Lajme

Komuniteti shqiptaro-amerikan i angazhuar në çështjet e shëndetit mendor

Numri i personave me probleme të shëndetit mendor është rreth 57.8 milionë, ose rreth 22.8 për qind e amerikanëve të rritur. Ky fenomen ka filluar të ndjehet edhe tek komuniteti shqiptaro-amerikan. Gjatë dy viteve të fundit vërehet rritje e numrit të vetëvrasjeve dhe vdekjeve si pasojë e mbidozës.

Psikologet shqiptaro-amerikane në Miçigan, Juliana Pepaj dhe Entela Kaba, thonë se qëllimi i nismës është krijimi i një hapësire të sigurt, pa gjykime dhe frikë, ku komuniteti shqiptaro-amerikan mund të diskutojë hapur për problemet e shëndetit mendor, shkruan Zëri i Amerikës, përcjellë albinfo.ch.

“Kur flasim për shëndetin mendor jemi duke folur për personalitetin tuaj, për atë se kush jeni. Mënyra si menaxhoni stresin, merrni vendime dhe komunikoni me të tjerët varet nga shëndeti mendor. Në komunitetin tonë ka shumë frikë se dukeni si jo normal, nëse flisni hapur rreth kësaj teme. Është koha që të themi mjaft është mjaft”, thotë zonja Pepaj në një intervistë për Zërin e Amerikës, përcjellë albinfo.ch.

Dy terapistet, së bashku me ndihmësprokurorin në bashkinë e qytetit Oakland, Endrit Topalli, po organizojnë terapi në grup dhe takime private, kryesisht në institucionet kulturore dhe fetare të komunitetit shqiptaro-amerikan në Miçigan, shkruan Zëri i Amerikës, përcjellë albinfo.ch.

Kjo nismë erdhi pasi u evidentua rritja e numrit të vetëvrasjeve dhe vdekjeve si pasojë e mbidozës. “Personalisht kam familjarë që kanë kryer vetëvrasje. Po shohim fëmijë, të rinj 15 vjeçar e deri tek moshat më madhore 60 vjeçare, që po kryejnë vetëvrasje. Kjo është diçka që na bashkoi”, thotë terapistja Pepaj, për Zërin e Amerikës, përcjellë albinfo.ch.

Ata thonë që gjatë dy viteve të fundit kanë identifikuar mbi 50 raste të vdekjeve si pasojë e vetëvrasjeve, ose mbidozës, vetëm në komunitetet shqiptare në Miçigan dhe Nju Jork. “Ka një rritje të numrit të shqiptarëve që përfundojnë në sistemin e drejtësisë, që kanë probleme me substancat narkotike dhe me alkoolin. Pasi analizuam këtë fenomen, kuptuam se në të gjitha rastet një gjë është e përbashkët, shëndeti mendor. Këta njerëz po mundohen të gjejnë një rrugëzgjidhje në mënyrë private dhe individuale, gjë që nuk është rrugëzgjidhje”, thotë për Zërin e Amerikës, ndihmës-prokurori në bashkinë e Oaklandit, Endrit Topalli, përcjellë albinfo.ch.

Stresi dhe ankthi nga jeta e shpejtë në Amerikë, pandemia COVID-19, sulmet me armë nëpër shkolla dhe lufta në Ukrainë janë disa nga çështjet që rëndojnë shëndetin mendor thonë ekspertët që synojnë të ndërgjegjësojnë sidomos burrat shqiptarë, të cilët sipas tyre janë kategoria, që kujdeset më pak për shëndetin mendor. “Mashkulli tipik shqiptar, siç e dimë, është portreti i burrit të fortë, që ka luftuar, që ka mbrojtur vatanin, nderin dhe njerëzit e kombit. Por nuk të bën më pak burrë, fakti që ti këshillohesh me një terapist, ose një psikolog”, thotë ndihmësprokurori Topalli për Zërin e Amerikës, përcjellë albinfo.ch.

 

“Ne duam të kapim edhe pjesën e prindërve vetë, sepse ata kanë nevojë. Të prekim sidomos pjesën mashkullore shqiptare, sepse burrat në përgjithësi, sidomos me kulturën që kemi, nuk pranojnë të shkojnë për ndihmë”, thotë terapistja Kaba.

Topalli thotë se refuzimi i burrave që të flasin mbi çrregullimet e shëndetit mendor, po çon drejt fenomeneve të tjera, që kërcënojnë shoqërinë shqiptare. “Ai shkon në familje dhe ushtron dhunë, qoftë tek bashkëshortja, qoftë tek fëmijët. Pra kemi një fenomen tjetër, të të dhunës në familje. Dhuna në familje është një sjellje e mësuar, themi ne. Nëse fëmija sheh prindin duke rrahur prindin tjetër, do të rritet me atë kulturë, duke thënë se babai im e ka bërë këtë gjë dhe se është në rregull ta bësh këtë gjë”, thotë ai, përcjellë albinfo.ch. Tutje shtohet se prindërit duke u kujdesur për vetën, ndihmojnë edhe fëmijët, shkruan Zëri i Amerikës.

Gati 1 miliardë njerëz në botë vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor. Depresioni dhe ankthi janë format më të përhapurat.

Raporti thekson se një në çdo 100 vdekje është si pasojë e vetëvrasjes. Në përgjithësi në botë, çdo vit regjistrohen mbi 700 mijë raste të vetëvrasjeve.