Muzikë

Këtë fundjavë mbahet Albafestival 2022, organizatorët presin 20 mijë vizitorë

"Në fakt ka edhe disa bileta të mbetura. Nxitoni!" Kështu thotë në intervistën për albinfo.ch, kreu i Alba Festivalit, Adem Morina

Festivali më i madh nën qiell të hapur i muzikës shqiptare në Evropë, Alba Festival, do të mbahet sërish më 2 dhe 3 korrik (fundjavën që vjen). Pas dy vjetësh mungesë për shkak të pandemisë, ky spektakël sërish po tërheq mijëra dashamirës nga Zvicra dhe shtetet përreth të pop muzikës shqiptare.

Lajmi më i ri është se Komisioni Federal kundër Racizmit ka shpallur diskriminues vendimin që vitin e kaluar pati marrë Qeveria e Kantonit të Cyrihut për të anuluar lejen e dhënë më parë për mbajtjen e festivalit.

Komisioni në fjalë fajëson autoritetet e Cyrihut se kanë përdorur arsyetimin se “audienca e festivalit (shqiptarët dhe ballkanasit) bën pjesë ndër grupacionet më së paku të vaksinuara”, prandaj mbajtja e festivalit përbën rrezik për shëndetin publik. Me këtë qëndrim ato kanë bërë diskriminim të një popullate, duke u shërbyer me paragjykime.

Lidhur me këto dhe risitë që sjell spektakli i këtij viti, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me kreun e stafit organizativ të Alba Festivalit, Adem Morina.

Albinfo.ch: Pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë, këtë vit do të kemi sërish festivalin e muzikës shqiptare, Alba Festival. Pritet një spektakël edhe më i madh?

Adem Morina: Festivali Alba është në fakt festivali më i madh i pop muzikës shqiptare në Evropë dhe një spektakël i madh. Këtë vit do të kemi edhe rrotën e madhe (Riesenrad ose Ferris). Por fokusi është te muzika. Kemi një formacion sensacional. Me super yje si DJ Regard etj. Festivali do të zhvillohet përsëri në “djerrinën” të stadiumit Hardturm, në Harturmstrasse 269 në Cyrih.

Albinfo.ch: A ka interesim të madh edhe këtë vit për këtë festival?

Adem Morina: Po. Anulimi që u bë vitin e kaluar, i cili besojmë se ishte i pajustifikuar, çoi në një solidaritet të madh në komunitet. Tani, të gjithë duan të vijnë.

Albinfo.ch: A janë shitur të gjitha biletat VIP dhe biletat për kategoritë e tjera?

Adem Morina: Në fakt ka edhe disa bileta të mbetura. Nxitoni!

Albinfo.ch: Tradicionalisht, pjesëmarrës të festivalit janë shqiptarë nga e gjithë bota. Po a ka interes edhe nga kombësitë e tjera, për shembull, nga  zviceranët, austriakët, francezët etj.?

Adem Morina: Interesim të madh ka edhe në vendet fqinje. Ne jemi, thjesht, të mbingarkuar.

Albinfo.ch: Cilat yje të muzikës do të performojnë në këtë festival?

Adem Morina: Shikoni faqen e internetit.

Albinfo.ch:  Duke qenë se organizimi i këtij festivali kërkon shumë punë, nga sa njerëz përbëhet ekipi juaj për të realizuar këtë festival të madh?

Adem Morina: Wow – në fakt ka shumë njerëz të përfshirë. Është e vështirë për mua të jap një numër specifik. Por ka mbi 100.

Albinfo.ch: Përveç muzikës, çfarë do t’i shërbehet publikut në festivalin e sivjetmë (pije, ushqime)?

Adem Morina: Falë partnerëve tanë gastronomë, si, Disoni Restaurant, Tenz Momo, Napule, Vegascrepes, Suhsi 2 Go dhe JC Gourmet Hot Dogs, ne kemi një ofertë gastronomike shumë të gjerë – të nxehtë dhe të ftohtë, mish të pjekur në skarë, por edhe gatime vegjetariane. Dhe sigurisht akullore. Diçka për të gjithë.

Albinfo.ch: Sa popullor është Festivali Alba në Zvicër dhe sa njerëz priten në dy datat e festivalit?

Adem Morina: Ne presim 20,000 vizitorë.

Albinfo.ch: Sa do të kushtojë bileta e festivalit këtë vit dhe nga cila moshë lejohet hyrja?

Adem Morina: Ne lejojmë hyrjen vetëm për personat mbi moshën 18 vjeç. Dhe çmimet e biletave fillojnë nga 124,90 CHF.

Albinfo.ch: Në vitin 2021, kur gjithçka ishte gati, festivali u anulua për shkak të masave Covid. Tani pas një kohe kaq të gjatë, si e vlerësoni vendimin e autoriteteve zvicerane për anulim? Ishte i drejtë apo i gabuar?

Adem Morina: Nga këndvështrimi ynë, anulimi ishte i pajustifikuar. Megjithatë, duke qenë se procedurat përkatëse janë ende në vazhdim, nuk duam të komentojmë mbi to.

P.S. Morina nuk ka dhënë komente në lidhje me vendimin e Komisionit Federal kundër Racizmit, sipas të cilit anulimi i festivalit ishte diskriminues. Ai, ashtu sikurse edhe për mediat e tjera zvicerane, ka thënë se nuk mund të komentojë për sa kohë që procedura gjyqësore po vazhdon.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI