Kosova

Kosovë: Shënohet 30-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të Kosovës

Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës

Sot janë bërë 30 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të Federatës së atëhershme Jugosllave.

Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave, përcjell albinfo.ch.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është moment i paharrueshëm politik dhe historik.

“Si akt politiko-juridik ishte shprehje e vullnetit dhe aspiratave të popullit tonë për liri, demokraci dhe pavarësi, të cilat i institucionalizuam pas një procesi të gjatë me shumë sakrifica. Mirënjohje të gjithë atyre që pandalshëm punuan për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e 30-vjetorit të Deklaratës së 2 korrikut 1990 ka uruar qytetarët e vendit, si dhe delegatët e Kuvendit të 2 Korrikut 1990 për miratimin e Deklaratës Kushtetuese.

“Urime 30-vjetori i Deklaratës së 2 Korrikut! Sot i urova delegatët e Kuvendit të 2 Korrikut 1990 për miratimin e Deklaratës Kushtetuese, me të cilën Kosova shpallej njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Miratimi i kësaj deklarate ishte pa dyshim një akt themeltar, me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Deklarata e 2 korrikut 1990 shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe i hapi rrugë shkëputjes së Kosovës nga regjimi serb, dhe hapi rrugën e synimeve të popullit tonë për të drejtën natyrale për krijim të shtetit tonë.

“Deklarata e 2 korrikut të vitit 1990 shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës. Ajo i hapi rrugë shkëputjes së Kosovës nga regjimi serb, dhe hapi rrugën e synimeve të popullit të Kosovës për liri, barazi e më së shumti për të drejtën natyrale për krijim të shtetit tonë. Pas tre dekadash u jemi mirënjohës delegatëve të kohës për guximin dhe vendosmërinë që edhe në ato kohë të vështira me tytat e automatikut serb mbi krye, nuk u ndalen së kërkuari lirinë, e pavarësinë e vendit tonë. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1999, është gur-themel i shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, andaj duhet ta kujtojmë përherë si faqe të ndritur për shtetin tonë”, ka thënë Mustafa.

Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese Filatelia e Kosovës nga sot emeton emisionin e ri të pullës postare të titulluar “30-vjetori i Deklaratës Kushtetuese”.

Përmes kësaj pulle postare Filatelia e Kosovës thotë se nderohet guximi i delegatëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët në kushte jashtëzakonisht të vështira okupimi, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të ish-Federatës Jugosllave.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, pas dy muajsh, më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë”, thuhet në komunikatën e Filatelisë së Kosovës.