E-Diaspora

Mërgimtarët nuk mund t’i ndalë asgjë

Shkëmbimi me të tjerët mund të mbështesë inovacionet në atdhe. Shkrimtari me prejardhje nga Kosova Anton Marku vlerëson qasjen e hapur të Evropës 

Vjenë, 10 qershor 2019: Njerëzit të cilët synojnë një fillim të ri në një vend tjetër nuk ka asgjë që mund t’i ndaloj në këtë objektiv. Ata kërkojnë një jetë më të mirë dhe një perspektivë tjetër por edhe përgjigje në lidhje me atdheun e tyre dhe kushtet e jetës atje. Vetëm përmes shkëmbimit me të tjerët mund të arrihet deri tek mirëbesimi dhe mirëkuptimi. Nganjëherë ky proces mund të shoqërohet edhe me vështirësi, thotë shkrimtari dhe poeti kosovar Anton Marku, i cili para pak ditësh mori pjesë në konferencën ndërkombëtare ‘‘Ditët e tolerancës evropiane’’, shkruan agjencia e lajmeve austriake tsp.at, transmeton albinfo.ch

Vetë Marku ka ardhur para dhjetë viteve në Austri dhe e sheh atdheun si një shembull, se përse përvojat e marra jashtë janë të domosdoshme dhe të dobishme për zhvillimin e vendit të tij të lindjes. ‘‘Në përgjithësi intelektualët nga Evropa Juglindore, e në mënyrë të posaçme ata nga Kosova, po i lënë shtetet e tyre për arsye se ato janë bërë të papërballueshme për ta, qoftë politikisht apo si shoqëri. Kjo ka të bëj edhe me faktin se ata nuk po janë në gjendje që të lëvizin gjërat ashtu siç do të dëshironin. Ata po migrojnë për të studiuar dhe gjetur perspektiva të reja’’ thekson Marku dhe vazhdon: ‘‘Atëherë vendimi për tu kthyer bëhet po aq i vështirë sa dhe ai për tu larguar, në mos më i vështirë.’’

Shkëmbimi nga të dyja anët 

Për shumë njerëz, për shkak të konstilacioneve të paqëndrueshme në vendet e origjinës, shpesh nuk mbetet zgjidhje tjetër pos asaj për tu larguar. Shkrimtari ndan të njëjtën përvojë. Ai kritikon faktin se në 20 vitet e kaluara në Ballkan është krijuar një elitë e re, e përbërë nga politikanë, media me ndikim dhe biznesmenë të fuqishëm, të cilët nuk janë imun ndaj korrupsionit. ‘‘Nuk mund të mohohet fakti se intelektualët ende kanë një zë në shoqëri, por ai është shumë i ulët’’ ankohet Marku. Kjo është dhe një nga arsyet kryesore pse ata i kthejnë kurrizin atdheut. Ata që studiojnë jashtë mbledhin njohuri të tjera dhe posedojnë më shumë dije dhe ekspertizë, njofton albinfo.ch

Sipas Markut është mu kjo ekspertizë një nga mënyrat e duhura që në atdhe të sillen ide dhe inovacione të reja. Vetëm kështu atdheu do të bëhej një vend ku ia vlen të jetohet përsëri. ‘‘Kosova është shteti më i izoluar në Evropë. Banorët e saj duan që, ashtu si të tjerët, ta takojnë Evropën, të shkëmbejnë njohuritë me të tjerët dhe të mësojnë prej tyre’’ është i mendimit poeti. Ky shkëmbim nuk do të duhej të jetë i njëanshëm. Bashkimi Evropian ka tentuar shumë herë që në Ballkan të importoj ekspertizën e tij si dhe vlerat universale siç janë paqa dhe solidariteti, por, për fat të keq, përfituesit më të mëdhenj të këtyre masave kanë qenë kryesisht politikanët e korruptuar.

Të mësohet nga Austria

Mërgimtarët janë të vendosur që të ndërtojnë një jetë më të mirë, qoftë ajo dhe larg atdheut, edhe nëse në fillim do të ballafaqohen me sfida nga më të ndryshmet. Për Markun nuk ishte e lehtë që të gjej vetveten në Austri. ‘‘Unë kam botuar disa libra në Kosovë dhe kam qenë, pak a shumë, i njohur në rrethet letrare atje, por këtu më është dashur të filloj nga e para. Në Austri është vështirë të jetohet prej shkrimeve, ndërsa për të huajt në krahasim me vendasit, është e tëra dyfish më sfiduese, pikë së pari për shkak të barrierave gjuhësore. Por, unë nuk u dorëzova asnjëherë. Sot e ndjej se jam pranuar si i tillë nga të tjerët edhe pse për një njohje më të madhe duhet të përpiqem vazhdimisht.’’

Sidoqoftë, për Markun këto përpjekje kanë dhe vlerën e tyre: ‘‘Unë kam fituar një perspektivë tjetër në Austri. Mendoj se këtu jam shumë më i informuar. Në ndërkohë disa gjëra janë bërë të rëndësishme për mua, edhe pse atyre në Kosovë mbase edhe nuk u kam kushtuar ndonjë vëmendje të posaçme, si për shembull kujdesi ndaj ndryshimeve klimatike’’. Në Austrinë Marku sheh një shtet social, i cili promovon vlera humane dhe i cili do të mund të ishte një model edhe për Ballkanin. ‘‘Edhe pse viteve të fundit mund të vërehet një ngritje e popullzimit, megjithatë në shoqërinë austriake ka një kulturë mirëseardhje për të huajt. Nga kjo përvojë edhe Ballkani do të mund të mësonte mjaft’’, thotë Marku.

Anton Marku është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’. Librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Si anëtar i PEN Klubit të Austrisë Marku mori pjesë në konferencën ndërkombëtare ‘‘Ditët e tolerancës evropiane‘‘ që zhvilloi punimet me 5-8 qershor 2019 në Fresach dhe Villach (Austri).