Kosova

Kurti për Asociacionin: Nëse do të nënshkruhej, do të kontrollohej nga Gjykata Kushtetuese

Pas takimit të djeshëm në Bruksel me pesëshen evropiane, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka kërkuar ndëshkimin dhe sanksionimin e Serbisë.

Sipas tij, nëse do të nënshkruhej drafti i Asociacionit, i paraqitur nga diplomatët perëndimorë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ai ka treguar se kjo iu tha nga vetë diplomatët që ishin në vizitë në Kosovë të shtunën.

Kryeministri i Kosovës në konferencën për media, u shpreh se të dërguarit amerikano-evropianë kanë thënë se drafti i Asociacionit është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës së Kosovës.

“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka bërë të ditur se Serbia refuzoi sërish ta nënshkruante marrëveshjen, përfshirë draftin e Asociacionit teksa deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, kundërshton pranimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe se nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës, Kurti i ka cilësuar si kërcënim direkt nga Serbia dhe shkelje të marrëveshjeve.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se në takim ka kërkuar dënim të Serbisë “pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje”, teksa ka thënë se ka kërkuar ekstradim të terroristëve në Kosovë që ata të përballen me drejtësinë këtu.

Sa i përket planit të ri evropian, ai nuk ka dhënë detaje pasi tha se kjo i është kërkuar nga emisarët.

“E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, që deri sa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Por më e rëndësishmja është që emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasur parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dilema do ta japë gjithnjë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai.