Kosova

Ky është Ilir Morina, djaloshi që ka vizituar 201 shtete të botës  

“Me krenari mund të them se misioni nuk u zgjat më shumë se sa kisha planifikuar. Për 11 vjet e gjysmë kam vizituar 201 shtete dhe kam përmbyllur kështu misionin tim”

I lindur dhe rritur në Gjermani, Ilir Morina një ditë vendosi që ëndrrën e tij për ta parë botën ta bënte realitet. E gjithë kjo, falë inspirimit që mori nga të dy prindërit qëkur ishte fëmijë. I rritur me tregime rreth kulturave të ndryshme, Iliri mendonte se si një ditë do t`i vizitonte të gjitha shtetet e botës…

Albinfo.ch: Ilir, a na flisni pak për veten. Cilat kanë qenë angazhimet tuaja para se të nisnit rrugëtimin nëpër botë?

I.Morina: Jam i lindur dhe rritur në Gjermani, me origjinë nga Kosova. Me profesion jam ekonomist i diplomuar, ushtar, fotograf, dhe biznesmen. Menjëherë pas përfundimit të studimeve, në vitin 2004 isha fillimisht i angazhuar si ushtar i KFOR-it Gjerman me dy misione në një periudhë kohore prej 3 vite e gjysmë. Pata fatin që gjatë kësaj kohe të shërbeja edhe në vendin tim, në Kosovën e pasluftës. Isha në qytetin e Prizrenit, në disa divizione, mirëpo kryesisht të shërbimit sekret dhe inteligjent të NATO-s.

Pas këtij angazhimi, u ktheva prapë në Evropë, u zhvendosa në Austri ku fillova të punoj si udhëheqës i kompanive të sigurimit për një periudhë kohore prej 18 muajsh. Pasi mësova më mirë këtë profesion u zgjerova pastaj edhe në Zvicër ku personalisht ofroja mbrojtje për klientë privat në ngjarje shumë të rëndësishme. Nga viti 2010 deri në 2011 vura themelet e kompanisë në Hamburg së bashku me një shok si partner biznesi dhe pas arritjes së një suksesi të madh, vendosa që t’i shes përqindjet e mia në kompani dhe të filloj diçka të re në jetë.

Në vitin 2017 themelova organizatën humanitare Children’s Care Initiative në Damask, Siri gjatë qëndrimit prej 3 muaj e gjysmë atje. Kjo organizatë u themelua si përgjigje e nevojave të ndihmës së fëmijëve në vende të luftës si Siri, por pastaj u zgjerua edhe në Afganistan dhe në disa shtete në Afrikë. Ndërsa, si angazhim profesional gjithashtu udhëheq kompaninë e udhëtimeve MorinasWorld Travel&Tours me seli në disa vende te botës e cila është e pa konkurrencë në gamën e zgjedhjes së destinacioneve sepse nuk ka asnjë destinacion që nuk e ofrojmë për të vizituar.

Tani jetoj në Prishtinë në mes të ekspeditave të mia ndërsa angazhimet e mia tani vazhdojnë të ndërlidhen me pasionin tim për udhëtimet.

Albinfo.ch: Si lindi pasioni për të udhëtuar?

I.Morina: Nëna ime, Gonxhe Qaushi Morina, ishte këngëtare e muzikës folklorike gjatë viteve `70 dhe qysh në moshën 20 vjeçare ajo pati rastin të udhëtonte për të dhënë koncerte me muzikë shqiptare në shumë vende të botës. Ajo udhëtoi në më shumë se 20 shtete të botës, së bashku me SHKA “Hajdar Dushi”.

Në anën tjetër, babai im Rafet Morina kishte një pasion të jashtëzakonshëm për histori dhe gjeografi. Unë u rrita pranë tij duke dëgjuar vazhdimisht histori për situatën në Ballkan dhe për guximin e tij që të shpërngulet për një jetë më të mirë në Gjermani. Kështu vazhdova edhe vet pastaj interesin duke lexuar vazhdimisht libra për udhëtime.

Albinfo.ch: Ilir, a na tregoni sa shtete i keni vizituar dhe sa kohë u është dashur ta realizoni qëllimin tuaj? 

I.Morina: Në verën e vitit 2011, ndërsa jetoja dhe punoja për disa vite në Austri dhe Zvicër, vendosa të lë gjithçka dhe të udhëtoj nëpër botë. Kështu që shita biznesin tim dhe mora biletën me një drejtim, për në Azi. Synimi im ishte të përfundoja në një periudhë 10-vjeçare vizitën e gjithsej 201 vendeve. Megjithatë, kriza botërore e Covid-19 bllokoi botën dhe e bëri shumë të vështirë udhëtimin për një kohë të gjatë. Gjithsesi edhe në këto rrethana unë fillova dalëngadalë të udhëtoj sërish qysh në qershor të vitit 2020, me destinacionet që ishin ende të hapura për të udhëtuar. Sot, me krenari mund të them se misioni nuk u zgjat më shumë se sa kisha planifikuar dhe u bënë gjithsej 11 vjet e gjysmë për të shënuar si mision i përfunduar i vizitave të 201 shteteve në botë.

Albinfo.ch: Sigurisht që për të udhëtuar botën duhet një strategji. Cilat përgatitje i keni bërë zakonisht dhe cilat mjete transporti i keni përdorur për të arritur në pikat tuaja? 

I.Morina: Planifikimi dhe përgatitjet për udhëtimet dallojnë varësisht nga destinacioni. Mirëpo, udhëtimi për mua fillon qysh nga faza e eksplorimit online për gjetjen e biletave dhe planit ditor se çfarë dua të shoh. Gjithsesi, disa pjesë burokratike si sigurimi i vizave edhe pse posedoj pasaportë gjermane janë jo shumë të këndshme, mirëpo me një planifikim të duhur me kohë përpara, ndonjëherë me muaj, edhe këto vështirësi tejkalohen lehtësisht. Për më tepër, tani që kam prekur çdo kënd të botës, kam krijuar burime të reja me njohjen e personave të ndryshëm në çdo vend që dua të shkoj prapë, të cilët më ndihmojnë jashtëzakonisht shumë.

Në këtë pikëpamje të logjistikës, planifikimit, organizimit, vizave mund të them që më së shumti kam hasur në vështirësi në Pacifik dhe në Afrikën Perëndimore.

Kam përdorur të gjitha llojet e transporteve: aeroplan, tren dhe anije. Por, edhe transport rrugor me makina të ndryshme, vetura, autobus, biçikletë, minikombi, etj. në vendet ku ende nuk është i zhvilluar transporti hekurudhor. Ndonjëherë kam udhëtuar edhe me autostop ose vetëm duke ecur me kilometra.

Albinfo.ch: Dihet se në udhëtime shpenzohet shumë. Si e keni menaxhuar financiarisht rrugëtimin në 201 shtete?

I.Morina: Shumë punë, kursime, dhe risqe të ndryshme në investime janë tri nga elementet bazë të qasjes time financiare. Fillimisht, misionet e para ushtarake si ushtar i KFOR-it më sollën të ardhura të mira. Nga periudha e qëndrimit dhe angazhimit tim në Austri dhe Zvicër arrita të kursej që të investoj në patundshmëri, si dhe sigurisht shitja e biznesit në vitin 2011. Përgjatë 4,222 ditëve të mia të udhëtimeve unë kisha 5 apartamente me qira të cilat më siguronin të ardhura bazike për çdo muaj, dhe të gjitha mund t`i koordinoja nga distanca.

Një lehtësim kohë pas kohe ishte edhe “couch surfing” i cili është një shërbim shkëmbimi mikpritjeje me anë të të cilit përdoruesit mund të kërkojnë strehim në shtëpi ose të ndërveprojnë me njerëz të tjerë që janë të interesuar për udhëtime. Kjo më mundësoi që të takoj familje të mrekullueshme në botë, të cilat më mirëpritën dhe lejuan që të flija në shtëpitë e tyre pa pagesë.

Albinfo.ch: Gjatë eksperiencës suaj në 11 vite rrugëtim, sigurisht keni hasur në sfida të ndryshme. Mund të ndash ndonjërën prej tyre me ne?

I.Morina: Nga pamjet e fotografive të mia në mediat e mia sociale, në shumicën e rasteve, gjithçka duket e mrekullueshme, por ka shumë herë që jam përballur me situata afër vdekjes dhe përvoja të tjera shumë sfiduese. Këtu janë disa që do të doja të ndaja sot.

Edhe pse Siria bën pjesë në top 5 vendet me të cilat u ndjeva më i lidhur, jeta ime gjatë vizitës sime atje në vitin 2017 ishte me shumë sfida. Unë qëndrova atje më shumë se 3 muaj duke jetuar në lagjen hebreje në Damask. Bombardimet e përditshme dhe të shtënat në sfond ishin një gjë e vazhdueshme. Edhe sot e kësaj dite nuk mund t’i harroj trupat e pajetë që u vranë me elektroshok dhe më vonë u hodhën në tokë si ushqim për qentë e uritur. Ose edhe më keq fëmijët e vegjël që u sulmuan nga dronët fantazmë DJI të modifikuar nga ISIS dhe Al Nusra për të hedhur bomba në qytete si Deir Ezzor dhe Al Mayadin. Megjithatë, pavarësisht rrethanave, lëviza me kujdes dhe arrita të vizitoj vende dhe qytete që janë të paarritshëm për shumicën e njerëzve në botë.

Albinfo.ch: Ilir, nga gjithë ato vende që keni parë, a ka ndonjë shtet për të cilin keni thënë se “këtu do mund të jetoja“? 

I.Morina: Qysh nga fillimi i këtij misioni unë ia vura qëllim vetes vetëm eksplorimin e botës dhe që kurdoherë që do të përfundoj atë do të kthehem në shtëpi, aty ku janë më të dashurit e mi.

Shumica e vendeve të bukura që i shohim në mediat sociale kanë edhe anët e tyre negative. Si p.sh. mungesa e sigurisë, praktikimi strikt i religjioneve etj.

Por, për t`ju përgjigjur pyetjes mund të vlerësoj top tri shtete varësisht nëse je njeri familjar: Zvicër, Kosovë ose Shqipëri dhe nëse je beqar: Siri, Kosovë dhe Indonezi.

Albinfo.ch: Në fotografitë tuaja shpesh shohim flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Cila është arsyeja?

I.Morina: Unë deri në kocka jam shqiptar edhe pse jam i lindur dhe rritur në Gjermani. I jam falënderues shtetit gjerman për çdo gjë që më ka ofruar në edukim, shëndetësi, kulturë dhe benefite të tjera. Mirëpo, unë jam rritur në një familje shqiptare dhe me prindër të cilët na kanë edukuar me gjuhën shqipe, tradita dhe kulturë shqiptare. Prandaj, unë qysh nga viti 2018 tani jetoj në Kosovë, për të plotësuar edhe njërën nga ëndrrat e babit tim i cili u largua në mërgim me shpresë që një ditë fëmijët e tij të kthehen dhe të kontribuojnë për vendin e tyre me njohuritë e fituara në Gjermani. Edhe pse tani qe 15 vite ne kemi flamurin e Kosovës si shtet i pavarur, unë e përdor çdo herë në prapavijë të fotografive të mia në vizita në botë edhe flamurin e Shqipërisë sepse ashtu ndihem sepse jam rritur me atë simbol dhe dua t`i promovoj dy shtetet si një. Gjatë rrugëtimit tim unë në çdo bisedë dhe takim me njerëz të rinj shërbej si zë i fuqishëm për të promovuar të mirat dhe bukuritë që ka si Kosova ashtu dhe Shqipëria.

Albinfo.ch: Ilir, udhëtimin rreth botës e keni përfunduar. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

I.Morina: Tani që kam përfunduar botën po e shijoj këtë kohë shumë, sepse gjatë rrugëtimit unë vazhdimisht i kam pasur sytë në target dhe tani që kjo kohë erdhi jam me të vërtetë i lumtur dhe krenar që ia dola t’i tejkaloj të gjitha barrierat. Objektivat e radhës janë poli jugor dhe verior. Gjithashtu mali Everest është një nga ëndrrat e mia të fëmijërisë. Bonus shtesë për të përfunduar botën për herë të dytë, pasi kam tashmë 172 vende që i kam vizituar sërish për herë të dytë.

Por mbi të gjitha, planet kryesore aktuale janë fokusi im i pakusht me kompaninë time të udhëtimeve Morinasworld Travel & Tours dhe organizatën time Children’s Care Initiative CCI. Janë disa projekte të tjera që janë tani në planifikim, por nuk mund të flas më shumë për momentin.

Nuk  mund të harroj pa përmendur se ky pasion për udhëtimet është i vështirë për t’i dhënë fund, edhe pse ia arrita qëllimit. Prandaj, kam gjetur kompaninë time të udhëtimit MorinasWorld Travel & Tours për t’ju ndihmuar të zbuloni botën dhe të krijoni kujtime të qëndrueshme. Sidomos, për qytetarët e Kosovës dhe më gjerë, të cilët tash e sa vite kanë destinacione të kufizuara udhëtimi për të eksploruar. 

Hollësi rreth shteteve dhe territoreve që ka vizituar Iliri

Për kureshtarët e udhëtimeve, më poshtë janë disa informacione rreth vendeve dhe territoreve të mia që kam arritur t’i vizitoj. 

  • Shtetet e OKB-së: Prej 193/193, i kam përfunduar të gjitha. 
  • Shtetet e FIFA-s: Prej 211/211, i kam përfunduar të gjitha 
  • OKB+ Shtetet dhe territore: 243 nga 266 dhe TCC: 291 nga 330. 

Kam qëndruar 19 muaj pa u kthyer në Europë në Amerikën Jugore, 6 muaj ne Amerikën Qendrore, dhe 2 vite e 6 muaj në Azi. Kam vizituar 5 herë shtetet si Brazil, Argjentina, Bolivia, Kili, Venezuela, Kolumbia etj.