Sport

Kapiteni i Kosovës nga Zvicra beson në rezultate pozitive

"Jam shumë i kënaqur me punën që po bëhet në përfaqësuese. Mendoj që nëse përkushtohemi më shumë mund të arrijmë një nivel më të lartë. Besoj në ekipin që e kemi, mendoj se vetëm jemi duke ecur përpara”, ka thënë Dedaj

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll do të ketë tri ndeshje mjaft të vështira në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2019, shkruan albinfo.ch.

Kosova të premten përballet me Poloninë, të shtunën me Portugalinë, ndërsa të dielën me Qipron.

Kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj, i cili luan në Zvicër beson në rezultate pozitive.

“Ndaj Qipros pres fitore, ndërsa me Portugalinë dhe Poloninë mendoj që do të jenë ndeshje më të vështira, pasi të dy këto përfaqësuese janë më të përgatitura. Jam shumë i kënaqur me punën që po bëhet në përfaqësuese. Mendoj që nëse përkushtohemi më shumë mund të arrijmë një nivel më të lartë. Besoj në ekipin që e kemi, mendoj se vetëm jemi duke ecur përpara”, ka thënë Dedaj, njofton Federata e Hendbollit e Kosovës.

Ai është i bindur se të gjithë lojtarët do të luftojnë deri në fund në të gjitha tri ndeshet.

“Na presin ndeshje të vështira, por prapë se prapë ne jemi shqiptarë, nuk do të dorëzohemi lehtë. Do të luftojmë deri në fund për të arritur një rezultat sa më të mirë. Besoj në përfaqësuese”, ka shtuar Dedaj.