Lajme

Kosovë: Arritja e vaksinës anti-Covid është çështje ditësh

Çështje ditësh e ka cilësuar ardhjen e vaksinave anti-Covid nga Shqipëria Ministria e Shëndetësisë në Kosovë. Në një përgjigje të shkurtër nga kjo ministri kanë thënë se janë në kontakt me autoritetet qeveritare në Shqipëri, porse ende nuk e dinë se sa doza do të arrijnë.

“E përcakton donatori, në këtë rast Qeveria e Shqipërisë, por pritet të jetë një sasi simbolike”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MSh-së.

Por ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk ka pranuar të flasë shumë për vaksinat gjatë të enjtes, duke thënë se asnjë qytetar nuk do të mbesë pa vaksina dhe se Kosova është në hapa shumë të mirë për këtë.

“Unë mund t’ju siguroj që ne do të vaksinojmë të gjithë qytetarët dhe në afatin më të shkurtër kohor, në cilësinë më të madhe të garantuar, ashtu siç e kanë vendet perëndimore. Nëse ka tendenca që të politizohet vaksinimi, unë ju kisha lutur që të kursehemi”, ka thënë ai.

Zemaj tutje ka folur edhe për strategjinë e vaksinimit që kanë përgatitur.

“Ne e kemi planin dhe dinamikën tonë, kemi hartuar strategjinë e imunizimit dhe shpërndarjes së tyre, jemi në hapa shumë të mirë konkretë të sigurimit dhe të shpërndarjes së tyre”, është shprehur Zemaj.

KOHA ka pyetur edhe Ministrinë e shtetit shqiptar, por ata nuk janë përgjigjur që nga e marta.

Zemaj nuk është përgjigjur as rreth marrëveshjes me “Pfizer”-in dhe për vaksinat që do të vijnë nga Austria, duke thënë se janë marrëveshje konfidenciale, përcjell Albinfo.ch.

Të gjitha përgatitjet për fillimin e vaksinimit në Kosovë, sipas Isme Humollit, drejtuese e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, tashmë janë në përfundim.

“Kosova nuk është vonë me procesin e vaksinimit pasi që do të shkojmë në formë goditëse në një numër të lartë të të vaksinuarve dhe, sipas marrëveshjes, një kohë do të vijojnë një sasi prej 13 mijë dozave dhe pas dy javësh 13 mijë të tjera”, është shprehur ajo.

Humolli ka treguar se për Kosovën nuk do të jetë problem sjellja e vaksinave.

“Kosova veç tash ka 7 apo 8 frigoriferë, të cilët kanë kapacitete të mjaftueshme, do të shpërndahen edhe në qendra rajonale”, ka shtuar ajo, duke thënë se janë në pritje edhe të sjelljes së vaksinave nga mekanizmi COVAX.

Megjithatë, derisa Kosova të fillojë vaksinimin, përfaqësuesit e institucioneve kanë bërë thirrje për respektim të masave e të rekomandimeve kundër COVID-19.

E ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar lehtësim të masave në ditët në vazhdim, duke mos treguar nëse do të zgjatet orari i kufizimit të lëvizjes. Ai ka kërkuar nga partitë politike që të kenë kujdes me tubimet që po organizojnë në prag të fushatës zgjedhore.