Shqipëria

Mashtroi sistemin britanik të emigrimit, shqiptari thotë se këtë e bëri vetëm për 4000 euro

Shqiptari zbulon sa e lehtë ishte t’ia ‘hidhje’ sistemit të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar dhe se si i mashtroi oficerët e pafat të emigracionit që e lejuan të qëndronte”.

Kështu nis artikulli i radhës nga tabloidi britanik Daily Mail rreth shqiptarëve që shkojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Geri Bucr, 25 vjeç, ka dhënë detaje të hollësishme rreth pengesave që ai duket se i kaloi me sukses për të hyrë në Angli, duke fituar të drejtën e qëndrimit për 3 vjet, përpara se ai të dëbohej – por vetëm për fajin e tij, pasi pranon se u ngatërrua me ‘njerëzit e gabuar’.

 

Një ‘emigrant ekonomik’ – kjo është kategoria e saktë për shumicën e atyre që nisen për Angli nga Shqipëria, por pretendim i tyre sapo shkelin në tokë angleze është krejt i ndryshëm.

Në shumicën e rasteve djemtë ose burrat shqiptarë që mbërrijnë në Britani me gomone ose kamion, pretendojnë se janë viktima të ‘skllavërisë moderne’ – që do të thotë se ata janë rrëmbyer në Shqipëri ose vende të tjera të Europës nga banda kriminale, përpara se të silleshin në Britani jashtë dëshirës së tyre, në mënyrë që të shfrytëzohen për punë nga po të njëjtat banda.

Edhe pse në raste të caktuara kjo mund të jetë e vërtetë, mendohet se kjo metodë e cila bën të mundur që 90% e aplikantëve ta fitojnë të drejtën e qëndrimit dhe shqyrtimit të mëtejshëm për azil, është kthyer në mënyrën më të thjeshtë për t’u pranuar në kufi – kjo pasi, Shqipëria prej kohësh nuk konsiderohet më një vend i rrezikshëm (i prekur nga lufta apo konflikti), ndaj probabiliteti i pranimit të kërkesës për azil për këto arsye, prej kohësh kishte nisur të binte në mënyrë të konsiderueshme.

Ndaj edhe, ‘mendjet gjeniale’ të trafikantëve njerëzorë apo edhe vetë emigrantëve që duan medoemos të largohen nga vendi i tyre për të punuar në Angli, kanë gjetur një mënyrë thuajse perfekte për të ‘mashtruar sistemin anglez’ me anë të kësaj klauzole në Kushtetutën britanike që parashikon mbrojtjen e refugjatëve që pretendojnë se janë viktima të ‘skllavërisë moderne’./euronews