Lajme

Katër raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Shkon në gjashtë numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëriz pasi sot u konfirmuan edhe 4 raste të reja me COVID-19. Tre prej tyre në familjen e 2 rasteve të djeshme ku ishin atë e bir dhe një i katërt pa lidhje me ta, duke shtuar frikën e zgjerimit të hartës së infeksionit.

Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë zyrtare që sapo lëshoi informon se gjatë ditës së sotme janë testuar edhe 14 raste të dyshuara për COVID-19, tetë prej të cilëve persona të kontaktit të ngushtë me dy rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri në vendin tonë.

Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 2 rastet e para që u konfirman mbrëmjen e djeshme. Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore.

Aktualisht gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta.

Rasti tjetër i konfirmuar gjatë ditës së sotme, është një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1 ditor në vendin fqinj. Ai po trajtohet bashkë me 2 rastet e mbrëmshme, në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta.

Deri tani janë testuar 77 raste dhe numri i atyre që kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 është 6.

Duke vlerësuar punën e stafeve mjekësore në këto momente të vështira dhe garantuar gatishmërinë e shërbimit tonë shëndetësor sipas planit të hartuar mbi protokollin e OBSH-së, Ministria e Shëndetësisë fton qytetarët të ndjekin me kujdes rekomandimet zyrtare dhe të kujdesen posaçërisht për masat e higjienës personale. Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127, përcjell Albinfo.ch