Feja

Komuniteti shqiptar, me qëndrim të balancuar sa u përket shamive

Nazmi Jakurti nga Kuvendi Shqiptar: "Kjo temë te shqiptarët duhet të trajtohet si çështje ekskluzivisht individuale dhe të depolitizohet". Imami Fehim Dragusha: "Një vendim përparimtar për Zvicrën, sidomos pas ndalesës së minareve"

(e aktualizuar)

Vendimi i Gjykatës Federale përshëndetet edhe në Bashkësinë Islame Shqiptare të Zvicrës. Kryetari i saj, Mustafë Mehmeti, shprehet për albinfo.ch se kjo është një fitore e drejtësisë.

“Ne, bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër, përshëndesim vendimin e Gjykatës Federale për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla. Është një vendim që i gëzon pa masë besimtarët myslimanë”, thotë ai. “Por nëse flitet për fitues apo humbës, mendojmë se fituesi i vetëm nga ky vendim është drejtësia dhe liria dhe askush tjetër. Pra,ky vendim vetëm sa e intensifikon besimin e ndërsjellë mes kulturave,dhe njëkohësisht i motivon besimtarët myslimanë që të shpejtojnë në procesin e integrimit”, përfundon Mustafë Mehmeti, kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës, me seli në Bernë.

——

Nisur nga fakti se, siç merr vesh albinfo.ch, dy vajzat që janë bërë shkas për vendimin e Gjykatës Federale për lejimin e bartjes së shamive në shkolla, janë shqiptare nga Maqedonia redaksia ka marrë edhe mendimin e përfaqësuesve të fesë dhe atyre të komunitetit shqiptar në Zvicër lidhur me çështjen.

I pyetur nga albinfo.ch lidhur me rastin e lejimit të shamisë, Nazmi Jakurti, nënkryetar i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, mediator ndërkulturor dhe veprimtar i komunitetit shqiptar të Zvicrës thotë se nga këndvështrimi gjyqësor, vendimi ka peshën e vet të padiskutueshme dhe ai duhet të respektohet. Por, sipas Jakurtit, del pak më problematike çështja kur shikohet në kontekstin e keqpërdorimit të mundshëm të ndjenjave fetare në vendet ku jetojnë shqiptarët.

“Vetë vendimi i Gjykatës Federale të Zvicrës si instanca më e lartë në sistemin juridik zviceran e ka vërtetuar që kjo është një e drejtë njerëzore dhe ky vendim duhet respektuar. Në anën tjetër është e pamohueshme se qarqet ekstreme myslimane po manipulojnë me këtë çështje për qëllimet e tyre. Mendoj se shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe shqiptarët e Zvicrës në veçanti duhet të bëjnë gjithçka që kjo temë të trajtohet si çështje ekskluzivisht individuale dhe të depolitizohet”.

Imami i xhamisë shqiptare në St.Gallen, Fehim Dragusha, njëherësh sekretar në Unionin e Imamëve Shqiptarë të Zvicrës ka përshëndetur vendimin e sotëm të Gjykatës Federale të Zvicrës, e cila u ka dhënë të drejtën dy vajzave nga Maqedonia që të drejtën të vazhdojnë shkollimin pa u detyruar të heqin shamitë. “Ky është një vendim përparimtar për Zvicrën, sidomos pas 2009 –s me votimi e iniciativës në referendum kundër ndërtimit të minareve në Zvicër, ” tha imami Dragusha. Me këtë vendim të gjitha vajzave me mbulesë u hapen dyert për shkollim duke iu mundësuar të zgjedhin ndërmjet martesës së detyruar dhe karrierës.

Si imam kemi ndërmjetësuar në disa raste kur ka qenë në pyetje shkollimi apo bartja e shamisë. Ka familje që kanë pranuar të heqin dorë nga shamia që fëmijët e tyre të vazhdojnë shkollimin po ka edhe të tilla që nuk kanë pranuar fare. Ka raste që nuk janë proceduar në gjykata nga mosnjohja e gjuhës po edhe nga frika se mos po etiketohen si ekstremistë dhe do të largohen nga Zvicra. Shpresojmë që ky vendim do të sensibilizojë edhe institucionet e tjera zvicerane që t’u mundësohet grave me shamia punësimi.

Imami tregon për raste kur gratë pranohen në pastrim të objekteve por jo edhe në banka dhe institucione tjera. “Shpresoj që edhe gruaja ime do të pranohet në bankë edhe pse bart shami”, thotë imami Dragusha.