Kosova

Ministri francez për Evropën nis vizitën zyrtare në Kosovë, në fokus tri marrëveshje bashkëpunimi

Benjamin Haddad po qëndron sot në Kosovë për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës pritet të nënshkruhen tri marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Ministri i Deleguar për Evropën i Republikës së Francës, Benjamin Haddad, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë vizitës, ai do të zhvillojë takim me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ndërsa në agjendë është edhe nënshkrimi i tri marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, marrëveshjet do të përfshijnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, arsimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare. Në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Pas takimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, Konjufca dhe Haddad pritet të mbajnë një deklaratë të përbashkët për media, ku do të prezantojnë rezultatet e vizitës dhe temat kryesore të diskutimeve.

Vizita e ministrit francez konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe në thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Ajo zhvillohet në një periudhë kur Prishtina synon avancimin e partneritetit me shtetet e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen për proceset integruese.