Kosova

Mblidhen grupet parlamentare të VV-së dhe PDK-së

VV dhe PDK mbledhin grupet parlamentare para votimit vendimtar për presidentin

Grupet parlamentare të Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës do të mblidhen sot në prag të zhvillimeve vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, përcjell albinfo.ch.

Grupi Parlamentar i VV-së do të takohet në ora 13:30, ndërsa ai i PDK-së në ora 14:00.

Kosova ka hyrë në orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit, pasi mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon më 4 prill. Sipas Kushtetutës, nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, vendi shkon në zgjedhje të reja.

Ka pasur interpretime të ndryshme lidhur me afatin përfundimtar – nëse ai është 4 apo 5 marsi. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se afati është 4 marsi, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur se përfundon më 5 mars.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.

Sipas Kushtetutës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. VV ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.