Tematike

Me 61% Pro, pranohet bindshëm edhe nisma e infermierisë

Po-ja më e qartë deri tani rezulton në komunën Ferreyres të Kantonit Vaud: mbi 78 për qind e votuesve atje kanë miratuar kërkesën

Në një situatë pandemie dhe mungese të personelit në njësitë e kujdesit intensiv në Zvicër, 61 për qind e votuesve i thanë po nismës së infermierisë në votimin në nivel nacional që u mbajt sot.

Po-ja më e qartë deri tani rezulton në komunën Ferreyres të Kantonit Vaud: mbi 78 për qind e votuesve atje kanë miratuar kërkesën, shkruan agjencia e lajmeve Keystone-SDA. Por është interesante se edhe Jo-ja më e qartë, 62.5% ka ardhur nga një komunë e Vaudit. Fjala është për komunën Hermenches, transmeton albinfo.ch.

Si për mbështetësit ashtu edhe për kundërshtarët e nismës ishte e qartë se për sa i përket kujdesit shëndetësor kishte gjithsesi nevojë për veprim. Edhe para pandemisë Covid-19, komiteti iniciativ kishte konstatuar një mungesë të stafit infermieror të trajnuar mirë dhe të kualifikuar. Kishte ankesa se shumë nga ky staf  braktisnin profesionin herët.

Kjo është arsyeja pse Shoqata Profesionale e Infermierëve (SBK) për herë të parë në historinë e saj njëqindvjeçare pati nisur një iniciativë popullore, katër vjet më parë. Politikanët nuk po gjejnë dot asnjë mjet kundër gjendjes emergjente në fushën e infermierisë, thuhej në arsyetimin e iniciativës. Fakti se popullsia po plaket është edhe një faktor tjetër rëndues.

Situata u përkeqësua gjatë pandemisë
Me pandeminë, gjendja në profesionin e infermierisë është përkeqësuar, sipas SBK-së. Aktualisht në sektorin e shëndtësisë në Zvicër ka më shumë se 11.000 vende të lira pune, 6.200 prej të cilave për stafin infermieror, transmeton albinfo.ch. Infermierët janë kronikisht të mbingarkuar, të rraskapitur dhe të frustruar.

Neni i ri kushtetues, i cili tani është miratuar, kërkon që Konfederata dhe kantonet të sigurojnë kujdes të mjaftueshëm me cilësi të lartë për të gjithë. Ata gjithashtu duhet të sigurojnë që numër i mjaftueshëm profesionistësh të kualifikuar të infermierisë të jenë në dispozicion për të përmbushur kërkesat në rritje.

Qeveria Federale duhet gjithashtu të nxjerrë dispozita për kushtet e punës në spitale, shtëpi pleqësh dhe në organizatën Spitex. Në favor të kushteve më të mira të punës, ajo duhet gjithashtu të sigurojë që shërbimet e kujdesit të paguhen në mënyrë adekuate. Kërkohen gjithashtu kushte për zhvillimin profesional të infermierëve.

Së fundi, infermierët duhet të jenë në gjendje që disa shërbime infermierore t`i mbulojnë vetë dhe drejtpërdrejt me sigurimin e detyrueshëm shëndetësor ose sigurime të tjera shoqërore, përcjell albinfo.ch. Sot ata  mund të faturojnë vetëm për shërbimet që janë urdhëruar nga  mjeku ose mjekja.

Nenet e ligjit për zbatimin e nismës duhet të kalojnë nga Parlamenti në katër vitet e ardhshme, pra deri në fund të nëntorit të vitit 2025. Por edhe para kësaj, përkatësisht brenda një viti e gjysmë, Këshilli Federal duhet të bëjë diçka në lidhje me mungesën e personelit infermieror.

Iniciativa është mbështetur nga shoqata mjekësore FMH. Partia Socialdemokrate (SP), të Gjelbërit, Liberalët e Gjelbër dhe EPP kishin miratuar sloganin, ndërsa Partia e Qendrës  (Mitte) kishte vendosur të lejonte anëtarësinë për të votuar lirisht.