Lajme

KMSHZ: Imami i akuzuar nuk shërben në asnjë xhami shqiptare në Zvicër

"Personi në fjalë nuk është imam i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, nuk mban asnjë funksion fetar në strukturat tona dhe nuk shërben në asnjë xhami shqiptare në Zvicër. Çdo lidhje e tij me institucionet tona fetare është e pavërtetë dhe e pasaktë"

Pas lajmit të publikuar në mediat zvicerane për një imam të identifikuar prej tyre si “imam kosovar”, të cilin e ngarkojnë akuza të rënda penale, ka reaguar Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, duke përgënjeshtuar lajmin në fjalë.

Në vazhdim, albinfo.ch publikon tekstin integral të reagimit të KMSHZ:

Në lidhje me lajmet e publikuara së fundmi në disa media për nisjen e një procesi gjyqësor në Zvicër ndaj një personi të cilësuar si “imam shqiptar”, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ndjen obligim moral dhe institucional të sqarojë opinionin publik.

Dëshirojmë të theksojmë qartë se personi në fjalë nuk është imam i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, nuk mban asnjë funksion fetar në strukturat tona dhe nuk shërben në asnjë xhami shqiptare në Zvicër. Çdo lidhje e tij me institucionet tona fetare është e pavërtetë dhe e pasaktë.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër distancohet nga çdo veprim i kundërligjshëm dhe thekson se parimet tona fetare dhe institucionale janë të bazuara në ndershmëri, përgjegjësi morale dhe respektim të plotë të ligjit.

Ftojmë mediat që në raportimet e tyre të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi, në mënyrë që të mos krijohen keqkuptime apo dëmtohet padrejtësisht imazhi i komunitetit musliman shqiptar, i cili prej dekadash kontribuon pozitivisht në shoqërinë zvicerane.

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër

15.01.2026, Cyrih