Kosova

Kosova dhe Serbia takohen sot në Bruksel për dialogun e ndërmjetësuar nga BE

Kryenegociatorët diskutojnë nisjen e Komisionit për të pagjeturit, ndërsa tensionet politike mbeten pengesë për progres të prekshëm

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, transmeton albinfo.ch.

Zyrtarët nuk kanë dhënë hollësi mbi temat e plota të diskutimit, por pritet që fokus kryesor të jetë nisja e punës së Komisionit të përbashkët për të pagjeturit. Çështjet e tjera që mund të diskutohen varen nga planet e të dërguarit të posaçëm për dialog, Peter Sorensen, si dhe nga gatishmëria e palëve për të trajtuar këto tema.

Takimet zakonisht zhvillohen fillimisht në mënyrë të ndarë me lehtësuesin e BE-së, ndërsa më pas, nëse palët arrijnë dakordësi, mbahet edhe sesioni i përbashkët trepalësh. Kjo strukturë pritet të ndiqet edhe sot. Takimet shërbejnë gjithashtu për t’i dhënë sinjale BE-së dhe opinionit publik se dialogu po vazhdon, edhe pse deri më tani nuk ka pasur progres të prekshëm.

Nga pala serbe, mediat kanë raportuar se pritet të kërkohet formimi urgjent i Asociacionit të Komunave Serbe dhe të tërhiqet vërejtja mbi atë që ata e quajnë “presion ndaj Serbëve në Kosovë”. Bashkimi Evropian ka konfirmuar për KOHËN se takimi po mbahet sot, me Peter Sorensen në rolin e udhëheqësit të dialogut.

Së shpejti do të shënohen tre vjet nga njoftimi i BE-së për arritjen e “Marrëveshjes së Brukselit” apo “Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”. Megjithatë, implementimi i saj ka qenë minimal. Marrëveshja nuk u nënshkrua nga Serbia, por BE-ja ka insistuar gjithmonë se zbatimi i saj është obligim ligjor i palëve.

Peter Sorensen u emërua lehtësues i dialogut para një viti dhe së fundmi mandati i tij u zgjat për të paktën dy vjet. Ai pasoi Miroslav Lajçak nga Sllovakia. Bashkimi Evropian fajëson mungesën e progresit te palët dhe mungesën e gatishmërisë për të zbatuar detyrimet nga dialogu, ndërsa si pengesa përmenden kriza politike në Kosovë dhe situata e tensionuar politike në Serbi gjatë vitit të kaluar. /Albinfo.ch