Lajme
Kosova po e kremton 5-vjetorin e pavarësisë
Obelisku që simbolizoi shpalljen e pavarësisë është zbukuruar me flamujt e 98 shteteve që kanë njohur Kosovën. Flamujt e Kosovës shihen kudo. Pavarësia po ndjehet në çdo shtëpi
Qytetarët e Kosovës e kanë nisur tashmë festën e ditëlindjes së pestë të pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë. Flamuj të Kosovës, flamuj kombëtarë si dhe të shteteve që kanë ndihura pavarësinë, SHBA-së, BE-së, shihen kudo nëpër sheshet, bulevardet rrugët, por edhe nëpër shtëpitë e qytetarëve të Kosovës.
Ajo që të bie në sy në qendër të Prishtinës, është ngjyrosja e obeliskut të pavarësisë “New Born”. Ky simbol që kishte marrë edhe shumë çmime ndërkombëtare, po ngjyroset me flamujt e 98 shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa për ditën e sotme janë parashikuar një varg aktivitetesh, përfshirë parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.
Ky parakalim do të jetë i veçantë, sepse për të parën herë forcat e mbrojtjes parakalojnë edhe me autoblinda.
Në orët e paditjes, ndërkaq do të mbahet një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, ku janë ftuar të marrin pjesë rreth 140 mysafirë, nga shtetet fqinje, por edhe diplomatë ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë.
“Për shkak se hapësira jonë është e kufizuar, morëm vendim që në sallën e deputetëve të lejohet mundësia që deputetët nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga Mali i Zi të ulen në pjesën e sallës ku ulen deputetët. Pra të krijojmë hapësirë sa më shumë që të mundemi, sepse atë ditë do të kemi mysafirë”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.
Përveç në kryeqytet, edhe nëpër komunat e Kosovës janë organizuar shumë aktivitete kulturore, ekspozita dhe koncerte për nder të këtij viti jubilar.
Një ditë më parë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë zhvilluar një varg aktivitetesh, vizita, homazhe dhe takime.
Presidentja Atifete Jahjaga organizoi pritjen për pavarësinë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve kosovare, por edhe atyre ndërkombëtare. Ajo në fund nderoi dhjetëra personalitete për kontribut dhe heroizëm në bërjen e Kosovës, shtet të pavarur dhe demokratik.
Në këtë përvjetor të pestë të pavarësisë, qëndrojmë bashkë, të vendosur dhe krenarë, të palëkundur dhe të përkushtuar për Kosovën, këtë vend për të cilin sakrifikuan gjenerata të tëra, për atdheun tonë tashmë shtet të konsoliduar, që ka zënë vendin e merituar në mesin e popujve të lirë, si pjesë e pandashme e botës demokratike.
“Para pesë vitesh, vërshuam rrugët me flamuj në duar, të ngazëllyer dhe përplot shpresë për të ardhmen, zot të së cilës për herë të parë po bëheshim vet ne. Ishte ditë të cilën e ëndërruam gjatë. Ditë të cilës ne, dhe shumë të tjerë para nesh, ia kishin kushtuar një jetë të tërë”, tha Jahjaga duke kujtuar 17 shkurtin e vitit 2008.
Më 17 shkurt të vitit 2008, me aktin e pavarësisë, sipas saj, kosovarët dëshmuan se janë në anën e drejtë të historisë.
“Në këtë rrugëtim ne nuk ishim vetëm. Pranë kishim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin dhe mikun tonë të përjetshëm, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, shtetet e Bashkimit Evropian, Shqipërinë dhe shtetet e tjera, të cilat përkrahën përpjekjet tona për t’u bërë zot të fatit tonë”, tha presidentja.
Republika e Kosovës, sipas saj, është realitet i pamohueshëm. “Pavarësia është proces i pakthyeshëm. Vullnet i realizuar i qytetarëve të saj. Një tërësi tokësore e pandashme dhe e garantuar ndërkombëtarisht. Republika e Kosovës është shtet i të gjithë atyre që jetojnë në kufijtë e saj, pa dallim”, tha ajo.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili e lexoi Deklaratën e Pavarësisë pesë vjet më parë në Kuvendin e Kosovë, beson se ky shtet është një tregim i suksesit, por ende jo edhe i mrekullive, sidomos nga rrafshi i zhvillimit ekonomik.
“Pavarësia e Kosovës ka sjell konsolidimin dhe forcimin e saj, ka rritur e fuqizuar subjektivitetin e saj në arenën ndërkombëtare. Kemi rritur në masë të theksuar mirëqenien sociale të qytetarëve, por nuk i ka sjell mrekullinë ekonomike”, ka thënë ai.
Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës kanë pranuar po ashtu shumë mesazhe urime nga të gjithë përfaqësuesit e shteteve që kanë njohur Kosovës, përfshirë këtu presidentin Obama, kryeministrin Kameron, presidenti Napolitano, kryeministri Erdogan, etj.
Pavarësia e Kosovës u shpall pesë vjet më parë nga deputetët e kuvendi të Kosovës. Pavarësia pasoi një varg negociatash të mundimshme në Vjenë, ndërmjet dy palëve Prishtinës dhe Beogradit, të drejtuara nga ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisari. Si përfaqësues i OKB-së, ky i fundit rekomandoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Pavarësia u shpall nëntë vjet pas përfundimit të luftës ndërmjet ish-guerilëve të UÇK-së dhe forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake të ish-diktatorit Slobodan Millosheviq. Përfundimi i luftës në Kosovë u mundësua pas një fushate ajrore të NATO-s mbi Serbi.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nata e dytë e Tri Net Film Fest Mbrëmja ritheksoi nevojën për përgjegjësi kolektive ndaj kulturës dhe pjesëmarrjes aktive të publikut... -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit -
Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora -
Berlin
Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar -
Nju-Jork
Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva i përmbahet politikës së përjashtimit nga shkollat Qeveria e Gjenevës po refuzon të heqë dorë nga vendimi i saj për të përjashtuar fëmijët... -
A mund të ndahet Cyrihu në dy kantone? -
Qeveria do të përshtatë rregullat e hyrjes për individë të caktuar që vijnë nga vende të treta -
“Jo një Zvicre 10 milionëshe”, nëse iniciativa do të votohej tani, ajo do të miratohej -
UBS mund të shkurtrojë deri në 10,000 vende pune deri në vitin 2027









