.
Presidenti Meta e bëri emërimin e anëtares së re në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij Kushtetuta. Presidenti e argumentoi vonesën me një nen tjetër, po të Kushtetutës, ku përcaktohet rendi i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij neni: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji” raporton VOA.
Por sipas shumicës socialiste, ky interpretim i presidentit nuk është i vlefshëm, pasi neni për rendin e emërimeve, sipas saj, lidhet me ripërtëritjen çdo tre vjet të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo të jetë krijuar. Shumica po ashtu argumenton se veprimi i presidentit për të pezulluar emërimin, në pritje të veprimit të Parlamentit, nuk është i bazuar në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Meqë presidenti nuk veproi deri më 7 nëntor, kur i skadoi afati 30 ditor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsideroi se Kreu i Shtetit nuk ushtroi kompetencën e tij, e për pasojë, siç përcakton ligji, automatikisht shpallet i emëruar kandidati i pari në listë, që ishte zonja Arta Vorpsi.
Pas veprimit të sotëm të presidentit, për të njëjtin vend të Gjykatës Kushtetuese tani janë dy anëtare, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari.
Emri i zonjës Vorpsi u shpall në Fletoren zyrtare, megjithatë ajo nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek presidenti Meta. Në bazë të vendimit të sotëm, presidenti Meta pritet të thërrasë për të bërë betimin zonjën Xhaferllari. Është ende e paqartë nëse emërimi i saj do të shpallet në Fletoren zyrtare apo jo, përcjell Albinfo.ch.
Në gjithë këtë kaos, duket se nuk ka rrugëdalje, përsa kohë Gjykata Kushtetuese, i vetmi organ mbi institucionet e tjera, është ende jashtë funksionit.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Lejla kërkon drejtësi për gjyshin: Dënimi i shkaktarit të vdekjes së tij, tepër i butë "Nuk kam fjalë kur një jetë njeriu e vlerësojnë me 800 franga". Lejla Halilaj dhe familjarët... -
Samiti IV i Diasporës Shqiptare – Diaspora rikthehet në shtëpi! -
Arrestohet kosovari, ka sulmuar një hebre në Cyrih -
Jehona Kicaj fiton Çmimin letrar të Shtëpisë Buddenbrook 2024/2025 -
Njoftim i rëndësishëm nga Ambasada e Kosovës në Itali
Jeta në Zvicër
-
Më shumë zviceranë jashtë vendit duan të votojnë në kantonin Aargau Në kantonin Aargau, gjithnjë e më shumë qytetarë zviceranë që jetojnë jashtë vendit po shprehin interes... -
Ndërpritet linja hekurudhore Bern–Thun, udhëtarëve u tregohen alternativa -
Komuna e Crans-Montana ndan 1 milion franga për viktimat e tragjedisë -
Valaisi rrit mbështetjen për familjet përballë rritjes së primeve të sigurimit shëndetësor -
Këto ishin makinat elektrike më të njohura në Zvicër në janar














