Lajme
Moderna padit Pfizer/BioNTech-un
Kompania farmaceutike Moderna, që ka prodhuar vaksina kundër COVID-19, ka paditur kompaninë Pfizer dhe partnerin e saj gjerman BioNTech, duke i akuzuar rivalët e tij kryesorë se kanë kopjuar teknologjinë e Moderna-s për të prodhuar vaksinën e tyre.
Në një deklaratë të premten Moderna tha se vaksina e Pfizer/BioNTech-ut, “Comirnaty”, shkel patentat që Moderna paraqiti disa vjet më parë, patenta që i sigurojnë asaj pronësinë intelektuale mbi teknologjinë që qëndron pas vaksinës së saj, “Spikevax”. Kompania ngriti padi për shkelje të patentave si në një gjykatë federale amerikane, ashtu edhe në një gjykatë gjermane.
Zëdhënësja e Pfizer-it, Pam Eisele, tha se kompania nuk e kishte shqyrtuar plotësisht padinë e Moderna-s, duke shtuar se prodhuesi i barnave ishte i befasuar nga ky zhvillim, duke pasur parasysh se vaksina e tyre bazohet në një teknologjinë të regjistruar, e të prodhuar nga vetë BioNTech dhe Pfizer.
Nëpërmjet një email-i zonja Eisele tha se kompania do të “mbrohet fuqishëm” kundër çdo pretendimi lidhur me këtë rast.
BioNTech-u nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Associated Press për komente lidhur me padinë.
Vaksinat me dy doza të Moderna-s dhe Pfizer-it përdorin të dyja teknologjinë me mRNA apo me acid ribonukleik për të ndihmuar pacientët që të luftojnë koronavirusin.
Vaksinat mRNA funksionojnë duke injektuar një kod gjenetik te proteinat që mbulojnë sipërfaqen e koronavirusit. Qëllimi është të ‘mashtrojë’ trupin në mënyrë që ai të prodhojë proteina të virusit, për të nxitur reagimin e sistemit imunitar në krijimin e një mekanizmi mbrojtës përmes prodhimit të antitrupave që synojnë të vënë nën kontroll koronavirusin.
Kjo qasje është rrënjësisht e ndryshme nga ajo se si janë proshuar tradicionalisht vaksinat.
Moderna tha se filloi të punonte mbi teknologjinë me mRNA në vitin 2010 dhe kjo e ndihmoi kompaninë që të prodhonte shpejt vaksinën e saj kundër COVID-19, ndërsa koronavirusi po përhapej me shpejtësi në fillim të vitit 2020.
Deri në fund të 2022, rregullatorët amerikanë dhanë miratimin për përdorim në publik të vaksinave të Pfizer-it dhe Moderna-s, pasi kërkimet klinike treguan se të dyja ishin shumë efektive.
Në një deklaratë të drejtorit ekzekutiv të Moderna-s, Stephane Bancel, thuhej se kjo kompani është pioniere e teknologjisë mRNA dhe se ka investuar miliarda dollarë në prodhimin e saj. Kompania tha se beson se vaksina e rivalëve të saj shkel patentat që Moderna ka kërkuar e marrë mes 2010 dhe 2016.
Moderna tha se e di rëndësinë që ka qasja tek vaksinat dhe nuk po kërkon që të heqë nga tregu vaksinën e rivalëve të saj, “Comirnaty”. Po kështu kompania tha se nuk kërkon të parandalojë shitjet e saj në të ardhmen.
Në 2020, ndërsa pandemia vazhdonte, Moderna tha se nuk do të detyronte respektimin e patentave të saj të lidhura me COVID-19. Por në mars, ndërsa gjendja e furnizimit me vaksina në mbarë botën po përmirësohej, kompania tha se do të bënte ndryshime në zotimin e saj.
Ai tha se nuk do të detyronte respektimin e patentave për vaksinat e përdorura në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Por priste që kompanitë si Pfizer dhe BioNTech të respektonin pronësinë e saj intelektuale në tregje të tjera.
“Pfizer dhe BioNTech nuk kanë arritur ta bëjnë këtë“, thuhej në një deklaratë të Moderna-s./VOA
E-Diaspora
-
5000 nënshkrime ndalojnë ndërtimin e xhamisë shqiptare në Siebnen "Ne nuk duam të përçajmë popullsinë," është shprehur kryetari i komunitetit mysliman shqiptar, Sinan Sadriu... -
SHBA
Ermona Meshi diplomon në SHBA dhe nderohet me medaljen prestigjioze “US Diplomatic Medal” -
Prishtinë
‘Rame Lahaj International Opera Festival’ rikthehet me edicionin e gjashtë në Prishtinë këtë korrik -
Ambasada e Shqipërisë në Zvicër shpërndan mesazhin për Samitin e Diasporës: Ftesë për bashkim dhe angazhim global -
Mbi 2,100 kosovarë morën shtetësinë zvicerane në 2025, të katërtit për nga numri
Jeta në Zvicër
-
Si po ndikon lufta në Iran tek industria ushqimore zvicerane Lufta në Gjirin Persik dhe bllokada e mëvonshme e Straits të Hormuzit nga Irani kanë ndërprerë... -
Shumë njerëz të sëmurë në Zvicër: Viruset e ftohjes, gripi dhe norovirusi qarkullojnë njëkohësisht -
Nikotina në duart e të rinjve: Varësia që fillon herët -
Çmimet e karburantit në Zvicër ende të larta -
Qyteti zviceran në mesin e pesë qyteteve me jetëgjatësinë më të lartë











