Ekonomi

Kosova bën pjesë në zonat me aktivitet të lartë sizmik

Dhjetëra herë u lëkund Shqipëria nga dridhjet e forta të tokës mes datave 21 dhe 22 të muajit të kaluar.

Njëri prej tyre ishte i magnitudës 5.8 ballë të shkallës Rihter, më i forti në tri dekadat e fundit në vendin fqinj. Afër 100 persona u lënduan dhe u dëmtuan jo pak ndërtesa e pallate.

Ky bilanc aktualizoi edhe në vendin tonë çështjen e tërmeteve dhe shqetësimin e kahershëm: Sa është e rrezikuar Kosova nga tërmetet, sa janë të sigurta objektet nga to? Nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës i kanë thënë gazetës “Zëri” se Kosova bën pjesë në zonat me aktivitet sizmik të lartë.

Sipas hartës së rrezikut sizmik, Kosova në të ardhmen e afërt nuk ka rrezik që të përballet me dridhje të tokës, kurse vetëm në 50 vjetët e ardhshëm mund të goditet nga një i tillë me magnitudë 6 ballë të shkallës Rihter dhe vetëm në 100 – 150 vjetët e ardhshëm ai mund të jetë vdekjeprurës, të arrijë në 6.5 ballë.

“Territori i Kosovës në aspektin sizmo-tektonik përfaqëson një terren aktiv. Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik relativisht të lartë. Duke u bazuar në hartën e rrezikut sizmik për Kosovë, që jep disa të dhëna për tërmetet për periudha kthyese, në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike. Sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese në 50 vjet mund të ndodhë një tërmet me magnitudë deri 6.0 shkallë te Rihterit. Kurse për një periudhë kthyese 100 – 150 vjet mund të ndodhë një tërmet me magnitudë deri 6.1-6.5 shkallë te Rihterit, kështu që në këtë fuqi të këtij lloji të tërmetit e quajmë si tërmet i fuqishëm”, thuhet në përgjigjen e tyre për “Zërin”.

Sipas këtij institucioni, efekti i tërmetit në objekt dhe mënyra se si reagon objekti nën ndikimin e forcës sizmike varen nga themeli, trualli e faktorë të tjerë.

“Dallimi në mes të objekteve në aspektin sizmik ka rëndësi shumë. Efekti i tërmetit në objekte dhe mënyra se si reagojnë objektet nën veprimin e forcës sizmike varen nga shumë faktorë: Zona sizmogjene, trualli se ku ndërtohet, themelet e përshtatshme, natyra e lëkundjeve të tokës, lartësia e objektit, konfiguracioni i objektit, vjetërsia e objektit, sistemi strukturor mbajtës, materialet e përdorura, mënyra e ndërtimit, thjeshtësia strukturore, uniformiteti, simetria, rezistenca, ngurtësia sipas të dy drejtimeve, rezistenca dhe ngurtësia përdredhëse”, thuhet në përgjigje për “Zërin”.

Shërbimi Gjeologjik për institucionet rekomandon që të bëjnë studime gjeologo-inxhinierike për çdo objekt, konkretisht për të parë në çfarë trualli do të ndërtohet.

Të nevojshme i shohin edhe studimet inxhinieriko-sizmologjike që japin parametrat që duhet të kihen parasysh në projektin antisizmik e tek kur të kryhen këto, ky institucion rekomandon të fillojë ndërtimi.

Ndërkohë për popullatën civile rekomandohet të kenë rezerva të ujit e të ushqimit për 2-3 ditë, së bashku me ndriçim dhe broshura që rekomandojnë se si të mbrohen.

Po ashtu e nevojshme, thonë ata, është të mos bëhet panik. Të mos rrihet afër objekteve të varura në mure, zjarreve e ashensorëve. Largimi rekomandohet të bëhet kur të qetësohet situata e kthimi tek kur të vlerësohet se nuk ka rrezik.