Lajme

Masserey: Zvicra është mbi mesataren e BE-së, sa i përket vaksinimit

Skepticizmi në lidhje me vaksinimin vazhdon të jetë evident dhe BAG tani i duhet të përdorë edhe  fushatat e mediave sociale në mënyrë që të arrijë çdo grup të popullsisë

Virgine Masserey është prej më shumë se pesë vitesh shefe e sektorit të kontrollit të infeksionit në Zyrën Federale të Shëndetit Publik(BAG). Ne u takuam me zonjën Masserey për të diskutuar mbi gatishmërinë e shoqërisë për t`u vaksinuar dhe për prognozat rreth pandemisë. Skepticizmi në lidhje me vaksinimin vazhdon të jetë evident dhe BAG tani i duhet të përdorë edhe  fushatat e mediave sociale në mënyrë që të arrijë çdo grup të popullsisë.

Albinfo.ch: Cilat qendra të vaksinimit janë nën kujdesin tuaj dhe ku ndodhen ato për njerëzit që udhëtojnë?

Virgine Masserey: BAG nuk operon me qendrat e vaksinimit, por kantonet. Numri i qendrave të vaksinimit ndryshon, sepse ka edhe nga ato që veprojnë vetëm gjatë fundjavave ose shfrytëzohen në formë mobile, në qendra tregtare ose aktivitete të ndryshme. Secili kanton vendos vetë se si mund të arrihen më mirë grupet lokale të popullsisë me ofertën e vaksinimit. BAG është në kontakt të vazhdueshëm me kantonet dhe i mbështet ato në përpjekjet e tyre për të arritur sa më shumë njerëz në popullatë.

albinfo.ch: Kohët e fundit në Zvicër është raportuar një numër dukshëm më i ulët i vaksinimeve. Sipas mendimit tuaj, a do të ketë ky fenomen ndikim negativ në një valë tjetër të mundshme pandemike?

Virgine Masserey: Kjo nuk mund të thuhet nga sot. Fushata e vaksinimit në Zvicër është në rrugë të duhur, dhe një pjesë e madhe e popullsisë ka pasur mundësinë të vaksinohet. Mund të supozohet se koha e pushimeve verore bën që kërkesa të jetë më e ulët për të bërë termine vaksinimi, sepse të dy terminet e nevojshme të vaksinimit shpesh nuk mund të vendosen para pushimeve. Kjo nuk ka të bëjë me gatishmërinë e përgjithshme të popullatës për t`u vaksinuar, gatishmëri kjo e cila është rritur vazhdimisht gjatë muajve të fundit; varësisht nga sondazhet, ajo është midis 70 dhe 80%. Është e qartë se “shkalla e vaksinimit” do të ulet paksa në javët e ardhshme. Supozojmë se më shumë njerëz që janë gati të vaksinohen do të vaksinohen deri në vjeshtë.

Albinfo.ch: Sipas një prognoze të vaksinimit, ishte thënë se deri në shtator rreth 60% e popullsisë do të marrë vaksinimin. A mendoni se khmejo përqindje është e arritshme me ritmin që po zhvillohet aktualisht?

Virgine Masserey: Ne jemi të kënaqur me progresin e vaksinimit. 51% e të rriturve në Zvicër janë vaksinuar dyfish. Në këtë pikë jemi shumë mbi mesataren në BE. 63% e të rriturve kanë marrë të paktën 1 dozë vaksine. BAG ka besim se shkalla e vaksinimit do të vazhdojë të rritet. Disa njerëz kanë nevojë për më shumë kohë për të marrë një vendim për vaksinimin sesa të tjerët, ne e kuptojmë atë.

Albinfo.ch: BAG ka raportuar statistika ditore mbi infeksionet dhe vdekjet që nga fillimi i pandemisë, por ne nuk kemi parë një numër të saktë të të shëruarve. A ka statistika për numrin e saktë të atyre që janë rikuperuar nga Covid?

Virgine Masserey: BAG nuk mban  statistikë për këtë. Por ne publikojmë çdo ditë numrat e rinj në lidhje me infeksionet dhe vdekjet.

Albinfo.ch: Sa njerëz janë testuar gjithsej në Zvicër deri më tani dhe sa njerëz janë vaksinuar saktësisht?

Virgine Masserey: Nga 8 qershori 2020 deri më 14 korrik 2021, kishte 8,012,269 testime në Zvicër, nga të cilat 675 748 kishin rezultuar si raste pozitive Covid-19. Nga ana tjetër, 4,563,894 njerëz deri më tani kanë marrë të paktën një dozë vaksine.

Albinfo.ch: Disa banorë të Zvicrës üre prejardhje të huaj janë shumë skeptikë në lidhje me vaksinimin. Si është puna me gatishmërinë e tyre të vaksinimit dhe veçanërisht sa u përket shqiptarëve (kosovarëve, etj.)?

Virgine Masserey: Në kohën e tanishme, ne nuk kemi informacion të mjaftueshëm në lidhje me gatishmërinë e grupeve të ndryshme të migracionit, për t`u vaksinuar. BAG siguron informacion në gjuhë të ndryshme për migrantët në Zvicër. Uebfaqja e fushatës për koronavirus është përkthyer gjithashtu në 24 gjuhë. Përveç kësaj, BAG punon me organizata të ndryshme dhe me Diasporën TV për të siguruar popullsinë migrante me informacionin që u nevojitet për të marrë vendimin e tyre për vaksinimin.

Albinfo.ch: Në javët e fundit kemi vërejtur një rënie të ndjeshme të gatishmërisë për të vaksinuar, gjithashtu midis zviceranëve. Si e shpjegoni këtë dhe a keni ndonjë plan për të ndryshuar këtë gjendje?

Virgine Masserey: Kjo është e kuptueshme: Shumë njerëzve tashmë u është dhënë mundësia të vaksinohen. Përveç kësaj, është koha e pushimeve verore. Statistikat tona tregojnë se shkalla e vaksinimit vazhdon të rritet në grupmoshat më të reja. Është normale që disa njerëz të marrin më shumë kohë për të vendosur mendjen e tyre.

Ne vazhdojmë të përdorim çdo mundësi për të përcjellë rëndësinë e vaksinimit, veçanërisht para udhëtimit dhe në kontekst të variantit Delta. Për më tepër, ne mbështesim kantonet në përpjekjet e tyre për të arritur të gjithë ata që nuk kanë hedhur ende hapin drejt vaksinimit (p.sh. vaksinimet në kompani, në autobusët mobilë, vaksinimi mobil)

Albinfo.ch: Duhet thënë se, përqindja e të rinjve që dëshirojnë të vaksinohen është shumë e ulët. Si e shpjegoni këtë dhe a keni ndonjë ide për një fushatë sensibilizuese?

Virgine Masserey: Përvoja në pandeminë Covid-19 ka treguar se fëmijët dhe adoleshentët kanë rrezik të ulët për t`u sëmurë rëndë me Covid-19. Të rinjtë nuk ishin në qendër të fushatës së vaksinimit në fillim, ajo u drejtohej njerëzve të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike. Për shembull, 12 deri në 15 vjeçarët vetëm kohët e fundit kanë mundësinë të vaksinohen.

Për ta arritur këtë, BAG ofron informacione në lidhje me vaksinimin Covid-19, veçanërisht në mediat sociale, në mënyrë që të rinjtë të formojnë një mendim për këtë. Numrat e të vaksinuarve në grupmoshat më të reja vazhdojnë të shfaqen, ne supozojmë se më shumë të rinj do të zgjedhin vaksinimin Covid-19 në javët e ardhshme. Kjo gjithashtu edhe për faktin se varianti delta i virusit është në rritje. Dhe të rinjtë po e kuptojnë se vaksinimi e bën më të lehtë kthimin në jetën normale: udhëtimi dhe marrja pjesë në ngjarje kulturore dhe sportive kërkon të kesh certifikatën shëndetësore (të vaksinimit).

Albinfo.ch: Kohëve të fundit kemi parë një rritje të numrit të njerëzve të infektuar, por numri i pranimeve në spital dhe vdekjeve nuk është rritur. Si shpjegohet kjo?

Virgine Masserey: Nga njëra anë, ekziston një periudhë kohe midis infeksionit dhe pasojave të tij, d.m.th. nga infeksioni deri tek shtrimi i mundshëm në spital ose, në rastin më të keq, deri te vdekja. Nga ana tjetër, njerëzit në rrezik tani vaksinohen në masë shumë të madhe. Efektiviteti i vaksinave të disponueshme në Zvicër kundër formave të rënda të sëmundjes është i shkëlqyeshëm, kështu që ndikimi në qëndrimet në spital dhe vdekjet te këta njerëz është i kufizuar. Kjo konfirmohet gjithashtu nga të dhënat, veçanërisht nga MB. Sidoqoftë, përderisa virusi vazhdon të qarkullojë në popullatën e pavaksinuar, nuk mund të përjashtohet ndikimi në qëndrimet në spital dhe madje edhe vdekjet.

Albinfo.ch: Në kontekst të rritjes së mutacionit delta, a shikon BAG rrezik të njüe shpërthimi të ri pandemik, të ngjashëm me vjeshtën e kaluar?

Virgine Masserey: Një pjesë relativisht e madhe e popullsisë në Zvicër nuk do të jenë vaksinuar deri në vjeshtë. Koronavirusi do të qarkullojë midis këtyre njerëzve. Varianti Delta, me transferueshmërinë e tij më të madhe, ndoshta do të kontribuojë në përhapjen e shpejtë në popullatën jo-imune. Nëse dhe në çfarë mase një valë tjetër do të godasë Zvicrën është aktualisht e vështirë të parashikohet. Kjo do të varet kryesisht nga vaksinimi i atyre që kanë më shumë gjasa të shtrohen në spital (të rriturit mbi 40 vjeç).

BAG punon me organizata të ndryshme dhe me TV Diasporë për të siguruar popullsinë migrante me informacionin që u nevojitet për të marrë vendimin e tyre për vaksinimin.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI