Lajme

Llogaritë bankare zvicerane po e humbasin vlerën

Autoritetet e tjera monetare, përfshirë Zvicrën dhe Suedinë, kanë gjithashtu norma negative

A do të ishit dakord të paguanit një shumë të caktuar kundrejt një banke, në mënyrë të tillë që kjo e fundit të pranonte depozitimin e parave tuaja?

Kjo është edhe pyetja që shumë kursimtarë të pasur po i bëjnë vetes, teksa disa prej huadhësve zvicerianë po kalojnë në norma negative të interesit tek disa prej mbajtësve të tyre më të mëdhenj të llogarive bankare. Bankat zvicerane, si UBS Group AG dhe Credit Suisse AG, po tregohen shumë të kujdesshme ndaj një situate të tillë, duke qenë se edhe fokusi i tyre kryesor është ai i klientëve të pasur.

Edhe pse praktika të tillë mund të duken të pazakonta, e vërteta është se ne po kalojmë periudha të çuditshme ekonomike.

Bankierët qendrorë nuk duhet të lejojnë që këto lëvizje t’i ndalojnë ata që të ndjekin çfarëdo politike monetare, të cilën ata e gjykojnë si të përshtatshme; si edhe ata nuk duhet të kufizohen nga frika se normat negative të interesit mund të shoqërohen me largimin e një numri të madh të klinetëve të pasur, transmeton Monitor.

Ka kaluar pothuajse një dekadë që kur autoritetet monetare në gjithë Evropën filluan të eksperimentojnë me normat negative, përcjell albinfo.ch.

Pas një eksperimenti jetëshkurtër nga Riksbank e Suedisë, në korrik të 2012, Nationalbank e Danimarkës vendosi kundrejt të gjithë atyre që do të depozitonin paratë në këtë bankë, një normë prej 0.2 për qind, në mënyrë të tillë që edhe të rregullonte diferencën ndërmjet monedhës vendase dhe euros.

Shumë shpejt një metodë e tillë u kopjua edhe nga shtete të tjera si një mënyrë për të nxitur ekonomitë e tyre. Duke qenë se huadhënësit e dinin se nëse do të donin të depozitonin paratë e tyre në një prej bankave të mëdha, do të duhet të pagonin një normë të caktuar për mbajtjen e tyre, ata vendosën të zgjedhin diçka tjetër, më të donishme për ta, për shembull, duke ua dhënë hua disa kompanive të mëdha.

Banka Qendrore Europiane ka qenë edhe “kampionja” e vendosjes së normave negative të intersit ndër të gjitha bankat e tjera. Në qershor të 2014, ajo uli normën e interesit të depozitave të saj në -0.1%, përpara se të ulte përsëri tre herë më shumë gjatë dy vjetëve të ardhshme. BQE-ja mund ta shkurtojë përsëri normën e interesit në shtator në -0.4%, teksa ajo po lufton edhe një herë me një ekonomi të dobësuar të zonës së euros.

Autoritetet e tjera monetare, përfshirë Zvicrën dhe Suedinë, kanë gjithashtu norma negative.

Por, një situatë e tillë po ndryshon. UBS thotë se do të vendosë për të gjithë klientët e saj zviceranë një tarifë vjetore prej 0.6% për depozitat mbi 500,000 euro (560,000 dollarë amerikanë), duke e ulur kufirin e saj nga ai i mëparshi prej 1 milion euorsh.

Kjo ka bërë që BQE-ja të rishikojë politikën e saj, sepse është shumë e ashpër për kursimtarët. Por një kritikë e tillë nuk është e saktë, sepse menaxhimi makroekonomik i Bankës Qendrore ka krijuar gjithmonë fitues dhe humbës. Kur normat e interesit janë shumë më të larta se inflacioni, huamarrësit janë ata që humbasin ndërsa kursimtarët gëzohen.

Thjesht nuk është e drejtë të mendosh se ata që depozitojnë paratë e tyre kanë më shumë të dreja se ata që vendosin të marrin hua. Njerëzit mund të marrin hua për të investuar në arsim ose në një pajisje të reja, të cilat janë shumë të rëndësishme si për individin, ashtu edhe për ekonomitë në tërësi.

Por individët e pasur kanë mundësi se në rast se nuk duan të paguajnë një tarifë ndaj bankës së tyre, ata mund t’i depozitojnë paratë e tyre nëpër shumë banka, të ndryshojnë menaxherin e pasurisë ose t’i vendosin paratë e tyre në përdorim më produktiv. Dhe pikërisht një gjë të tillë është edhe ajo që Bankat Qendrore po përpiqen të inkurajojnë.

Bankat Qendrore gjithashtu duhet të kenë kujdes për efektet anësore, përfshirë këtu edhe stabilitetin financiar. Por tarifa që kursimtarët e pasur duhet të paguajnë për depozitat e tyre, nuk është arsye se pse BQE-ja të ndryshojë kursin e saj.