Lajme

Linda tregon rrugëtimin nga Kosova në SHBA

Linda Halimi ka treguar për rrugëtimin e saj, që edhe pse nuk e kishte aspak të lehtë, asnjëherë nuk u ndal duke ndjekur ëndrrën e saj

Linda Halimi lindi në vitin 1989 në Viti të Kosovës. Karrierën si këngëtare e nisi në adoleshencë në edicionin e 3-të “Ethet e së Premtes”, ku ishte një ndër finalistet.

Linda u bë e njohur për publikun, ku mori pjesë në “Top Fest” me grupin Ngroba dhe në vitin 2007 u shpall fituese e çmimit “Best New Artist”. Në edicionin e 6-të të Top fest në vitin 2009 Linda fitoi këtë event.

Në jetën e saj ajo ka kaluar shumë sfida dhe është paragjykuar nga fshati, ku ajo lindi dhe u rrit. Paragjykimi dhe sfidat e vështira e kanë ndjekur, por nuk e kanë thyer kurrë, madje e kanë bërë më të fortë. Ajo fitoi gjithmonë çmimet pa hatër, pa shumë fansa, pa asnjë mbështetje nga personat të tjerë, pa asnjë mundësi financiare. Linda triumfoi gjithmonë falë talentit të saj, raporton TCH.

Në vitin 2009 mori pjesë në festivalin “Kënga magjike” dhe u vlerësua me çmimin “Best Rock”, dhe në festivalin Kosovarja u vlerësua me vendin e 2-të. Në vitin 2016 Linda sfidoi veten në American Idol, ajo ka bërë një performancë të shkëlqyer në SHBA me këngën “It’s a man’s world” dhe është vlerësuar pozitivisht nga juria e përbërë nga Jennifer Lopez, Harry Connick dhe Keith Urban, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 2017 ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision. Linda ka vrapuar pas ëndrrës se saj dhe pse me shumë vështirësi që ka hasur në jetën e saj, ajo nuk ka ndalur duke punuar për të realizuar atë që ajo ëndërronte.

Në jetën dhe karrierën e saj nuk kanë munguar as sulmet për ngjyrën e bashkëshortit. Këngëtarja ka preferuar t’i injorojë komentet raciste që nuk kanë munguar asnjëherë pas bërjes publike të lidhjes së saj.

Këngëtarja kosovare, e njohur për zërin e saj të fuqishëm është bërë nënë e një vajze për herë të parë në vitin 2019. Vajza është pagëzuar me emrin Kaimana. Prej vitit 2013 ajo jeton në SHBA, ku dhe punon si trajnere personale dhe vazhdon karrierën e saj muzikore.

Ajo është e pranishme edhe ne evente qe realizohen nga diaspora shqiptare. Linda ka treguar rrugëtimin e saj aspak të lehtë.