Lajme

Kosovë: Rrjetet sociale mbushen me profile të kandidatëve për zgjedhje

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt, është parë një trend i ri i hapjes së llogarive apo profileve të reja në rrjetet sociale apo të ngjashme me ato ekzistuese të kandidatëve në garën për kryeministër nga subjektet e ndryshme politike në Kosovë, vlerësojnë njohësit e rrjeteve sociale Dardan Hasku dhe Shkëlzen Osmani, shkruan Rel, përckell Albinfo.ch.

“Albin Kurti kryeministër”, “Enver Hoxhaj Kryeministër”, “Vjosa Osmani Presidente”, “Ramush Haradinaj President” dhe të ngjashme, janë disa nga llogaritë që rishtazi janë shfaqur në rrjetin social Facebook.

Llogari të ngjashme janë hapur edhe në emër të partive të caktuara apo grupeve që thirren se janë pasuese të partive të caktuara politike. Qasja në shumicën prej tyre është publike, ndërkaq ka edhe grupe private, në të cilat për të pasur qasje kërkohet bashkimi në grup.

Hasku: Llogaritë për fushat jozyrtare

Dardan Hasku, menaxher i rrjeteve sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se hapja e profileve, llogarive në rrjetet sociale dhe e faqeve të internetit, përgjithësisht, është normale.

Megjithatë, siç thotë ai, krijimi i llogarive jozyrtare dhe e grupeve të caktuara brenda rrjeteve sociale, mund të jetë edhe pjesë e fushatës së partive politike, për t’iu adresuar publikut, si dhe për të depërtuar te masa.

Llogaritë e tilla, sipas tij, përdoren në dy mënyra. Së pari, ato mund të hapen spontanisht nga njerëz të caktuar, kur krijohen tematika për individë apo parti të caktuara dhe përpiqen që t’i shfrytëzojnë ato që të përftojnë numër të madh të pëlqimeve. Më pas, siç thotë Hasku, provojnë që t’i shesin ato faqe dhe t’ua ndryshojnë emrin. Së dyti, llogaritë e tilla shfrytëzohen si mjet propagande, por në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe nuk bëhet asnjëherë e ditur se ato eventualisht mund të jenë të menaxhuara nga struktura të ndryshme të partisë apo të kandidatit të tyre për kryministër apo deputet.

“Por, përtej kësaj, faqet e ndryshme jozyrtare që hapen e kanë shumë më të lehtë aty që të bëjnë sulme ndaj të tjerëve ose propagandë dhe të tjera. Në momentin e parë që një media apo kushdo qoftë, një qytetar i zakonshëm, mund të ndjehet i irrituar prej atij sulmi apo atij postimi, që është diçka që nuk preferohet të bëhet ose të jetë pjesë zyrtare e fushatës, ata thjesht mund të distancohen dhe të thonë ‘kjo nuk është faqe zyrtare, nuk e dimë kush e ka hapur’. Pra, ende nuk ka një transparencë të plotë që të tregohet se kush qëndron prapa faqeve të ndryshme. E vetmja informatë që na ofron Facebooku është që i tregon sa admistratorë janë dhe shtete prej nga janë, por nuk i tregon emrat”, theksoi Hasku.

Osmani: Mediat “e dyshimta” me lajme të rreme

Shkëlzen Osmani, drejtues i platformës për luftën kundër dezinformatës “Hibrid.info”, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë shpjegon që shumica e llogarive të reja të hapura në emrat e kandidatëve për kryeministër apo grupeve që pasojnë partitë politike, jo rrallë shpërndajnë lajme të njëjta me ato që janë zyrtare. Mirëpo, në raste të caktuara, sipas tij, shpërndajnë edhe lajme të rreme.

Ndikimi i këtyre llogarive dhe profileve në rrjetet sociale, sipas tij, është i madh, për shkak se ato publikojnë edhe sensacione dhe tituj tendenciozë, si karrem për të tërhequr numër të madh lexuesish.

Osmani thotë se problem tjetër shtesë është krijimi i llogarive në rrjete sociale të mediave të ashtuquajtura “të dyshimta”, në formë platformash apo siç njihen në publik, si portale.

“Pra, këto media të dyshimta krijojnë llogari, shpërndajnë lajme të rreme, me tendencë apo pa tendencë, për ta dëmtuar palën e caktuar. Pra, shumica prej tyre kanë qëllim vetëm përfitimet përmes këtyre shpërndarjeve. Mirëpo janë edhe disa media tjera që përcjellin agjendë politike, qoftë të zhvillimeve të brendshme politike apo edhe ato të jashtme. Mund të themi që një pjesë e tyre përcjellin edhe agjenda diplomatike të faktorëve të jashtëm politikë të Kosovës. Por, një pjesë e tyre janë ato që përcjellin agjenda politike të faktorëve të brendshëm, kryesisht në periudhën parazgjedhore”, tha Osmani.

Gjuha e urrejtjes dhe pasojat përtej rrjeteve sociale

Të dy këta njohës të rrjeteve sociale, vlerësojnë se publikimet që bëhen përmes llogarive të hapura në emër të kandidatëve për kryeministër të vendit, të partive politike dhe grupeve që pasojnë ato, por edhe në mediat e ashtuquajtura të dyshimta, shpeshherë pëmbajnë gjuhë të urrejtjes.

Kjo, sipas Dardan Haskut, mund të jetë mollë sherri e përplasjeve edhe jashtë rrjeteve sociale.

“Pikërisht një posim që i nxitë njerzit që të komentojnë ose që të kenë përplasje, mund të ngjallë komente të ndryshme ku njerëzit edhe përplasen. Pastaj, prej komenteve, po aludoj që mund të ketë raste që e gjithë kjo të kalojë edhe përtej rrjeteve sociale, në jetë reale, me rrahje apo kërcënime. Tashmë kërcënimet në rrjetet sociale janë bërë shumë normale. Për çdo ditë ka raste të shumta që raportohen dhe që ndodhin. Nuk është se kam informatë për ndonjë statistikë, por jam shumë i sigurt që shumë prej këtyre rasteve kalojnë edhe ne rrahje dhe të ngjashme”, u shpreh Hasku për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, duke pasur parasysh anonimitetin përballë publikut të atyre që menaxhojnë llogaritë e caktuara dhe mediat e dyshimta në rrjetet sociale, sipas Osmanit, publiku vetëm mund të aludojë se kush mund të jenë nxitësit e debateve me gjuhë të urrejtjes.

“Nuk e di nëse mund të jenë politikanë apo dikush që avokon në atë drejtim, qoftë persona që janë të ndërlidhur me politikën apo dikush tjetër që e bën kryekëput vetëm për përfitime materiale. Mirëpo, është fenomen shumë i rëndësishëm përdorimi i gjuhës së urrejtjes në mes të palëve, në mes të përkrahësve të partive të ndryshme. Organet kompetente duhet të merren seriozisht me këtë fenomen sepse është fenomen shoqëror që po ndodh, jo vetëm në vendin tonë, por kryesisht në vendin tonë, me qëllim të dallimeve në mes të partive politike”, vlerësoi Osmani.

Zyrtarët qeveritarë për siguri kibernetike nuk kanë të qasshëm për të marrë përgjigje nëse kanë inicuar adresimin e shqetësimeve lidhur me gjuhën e urrejtjes nëpër rrjetet sociale dhe mediat e ashtuquajtura të dyshimta.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Siç ka thënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë politike do të kenë dhjetë ditë në dispozicion për të bërë fushatë, nga data 3 deri më 12 shkurt.

Megjithatë, partitë politike tashmë kanë nisur jozyrtarisht fushatat e tyre me tubime me aktivistët dhe pasuesit e tyre, ndërkohë që edhe në mediat vendore debatet parazgjedhore ndërmjet përfaqësuesve të partive politike, tashmë kanë nisur.