Kosova

Kurti nga Davosi në mesin e kompanive kosovare në Swissbau në Bazel

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kanë vizituar sot kompanitë kosovare që po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar Swissbau, i cili po mbahet në Bazel të Zvicrës.

Panairi Swissbau është i hapur që nga 20 janari, ndërsa këtë vit Kosova po përfaqësohet me 27 kompani, kryesisht nga industria e drurit dhe përpunimit të tij, të cilat po prezantojnë produkte dhe zgjidhje konkurruese për tregun evropian.

Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari u njohën nga afër me punën, produktet dhe potencialin eksportues të kompanive kosovare, duke vlerësuar rolin e tyre në promovimin e ekonomisë së vendit dhe në forcimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare në Swissbau konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së prezencës së produkteve “Made in Kosovo” në tregjet e Bashkimit Evropian.

Swissbau konsiderohet një nga panairet më të rëndësishme evropiane në sektorin e drurit, i cili vizitohet nga mbi 52 mijë profesionistë dhe ku marrin pjesë gjithsej 592 biznese nga 19 shtete të ndryshme të botës.

Fotografi: