Tematike

Këto janë sanksionet që vendosi sot Zvicra ndaj Rusisë

Sanksionet financiare kundër presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit Mikhail Mishustin dhe ministrit të jashtëm Sergej Lavrov do të zbatohen me efekt të menjëhershëm

Në kushtet e ndërhyrjes ushtarake të vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, Këshilli Federal vendosi më 28 shkurt 2022 të miratojë paketat e sanksioneve të BE-së, të vendosura më 23 dhe 25 shkurt. Me këtë rast, katër nga shtatë ministrat federalë, kryesuar nga kryetari federal, Ignazio Cassis kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë sqaruar vendimin qeveritar

Në një komunikatë të lëshuar sot pasdite nga Qeveria Federale bëhet e ditur se cilat janë masat ose sanksionet që ka futur në fuqi Zvicra duke filluar nga sot.

Në këtë kuadër,  janë bllokuar me efekt të menjëhershëm pasuritë e individëve dhe shoqërive të listuara.

Zvicra rikonfirmon solidaritetin e saj me Ukrainën dhe popullin e saj; ajo shpërndan mallra ndihme për njerëzit që kanë ikur në Poloni.

Në mbledhjen e tij të jashtëzakonshme më 28 shkurt 2022, Këshilli Federal vendosi të miratojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe në këtë mënyrë të forcojë efektin e tyre. Këshilli Federal ka ngarkuar Departamentin Federal të Ekonomisë, Arsimit dhe Kërkimit (WBF) për të përshtatur urdhëresën e mëparshme bazuar në masat e BE-së, shkruan albinfo.ch. Zvicra zbaton sanksionet në koordinim me BE-në.

Këto masa kanë të bëjnë kryesisht me mallra dhe sanksione financiare. Pasuritë e individëve dhe kompanive të listuara në Aneksin e Urdhëresës bllokohen me efekt të menjëhershëm; hapja e marrëdhënieve të reja të biznesit vazhdon të mbetet e ndaluar.

Zvicra ka futur menjëherë në fuqi gjithashtu edhe sanksionet financiare të vendosura nga BE ndaj presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit Mikhail Mishustin dhe ministrit të Jashtëm Sergej Lavrov, shkraun albinfo.ch. Kjo është përgjigja e Zvicrës ndaj shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare për të cilat janë përgjegjës këta persona.

Ndalimi i importit, eksportit dhe investimeve në Krime dhe Sevastopol që ka qenë në fuqi që nga viti 2014 është shtrirë tani edhe në rajonet ukrainase: Donetsk dhe Luhansk, të cilat nuk janë më nën kontrollin e qeverisë ukrainase.

Kriteret për hyrje në Zvicër dhe mbyllja e hapësirës ajrore

Këshilli Federal ka vendosur gjithashtu të pezullojë pjesërisht marrëveshjen e lehtësimit të vizave të vitit 2009 për rusët. Po ashtu qeveria ka lëshuar ndalime të hyrjes për disa persona që kanë lidhje me Zvicrën dhe janë të afërt me Presidentin rus. Bazuar në Kushtetutën Federale (neni 184, paragrafi 3 BV dhe neni 185 BV), Këshilli Federal mund të miratojë masat e duhura për të mbrojtur interesat e vendit ose për të garantuar sigurinë e jashtme, pavarësinë dhe neutralitetin e Zvicrës.

Përveç kësaj, në përputhje me mbylljen e hapësirës ajrore në vendet e tjera evropiane, hapësira ajrore zvicerane do të mbyllet për të gjitha fluturimet nga Rusia dhe për të gjitha lëvizjet e fluturimit të avionëve me regjistrim rus nga e hëna, ora 15:00, me përjashtim të fluturimeve për humanitare, për qëllime mjekësore ose diplomatike.

Zvicra vazhdon të ofrojë shërbimet e saj të mira

Në vendimet e tij, Këshilli Federal ka marrë parasysh edhe neutralitetin e Zvicrës dhe aspektet e politikës paqësore. Ai ka konfirmuar gatishmërinë e Zvicrës për të kontribuar aktivisht në zgjidhjen e konfliktit përmes shërbimeve të saj të mira. Sulmi i paprecedentë ushtarak nga Rusia ndaj një vendi sovran evropian ishte faktori vendimtar për Këshillin Federal që të ndryshonte praktikën e mëparshme të sanksioneve, shkruan albinfo.ch. Mbrojtja e paqes dhe sigurisë dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar janë vlera që Zvicra, si një vend demokratik, i ndan dhe i mbështet me fqinjët e saj evropianë.

Ashtu si më parë, Zvicra do të shqyrtojë çdo paketë të mëtejshme sanksionesh nga BE-ja individualisht.

Furnizimet e ndihmave për popullsinë ukrainase

Zvicra aktualisht po dërgon rreth 25 tonelata ndihma me vlerë prej tetë milionë frangash zvicerane në kryeqytetin polak, Varshavë. Departamenti Federal i Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit (VBS) siguron mallra mjekësore dhe ilaçe të nevojshme urgjente nga rezervat e farmacisë së ushtrisë. Furnizimet me ndihma janë të destinuara për popullsinë ukrainase në Ukrainë dhe në vendet fqinje. Dorëzimi i ndihmës shoqërohet nga punonjës të Njësisë Zvicerane të Ndihmave Humanitare.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI