Lajme

Mbi 30 studentë kosovarë kanë qenë sivjet bursistë në Gjermani

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, ka bërë të ditur në Twitter se mbi 30 studentë kosovarë kanë qenë sivjet bursistë të Bursës Ndërkombëtare të Parlamentit (IPS), gjë që ndikon në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

“Viola Salihi dhe Learta Hajzeraj janë dy nga më shumë se 30 kosovaret që ndoqën me sukses Programin IPS të Bundestagut. Shumë nga IPS-Alumni po luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë së re në Kosovë sot. Kjo është diçka për të cilën ne jemi shumë krenarë!”, ka shkruar Rohde.

Bundestagu gjerman ndan çdo vit Bursën Ndërkombëtare të Parlamentit për absolventë, të cilët janë të interesuar të ndjekin studimet në politikë në “Humboldt Universität zu Berlin”. Pjesa kryesore e studimeve ka të bëjë me një bashkëpunim tremujor me një anëtar të Bundestagut gjerman. Bursistët me këtë rast përfshihen në mënyrë aktive në punë brenda një zyreje të një deputeti gjerman.