Lajme
Mbi 11 për qind e diasporës voton brenda orëve të para
Nga 27,724 votues të regjistruar jashtë vendit, deri në orën 09:00 kanë votuar 1,117 qytetarë. Procesi po zhvillohet në ambasada dhe konsullata në 18 shtete të ndryshme.
Procesi i votimit të diasporës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur me një pjesëmarrje të konsiderueshme, ndërsa sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 09:00 të së shtunës kanë votuar 11.24 për qind e votuesve të regjistruar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri në këtë orë të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 1,117 qytetarë nga gjithsej 27,724 votues të regjistruar për votim në ambasada dhe konsullata.
Procesi i votimit ka filluar në orën 06:00 sipas kohës lokale të Kosovës në ambasadën e Kosovës në Ankara dhe në konsullatën në Stamboll. Ndërkohë, nga ora 07:00, votimi është hapur edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike në vende të ndryshme të Evropës.
Sipas KQZ-së, votimi po zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Gjermani, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Turqi, Kroaci, Holandë, Republikën Çeke dhe Hungari.
Ndërkaq, procesi i votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada do të nisë në orën 13:00 sipas kohës së Kosovës, përkatësisht në ambasadën në Washington, konsullatën në New York, ambasadën në Otavë dhe konsullatën në Toronto.
Në total, votimi i diasporës do të zhvillohet në 47 vendvotime të vendosura në 17 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës në 18 shtete të ndryshme.
KQZ-ja ka rikujtuar se të drejtë vote në përfaqësitë diplomatike kanë vetëm qytetarët që janë regjistruar paraprakisht për këtë formë votimi gjatë periudhës së regjistrimit, e cila është zhvilluar nga 6 deri më 17 maj 2026. Lista e votuesve e dërguar në ambasada dhe konsullata përmban ekskluzivisht emrat e shtetasve që kanë zgjedhur votimin fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit.
Pjesëmarrja në orët e para të votimit shihet si një tregues i interesimit të diasporës për procesin zgjedhor, ndërsa institucionet përgjegjëse presin që numri i votuesve të rritet gjatë ditës në të gjitha qendrat e votimit jashtë Kosovës. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Mikpritja në Kosovë lë pa fjalë gazetaret zvicerane Gazetaret e mediumit zviceran 20 Minuten, Lynn dhe Carolin, të cilat po realizojnë një reportazh disa... -
Gjykata gjermane refuzon kërkesën e shqiptarit: dokumentet ishin false -
Rriten pritjet në Dheu i Bardhë, mërgimtarët presin deri në 50 minuta për të hyrë në Kosovë -
127 fluturime direkte në një javë mes Prishtinës dhe Gjermanisë -
Mërgimtarët vazhdojnë të vijnë në Kosovë, pa pritje të gjata në kufij
Jeta në Zvicër
-
Bernë: Të shtëna pas një grindjeje në tren, një i plagosur Mbrëmjen e djeshme pati një grindje në një tren midis Hasle-Rüegsau dhe Burgdorf. Po kërkohen dëshmitarë.... -
Zvicra u karakterizua nga këto lajme këtë javë -
Konfirmohet: Dy pilotët zviceranë ishin privuar nga fluturimi për shkak të alkoolit -
Rusia kritikon mungesën e neutralitetit të Zvicrës, dy muaj para votimit federal mbi këtë temë -
Nuk pritet asnjë lehtësim nga thatësira aktuale











