Botërori 2026

Kualifikohet Kroacia

Ky sukses i siguruar në frymën e fundit i garanton ballkanasve kalimin për në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026

Kroacia ka treguar edhe një herë tjetër karakterin e saj të pathyeshëm në turnetë e mëdhenj, duke marrë një fitore tepër të vuajtur, por jetike, me rezultatin 2-1 përballë Ganës.

Ky sukses i siguruar në frymën e fundit i garanton ballkanasve kalimin për në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026.

Ndeshja ishte një “finale” e vërtetë për vendin e dytë në Grupin L dhe dhuroi emocione të forta deri në sekondat e fundit. Kroatët e nisën sfidën me marshin e duhur dhe arritën të zhbllokojnë shifrat në pjesën e parë. Ishte Petar Sučić ai që në minutën e 31-të dërgoi topin në rrjetë, duke u dhënë qetësinë e nevojshme të besuarve të tij për të shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin 1-0.

Megjithatë, Gana nuk e ngriti flamurin e bardhë. Në pjesën e dytë, afrikanët rritën presionin dhe arritën të gjejnë golin e barazimit në minutën e 73-të me anë të Derrick Luckassen. Ky gol krijoi panik te Kroacia, pasi një barazim mund të vinte në rrezik serioz ecurinë e tyre në Botëror.

Por, si gjithmonë kur topi “djeg”, eksperienca bën diferencën. Kur ndeshja po i drejtohej fundit dhe presioni ishte në kulm, u shfaq Nikola Vlašić. Në minutën e 83-të, ai gjeti rrugën e rrjetës duke shënuar golin e fitores (2-1) dhe duke shkaktuar shpërthimin e festës në kampin kroat. Me këtë fitore të artë, Kroacia “blindon” vendin e dytë në grup dhe i bashkohet skuadrave që kalojnë në raundin tjetër. Ndërkohë, kreu i Grupit L i ka takuar në mënyrë të padiskutueshme Anglisë, e cila ka bërë detyrën duke e mbyllur këtë fazë në vendin e parë me plot 7 pikë.