Feja

Kundër urrejtjes dhe për ngritjen e urave mes besimeve

Në Iftarin dhe Lutjet e mbrëmjes ishin të pranishëm: ambasadori i Izraelit, U.D. e ambasadores së SHBA-së, ambasadorja e Kosovës, kryeimami i Kosovës, një deputete zvicerane etj.

Mbi 200 ishte numri i të ftuarve të cilët morën pjesë në Iftarin dhe lutjen e mbrëmjes që u organizua nga Bashkësia Islame shqiptare në Zvicër, me imamin Mustafë Mehmeti në krye. Albinfo.ch e ka përcjellë këtë aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Religjioneve, në Bernë.

Fillimisht, iftarit i parapriu edhe një panel diskutimi ku temë kyçe ishte urrejtja, frika dhe ndërtimi i urave. Pjesa e parë e panelit u përbë kryesisht nga të rinj studentë nga religjione të ndryshme, të cilët dhanë pikëpamjet e tyre rreth stereotipave për temat e mësipërme.

Ndërsa në pjesën e dytë, paneli ishte përbërë nga liderët fetarë, Imam Mehmeti si dhe ndihmës Rabini Kohn nga Bashkësia Hebraike.

«Që ura të mund të ndërtohet, së pari frika duhet të tejkalohet. Dhe frika mund të tejkalohet vetëm me dialogun konstuktiv ndërfetar. Prandaj është e rëndësishme që ne muslimanët të marrim pjesë aktive në dialogun ndërfetar në publik, në mënyrë për të luftuar paragjykimet ndaj Islamit. Frika dhe urrejtja janë ndjenja njerëzore. Gjithkush ka këto ndjenja në një mënyrë. Dhe urat shërbejnë për të eliminuar frikën dhe urrejtjen.”, tha hoxhë Mustafë Memeti në fjalën e tij.

Pos tyre nga një ligjëratë lidhur me këtë temë e mbajtën edhe deputetja e Parlamentit Zviceran, Christine Häsler dhe drejtuesja e Shtëpisë së Religjioneve, Gerda Hauck, raporton albinfo.ch.

Pasi që koha e Iftarit  dhe e lutjes së mbrëmjes ishte afër, të pranishmit në podium dhe publiku u transferuan në xhami, ku një fjalë rasti rreth rëndësisë së Ramazanit, pos Imam Mustafës, e mbajti edhe ambasadori izraelit në Zvicër, Jacob Keidar.

Ambasadori Keidar, me këtë rast duke cituar disa sure nga Kurani, vuri në pah rëndësinë që ka muaji i shenjtë i Ramazanit. Ai veç tjerash tha se gjatë këtij muaji tregohet përkushtimi ndaj Zotit, ndërsa ka folur edhe për aspektet tjera pozitive që sjell ky muaj.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ushtruesja e detyrës e Ambasadores së SHBA-së në Zvicër, Tara Feret Erath.

Me këtë rast znj. Erath, pati përgëzime të larta për Shtëpinë e Religjioneve për dedikimin e vazhdueshëm për krijimin bashkëpunimit, tolerancës si dhe respektit të ndërsjellë.

Ndërsa ajo ka cituar sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, i cili në urimin e tij për botën islame me rastin e muajit të Ramazanit, ndër të tjera kishte theksuar se Ramazani është një muaj respekti, gjeneroziteti e vetë-reflektimi. “Është një muaj kur kalojmë shumë kohë me familje e miq, ku edhe japim ndihma për të varfrit. Është një kohë që na bën të mendojmë të gjithë rreth vlerave tona të përbashkëta të harmonisë dhe empatisë.

Fjalime më këtë rast mbajtën edhe ambasadorja e Kosovës në Bernë, Nazane Breca, ambasadori i Maqedonisë, Rafet Hajdari si dhe kryemami I Kosovës, Sabri Bajgora.

Me të shënuar ora 21:26, ishte koha për ezanin, pas të cilit të pranishmëve në xhami iu servuan hurme, për të prishur agjërimin, e më pas filloi lutja e mbrëmjes.

Pas lutjes, të pranishmit u ftuan në Iftar, organizuar nga Bashkësia Islame shqiptare në Zvicër.