E-Diaspora

Mbi 100 mijë libra për mërgimtarët nga Ministria e diasporës

Librat dhe revistat e para tashmë kanë arritur në Suedi, Zvicër dhe në Australi, kurse në fund të kësaj jave dhe javën e ardhshme pritet të arrijnë në Slloveni, Austri, Kroaci, Gjermani, Belgjikë dhe në Britaninë e Madhe

Ministria e Diasporës, dy javët e fundit, ka nisur një kontigjent me rreth 100 mijë libra të ndryshëm, revista “URA” dhe harta shkollore në vendet ku jeton dhe vepron mërgata e Kosovës. Këhtu behet e ditur në një njoftim për shtyp të de¨rguar nga kjo ministri. Më tutje, në njoftim thuhet se bëhet fjalë për 75.200 libra shkollorë (niveli 1.2.3), 400 lektyra shkollore dhe abetare, 420 libra të ndryshëm për të rritur, 162 libra në gjuhën boshnjake, 18.700 ekzemplarë të revistës për fëmijët në mërgatë “URA” dhe 4.240 harta shkollore të Republikës së Kosovës.

Librat, revistat dhe hartat janë dërguar në të gjitha vendet ku jeton dhe vepron mërgata e Kosovës: në vendet skandinave (Suedi, Finlandë, Danimarkë, Norvegji), në Gjermani, Belgjikë, në Britaninë e Madhe, Francë, Zvicër, Austri, Itali, Slloveni, Kroaci, SHBA, Kanada dhe në Australi.

Librat dhe revistat e para tashmë kanë arritur në Suedi, Zvicër dhe në Australi, kurse në fund të kësaj jave dhe javën e ardhshme pritet të arrijnë në Slloveni, Austri, Kroaci, Gjermani, Belgjikë dhe në Britaninë e Madhe, ndërkaq në Itali, Francë, SHBA e Kanada librat do të arrijnë deri në fund të tetorit ose javën e parë të nëntorit.

Dy javët e ardhshme do të dërgohen edhe 4.600 libra shkollorë, 500 lektyra shkollore , mbi 600 revista “URA dhe 1500 harta shkollore të Republikës së Kosovës. Ky kontigjent do të dërgohet në Suedi dhe në vendet e tjera skandinave, në Australi, Hungari dhe në Greqi.

Në muajt mars, prill, maj dhe qershor të këtij viti, në vende të ndryshme ku jeton dhe vepron mërgata e Kosovës (në Gjermani, Kroaci, Austri, Turqi, Suedi, Greqi në Francë, SHBA dhe në Turqi), Ministria e Diasporës ka dërguar rreth 4 mijë lektyra shkollore dhe libra shkollorë të nivelit 1 dhe 2, mbi 2700 libra për të rritur dhe rreth 15 mijë revista për fëmijë “URA”. Gjatë asaj kohe, janë hapur sektorë të bibliotekave me libra shqip në Munih dhe në Shtutgart të Gjermanisë, në Vjenë dhe në Grac të Austrisë, si dhe në spitalin e Lincit të Austrisë, në Qendrën Kulturore të Republikës së Kosovës në Stamboll dhe në Universitetin e Edrenes së Turqisë, në Bibliotekën Universitare të Osijekut dhe në kuadër të shoqatës “Iliria” në Zagreb. Po ashtu, në kuadër të Lidhjes së Mësuesve të Greqisë, janë furnizuar me lektyra shkollore dhe me revistën “Ura” mësuesit shqiptarë në Athinë dhe në Partë të Greqisë, thuhet më tutje në njoftim

Ndërkohë, në nëntor dhe dhjetor të këtij viti, në vende të ndryshme do të dërgohen edhe 2 mijë libra dhe rreth 10 mijë ekzemplarë të revistës “URA ” .

Gjatë vitit 2013, Ministria e Diasporës, në të gjitha vendet ku jeton dhe vepron mërgata e Kosovës, dërgon mbi 88 mijë libra të ndryshëm, 45 mijë ekzemplarë të revistës “URA” dhe rreth 6 mijë harta shkollore. Ndërkaq, në vitin 2012, për nevojat e mërgimtarëve, nxënësve, studentëve, studiuesve dhe qytetarëve, Ministria e Diasporës i pati dërguar në diasporë mbi 40 mijë libra dhe rreth 10 mijë ekzemplarë të revistës ” URA”. Kështu, në këta dy vjet, Ministria e Diasporës i ka dërguar mbi 180 mijë libra dhe revista e harta në diasporë, duke e përmbushur kështu një obligim ligjor për ruajtjen e identitetit gjuhësor, kulturor dhe kombëtar përgjithësisht të pjesëtarëve të mërgatës së Kosovës.