Lajme

Kosova fton UEFA-n të largojë Serbinë nga ndërhyrjet në futboll

Ngjashëm me Kushtetutën e Serbisë, ku në preambulën e saj Kosova paraqitet si pjesë e këtij shteti, edhe Federata e Futbollit të Serbisë pretendon se ka shtrirje në territorin e Kosovës.

Nisur nga ky parim, Federata e Futbollit të Serbisë organizon edhe gara sportive (futbolli) në territorin e Kosovës, kurse ekipi i Trepçës merr pjesë në ligën e tretë të kampionatit të futbollit të Serbisë.

Një veprim i tillë i Federatës serbe, nga autoritetet në Kosovë po konsiderohet si shkelje e rëndë, ngase Kosova tashmë është pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, të cilat e njohin vetëm Federatën e Futbollit të Kosovës si autoritet që mund të organizojë gara dhe kampionate futbolli në Kosovë.

Së fundi, Federata e Futbollit të Kosovës thotë se ka marrë premtime nga Unioni i Federatës së Futbollit të Evropës (UEFA) dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë se do ta zgjidhin problemin që ka të bëjë me përfshirjen e klubit Trepça nga Mitrovica e Veriut në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë si dhe ndërhyrjet e tjera të Federatës së Futbollit të Serbisë në Kosovë.

Federata e Futbollit të Serbisë ka organizuar disa ndeshje futbolli në territorin e Kosovës.

Këto veprime kanë bërë që Federata e Futbollit e Kosovës t’u shkruajë një letër UEFA-s dhe FIFA-s (Federata Ndërkombëtare e Futbollit), për të shprehur kundërshtimin e Kosovës ndaj ndërhyrjeve të Federatës së Serbisë në organizimin e garave brenda territorit të Kosovës.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se për të mos lejuar diçka të tillë, Federata ka reaguar në instancat përkatëse si në Kosovë, po ashtu edhe jashtë saj.

 

Kujtim Gashi, ministër në dorëheqje i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, se ministria edhe institucionet e Kosovës janë duke i ndaluar aktivitet ilegale sportive që të mos ndodhin. Ai tha se Kosova dhe institucionet e saj janë të hapura për komunikim dhe bashkëpunime sportive me të gjitha shtetet, por kjo siç tha ai, duhet të ndodhë në mënyrë zyrtare.

 

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ua ka dërguar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, një letër në lidhje me përfshirjen e siç thuhet, “të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut”, në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë si dhe kërkesën për ndërhyrjen e këtyre dy institucioneve për ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.

 

Më 2016, Kosova u bë anëtare, me të drejta të plota, e UEFA-s dhe FIFA-s. Liga e Kosovës në Futboll tashmë njihet si një nga ligat evropiane, çka ka mundësuar që ekipet nga Kosova të garojnë për garat evropiane në kuadër të Ligës së kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Ndërkaq në nivel shteti, kombëtarja e Kosovës në futboll, është pjesë e Grupit A, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, “EURO 2020”, ku garon me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi./indeksonline