Sport

Gjergj Haxhiu

Pilot

Gjergj Haxhiu është piloti i parë shqiptar që synon të prekë pistat e Formulës 1. Vetëm 15- vjeçar ai është kampion i Zvicrës i Formulave për të rinj, ndërsa mban vendin e dytë në botë. Piloti shqiptar i Formulës 4 në helmetën e tij mban shqiponjën dhe simbolin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Shqiptarët në Zvicër çdo ditë e më shumë po tregojnë talentin e tyre në fusha të ndryshme, veçmas në ato sportive. Pas sukseseve të mëdha që të rinjtë tanë  po e shfaqin në fushën e futbollit, një talent tjetër po bën bujë me ngasjen e Formulave. Gjergj Haxhiu është emri më i përfolur në mediat zvicerane për sukseset e tij në Karting, (lloj garimi me Formula të vogla në pistë).  Haxhiu, i cili është i lindur në Zvicër, por me prejardhje nga Prishtina,  është shpallur disa herë kampion i Zvicrës në kategorinë 125 kubikë, ndërsa në vitin 2011 zuri vendin e dytë në kampionatin botëror. Për albinfo.ch djaloshi kosovar tregon për fillimet e tij në këtë sport.

“Ishim në një shëtitje me familje në një karting. Babai im e ngiste një veturë bashkë me shokët e tij dhe unë insistoja gjithashtu ta provoja. I kisha vetëm 6 vjet. Pas disa gjirove shumë shpejt kam shënuar suksese të mëdha për moshën time dhe duke parë rezultatet e mia, fillova të merrem më seriozisht me këtë sport”, kujton ai fillimet e para, ndërsa shton se babai i tij, Shkumbini, përveç se është përkrahësi i madh, njëherësh është edhe automekaniku personal. Gjergji tregon edhe për sukseset e tij në karrierë.

“Që nga viti 2007 e këndej jam thuajse në të gjitha garat kampion i Zvicrës i Formulave për të rinj. Viti 2011 ishte viti i sukseseve të mia më të mëdha. Mora pjesë në kampionatin ndërkombëtar “WSK Maister Series”, ku garonin pilotët më të zgjedhur të botës. Gara mbahej në Itali, ndërsa fitova dy gara të kampionatit dhe zura vendin e dytë në botë. Në të njëjtin vit mora pjesë në kampionatin nacional të Zvicrës dhe të Bridestone Cup, si dhe në garat e terura, ashtu edhe në ato të lagura me shi, fitova dy garat dhe zura vendin e parë, duke qenë i pamposhtur në Zvicër. Në vitin 2013 e mbroj sërish titullin në Zvicër dhe përfundoj garën në shkallën më të lartë. Ndërsa këtë vit vendosa që të vazhdoj rrugëtimin tim në Formula 4, duke qenë piloti më i ri i kësaj gare”, u shpreh ai për albinfo.ch.

Mban helmetë me shqiponjë

Ndonëse është i lindur dhe i rritur në Zvicër, 15-vjeçari Haxhiu nuk i harron rrënjët e tij shqiptare. Në helmetën e tij ai mban shqiponjën e flamurit dhe simbolet e Gjergj Kastritotit – Skenderbeu. “Nuk më vjen turp të tregoj për rrënjët e mia. Më kënaqësi i mbaj dhe do t’i mbaj gjithmonë këto simbole”, shprehet ai për gazetën tonë.
Si çdo pilot i ri, edhe Gjergji ëndrron Formulën 1. Por, për të arritur deri tek elita e këtij sporti atij i duhet të kalojë kategoritë e tjera, si Formula 3, GP3, GP2 e më pas Formula 1. “Tash jam ngasesës i Formulës 4, ndërsa garoj kundër pilotëve të moshave nga 16 – 20 vjeçar. Unë jam më i riu. Kam potencial të madh për të arritur dhe për të ecur përpara, por për këtë sport kërkohet buxhet i madh dhe duhet të kemi spozorë të ndryshëm. Synimet e mia natyrisht që janë të bëhem pilot i Formulës 1 dhe të garoj për titull bote”, thotë piloti shqiptar, i cili pëlqen shumë Luis Hamilton për shkak të stilit të tij dhe për shkak që nuk dorëzohet asnjëherë.

Edhe në shkollë kanë konsideratë për Gjergjin

Gjergj Haxhiu është nxënës i vitit të fundit të shkollës fillore. Edhe pse i angazhuar me gara sportive, ai mundohet që të mos i lërë anash mësimet dhe të këtë rezultate të suksesshme. “Të jesh pilot shpesh obligohesh t’ i lësh mësimet, megjithatë unë mundohem të jam sa më shumë i rregullt edhe në shkollë. Sa herë që më duhet të mungoj, e lajmëroj Drejtorin e shkollës, të cilin e falënderoj për konsideratën që ka ndaj meje”, shprehet Gjergji, duke treguar se të gjithë nxënësit dhe stafi i shkollës janë të gëzuar dhe të lumtur për suksesin e tij.

Arben Gjinaj

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriGjergj Haxhiu
  • Prejardhja:Zvicër
  • Vendi ku vepron:Bussigny, Vaud-Zvicër
  • Profesioni:Pilot
  • Kontakti www.gjergjhaxhiu.com

  WHO’S WHO të tjera