Jeta në Austri

Krumau am Kamp, nikoqir i mbi 70 shqiptarëve

Krumau am Kamp, një nga zonat më të bukura malore në Austrinë e Ultë, në qershor ishte nikoqir i mbi 70 shqiptarëve. Mbi 30 tenda ishin ngritur në hapësirën buzë liqenit për t’i kaluar 4 ditë e tri net të paharruara. Gjatë këtyre ditëve të këtij kampingu, gjithçka frymonte shqip

Vetura të shumta me të rinj dhe familjarë shqiptarë por edhe miq austriakë ishin nisur nga vende të ndryshme të Austrisë, të enjten e 11 qershorit drejt fshatit Krumau am Kamp. Komuna e vogël me 800 banorë e cila bën pjesë në Bashkinë e Kremsit, gjendet afërsisht 100 kilometra larg Vjenës. Nga data 11 -14 qershor, ky vend piktoresk mirëpriti mbi 70 shqiptarë.

Ndonëse për disa nuk ishte hera e parë që bënin kamping, të tjerëve iu desh të mobilizoheshin deri në detaje për të mos munguar asgjë sa i përket strehimit por edhe ushqimit. Përveç me tenda, secili ishte pajisur me veshjet e gjumit për ambient të hapur, me llamba kampingu për natë, frigoriferë të vegjël, ushqim e pije të llojllojshme.

Rreth orës 10:00 të paradites arritëm në Krumau. Sapo zbret nga vetura, kjo komunë turistike të bën menjëherë për vete. Vendi ku kishim për të hapur tendat ishte buzë liqenit. Një pozitë mjaft e përshtatshme për kamping. Krumau am Kamp përveç bukurisë, përreth kampingut ofronte edhe aktivitete të shumëllojshme argëtimi, ndërkohë nuk mungonin as restorantet dhe gjithçka tjetër që dëshiroje.

Ermal Vejsa dhe Lirjetë Avdiu, udhëheqës të organizatës KÄ dhe organizatorë të këtij kampingu mundoheshin që çdonjërit t’ia caktojnë vendin se ku të ngrehin “kalatë” e tyre. Për ta ,ky lloj organizimi ishte i shtati me radhë, edhe pse jo në vendin e njëjtë.  E ata që nuk dëshironin netët t’i kalonin jashtë, kishin rezervuar bujtinat private që ishin më pak se një kilometër larg nesh.

“O kojshi, a mos ki pak sheqer?”

U hapën çantat. Rrëmuja filloi. Secili ia nisi të ndërtojë „kalanë“ e tij. Mua, si „merakli“ i punëve me çekiç, shpesh herë gozhdat e tendave me dilnin tepër dhe jo rrallë më mungonin. Megjithatë kur ke afër „fqinjët“ e mirë, gjithçka shkon në vendin e vet. Pas afro një ore, të gjitha tendat ishin gati. Më shumë se 30 sosh tashmë ishin renditur njëra pas tjetrës. Secila më e bukur se tjetra. Nuk ia kishim lakmi as atyre lagjeve të famshme në Kosovë ku jetojnë shtresa e ashtuquajtur elitare. Gjithçka frymonte shqip, dëgjohej shqip, madje nuk mungonte as Flamuri Kombëtar i vendosur në njërën nga tendat e bashkëpjesëmarrësve. Pas një rehatie, të ulur pranë liqenit, secili fillonte të përgatiste diçka. Dikush bënte skarë, të tjerë përgatisnin kafe, dikush tjetër pinte pije freskuese… Edhe pse nuk njiheshim me të gjithë, brenda një ore u bëmë si një familje. ”O kojshi, a mos ki pak sheqer se paskemi harru me marr`?”, thoshte njëri nga një tendë. Tjetri nga tenda tjetër kërkonte: ”A mos ke qymyr për grill?”. Secili ndihmonte tjetrin. Kështu kaloi jo vetëm dita e parë, por të gjitha, sa qëndruam atje.

Aktivitetet sportive dhe lundrimi me anije në liqen

 

Krumau am Kamp ofronte vende të shumta për argëtim rinor dhe familjar. Një fokus të veçantë kishte sporti, dhe mu për këtë ishte zgjedhur Seecamping-u “Freizeitenlage Krumau am Kamp”. Ai ofronte mundësi të shumta për lojëra; si për fëmijë ashtu edhe për të rritur: volejboll në rërë, terren të madh të futbollit, terren të tenisit, mini-golf, barka të ndryshme për sporte ujore, peshkim, e të tjera. Loja më e pëlqyer për të dy gjinitë ishte volejbolli. Edhe ndonjë “hile” aty-këtu gjatë lojës, e bënte edhe më argëtuese atmosferën.

Fjolla, si trainere e ushtrimeve aerobike, në njërin nga mëngjeset, afër liqenit, kishte mbledhur disa nga femrat e kampingut dhe për më shumë se një orë kishin shijuar relaksimin trupor dhe shpirtëror duke bërë ushtrime aerobike. Në ditën tjetër ishte organizuar që të bëhet një shëtitje me barka dhe anije nëpër liqenin e Krumaut. Më shumë se 30 të rinj lundruan duke shijuar bukuritë e liqenit magjeps të Krumau am Kamp. Fotografi të shumta, gjuajtje në ujë e gjëra të tjera, ishin atraksion në vete.

Nuk munguan as ushqimet tradicionale

Përveç përgatitjeve në skarë, në njërën nga pasditet e qëndrimit ishte në program edhe përgatitja e ushqimeve tradicionale shqiptare, në veçanti përgatitja e flijave. Qëllimi i përgatitjes së flijës ishte ruajtja e traditave duke bashkëpunuar të gjitha gjeneratat për të ofruar për banorët flija të shijshme. Përreth një zjarri të madh, dhe saçave të nxehtë, burra e gra, të rinj e të reja, ndihmonin njëri tjetrin në përgatitjen e flijave.

Open air kino shqiptare në natyrë

Gjatë tri netëve të qëndrimit atje, mbrëmjet kishin kënaqësinë e vet. Të gjithë të ulur rreth zjarrit, mbrëmja kalonte duke  u argëtuar, pirë dhe bërë lojëra interesante. Dy netët e fundit ishin të rezervuar për filma shqiptarë. Në një ekran të madh përmes një projektori, të pranishmit u argëtuan duke ndjekur filmat më të shikuar shqiptarë të viteve të fundit. E, për të na sjellë një atmosferë të tillë, ishte përkujdesur bashkorganizatori i këtij kampingu, Vatani. Nuk mungoj as kino enkas për fëmijë. Në Krumau, netët ishin të qeta, por fjetja në tenda ishte kënaqësi në vete. Nuk dëgjohej thuajse asgjë, përveç ndonjë „cicërime zogjsh“ apo „gërhitje“ të banorëve tanë të cilët i kishim për rreth. Të tjerët që nuk i zinte gjumi, vazhdonin bisedat dhe argëtimin e tyre deri në orët e hershme të mëngjesit por gjithmonë duke ruajtur qetësinë.

Dita e fundit, këngë e valle shqipe

Gjatë gjithë ditëve nuk kanë munguar këngët dhe vallet shqipe, por dita e fundit ishte edhe më e veçantë. Që në mëngjes, banorët filluan të rrënonin „kalatë“ e tyre. Megjithatë, historia e „kalave“ tona ishte më ndryshe se ajo e Rozafës.

Bekimi, një burrë afro të 50-tave duke u ndihmuar edhe nga banorë të tjerë, kishte përgatitur ushqim për të gjithë të pranishmit. Ai ishte edhe „shyhreti“ i kampingut. Përveç se i afërt dhe miqësor më të gjithë, Bekimi për më shumë se një orë na argëtoi duke kënduar këngë të vjetra qytetare.

Pak para nisjes për në shtëpi, një grup prej dhjetë vetash u ndalëm për të pirë edhe nga një kafe në restorantin afër kampingut dhe për të falënderuar nikoqirët për mikpritjen e përzemërt. Ndërkohë, organizatori, Ermali tha: “Tashmë kampingu e ka marrë veten. Gëzohem shumë që secili i di detyrat e veta dhe rregullat e kampingut. Kjo na bën shumë të lumtur. Ky kamping ishte jashtëzakonisht i bukur dhe unë i falënderoj të gjithë për pjesëmarrjen. Prej fillimit të këtij kampingu, ideja ka qenë që njerëzit nga komuniteti ynë por edhe miqtë austriakë, të njihen me njëri –tjetrin, të qëndrojnë sa më shumë në kontakt, të shkëmbejnë ide dhe të krijojnë bashkëpunime të natyrave të ndryshme. Jemi të gjithë dëshmitarë se këtë e kemi arritur”, tha në fund ai.

Për katër ditë qëndrimi, duket se jo vetëm ne u miqësuam aq shumë më atë vend, por edhe Krumau am Kamp me ne, saqë kur filluam të largohem, edhe të reshurat e shiut ishin të pandërprera. Sikur donin të na thoshin: „Mirupafshim vitin tjetër!“