Literaturë

Letërsia në Shqipëri, 30 vjet pas diktaturës: Si e shohin gjermanët

30 vjet pas përfundimit të izolimit, Shqipëria paraqitet së bashku me vendet e tjera të Evropës Juglindore në "Common Ground - Literatur aus Südosteuropa" që është temë e Panairit të Librit në Leipzig 2020-2022

“Letërsia në Shqipëri, pas përfundimit të regjimit të Hoxhës”. Ky është titulli i një artikulli të zgjeruar, të botuar në lifepr.de, një platformë mediale kulturore, në Gjermani.

Ky tekst mbështetet mbi një debat të mbajtur në Leipzig, në kuadrin e panairit të njohur të librit të këtij qyteti. Fjala është për debatin me temën “Common Ground – Literatur aus Südosteuropa” (“Toka e Përbashkët – Letërsia nga Evropa Juglindore”). Albinfo.ch sjell në gjuhën shqipe pjesë nga ky material.

Për dekada me radhë, Shqipëria ishte izoluar prej pjesës tjetër të botës nga një diktaturë Staliniste. Më shumë se 10,000 njerëz janë vrasë, nuk kishte asnjë familje që nuk ishte viktimë e përndjekjes politike, paraburgimit në kamp dhe denoncimit.

Në vitin 1945 u themelua shteti i parë ateist si Republika Popullore e Shqipërisë. Në shkurt të vitit 1991 turma e zemëruar rrëzoi shtatoret gjigante të Stalinit dhe Enver Hoxhës në sheshin kryesor të Tiranës.

Pas pak, u zhvilluan për herë të parë zgjedhjet e lira. Pas rënies së regjimit komunist, kishte mosmarrëveshje politike, ndodhi një ndryshim dhe një proces rikuperimi në politikë dhe kulturë çfarë vetëm pak vende në Evropë e kanë përjetuar.

30 vjet pas përfundimit të izolimit, Shqipëria tani po paraqitet së bashku me vendet e tjera të Evropës Juglindore në  “Common Ground – Literatur aus Südosteuropa” (“Toka e Përbashkët…” që është temë e fokusuar e Panairit të Librit në Leipzig 2020-2022, transmeton albinfo.ch. Dhe kështu, këtë vit, nuk janë vetëm historianët që shikojnë prapa në vitet e errëta të historisë së këtij vendi të Evropës Jug-Lindore dhe në zhvillimin e tij deri më sot, por edhe autorët që u formuan në atë kohë.

Poezitë e Luljeta Lleshanakut rrëfejnë histori

Njëra prej tyre është poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku, një nga zërat më me ndikim në poezinë e re të Evropës Juglindore. Ajo ishte e ekspozuar ndaj një shtypje të rëndë gjatë diktaturës komuniste dhe pati mundësinë të studionte në universitet vetëm pas përmbysjes së regjimit të Enver Hoxhës. Sot Lleshanaku drejton institutin për trajtimin e gjenocidit komunist në Tiranë dhe punon si përkthyese. Në librin e saj “Qyteti i Mollëve” ajo  me poezitë e saj tregon historinë, përcjell albinfo.ch. Me një drejtpërdrejtshmëri të madhe dhe melankoli, ajo jep një pasqyrë të vendit të saj të goditur, pavarësisht nëse kthehet në fëmijërinë e saj në vendlindjen rurale, në një kohë lutjesh të bëra fshehurazi dhe leximesh të fshehta të librave…

Në vitin 2010, u botua vëllimi i saj poetik “Kinder der Natur” si pjesë e serisë Poezi e re nga Evropa Juglindore, botuar nga rrjeti letrar TRADUKI, në Edicionin Korrespondenzen.

Botim i ri

Luljeta Lleshanaku: “Stadt der Äpfel” (“Qyteti i mollëve”). Hanser Verlag, 27 shtator 2021, përkthyer nga Andrea Grill

Arian Leka mbi iluzionet dhe propagandën në Shqipërinë komuniste

Arian Leka, i lindur në vitin 1966, është formuar gjithashtu nga fundi i regjimit. Autori dhe studiuesi i letërsisë, i cili është përkthyer në gjuhë të shumta dhe ka fituar çmime brenda dhe jashtë vendit, ka përjetuar rënien e regjimit si i ri. Në librin e tij “Enveri dhe Parajsa e tij – Iluzione dhe Propaganda në Shqipërinë Komuniste”, ai paraqet shoqërinë e Shqipërisë me ngjyra shumë të gjalla. Ese të mbledhura këtu pasqyrojnë edhe perspektivën nga e cila e shohin botën dhe ngjarjet e ndryshme aktuale në historinë evropiane, shqiptarët e sotëm.

Arian Leka: “Enver und sein Paradies – Illusionen und Propaganda im kommunistischen Albanien” (“Enveri dhe parajsa e tij – iluzione dhe propagandë në Shqipërinë komuniste”)

Anthea Verlag, 2020, përkthyer nga Loreta Schillock

Vitet 90 të Shqipërisë: Përralla të botëve të panjohura të përditshmërisë

Libri “Vitet 90 të Shqipërisë” trajton vitet e trazuara të tranzicionit nga diktatura komuniste në demokraci dhe në ekonominë e tregut. Tregimet dhe reflektimet nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë ofrojnë njohuri për botët e panjohura të përditshmërisë midis rënies ekonomike, migrimit masiv dhe shembjes së përkohshme të rendit shtetëror dhe çojnë në rajone të largëta dhe të vizituara më rrallë, në malësinë veriore dhe jugore, transmeton albinfo.ch. Albanologu Robert Pichler, i cili ka jetuar në Shqipëri në vitet 1990, paraqet në libër fotografitë e tij të jashtëzakonshme analoge nga rajone të ndryshme të vendit.

Robert Pichler / Edit Pula: “Albania´s 90s” (“Vitet 90 të Shqipërisë”). bahoe books, 2020, anglisht / shqip

Elvira Dones mbi Mafian, dhunën dhe vetë-fuqizimin

Shtëpia Botuese zvicerane Ink Press Verlag ka përjetuar në mënyrë mbresëlënëse se letërsia nga Shqipëria po zgjon një interes të madh në këtë vend: Vetëm disa muaj pasi u botua romani “Diell i Djegur” i Elvira Dones, në dhjetor të vitit 2020, botuesit iu desh të porositte një botim të ri. Libri flet për mafian shqiptare, luftën e paskrupullt për para, shfrytëzimin mizor të grave, dhunën e pakufishme, zhdukjen e të gjitha sjelljeve etike dhe për oazet e vogla të dashurisë dhe vetë-fuqizimit.

Autorja ka dhe vetë një histori shumë të veçantë për Shqipërinë: Elvira Dones ka lindur në Shqipëri, ku ajo është rritur, ka studiuar dhe punuar. Në vitin 1988, pas një udhëtimi pune në Zvicër, ajo nuk u kthye më në Shqipëri, përcjell albinfo.ch. Në atdheun e saj ajo u dënua me burg në mungesë për tradhëti. Asaj i qe mohuar kontakti me fëmijën e saj deri në shembjen e regjimit komunist në  vitin 1992. Ajo jeton në Ticino (Zvicër) që nga viti 2015.

Elvira Dones: “Verbrannte Sonne” (Dielli i djegur) Ink Press Verlag, 2020, përkthyer nga Florian Kienzle