Integrimi

“Ne gjithmonë ndiejmë presion sepse duam t’i japim diçka Zvicrës”

Identifikimi me Zvicrën nuk përjashton lidhjen me vendin e origjinës së prindërve. Kjo situatë është sikur të pyesësh një fëmijë: kë e do më shumë, mamin apo babin?

“Ne gjithmonë ndiejmë presion sepse duam t’i japim diçka Zvicrës”: Marrëdhënia e brishtë e Zvicrës me lojtarët e saj nga brezi i dytë i të huajve (Secondot).

Kështu e ka titulluar gazeta “NZZ am Sonntag” artikullin e saj që ia kushton trajtimit nga shoqëria zvicerane të futbollistëve (kryesisht) shqiptarë që luajnë për Kombëtaren e Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Në ekipin kombëtar, fëmijët e imigrantëve janë nën vëzhgim të ashpër. Çfarë mendojnë secondot tjerë për kritikat ndaj tyre? Këtë pyetje gazeta ua bën tre krerëve të Klubit Futbollistik FC Kosova të Cyrihut: Nesret Limani, (kryetar), Besim Ramadani (shef sportiv) dhe Orhan Spahiu (sekretar).

Në momentin kur Granit Xhaka po brohoriste pas fitores ndaj Francës, Besim Ramadani është ndier i shkarkuar plotësisht nga i gjithë presioni. Ai është shefi sportiv në FC Kosova Cyrih. Klubi është themeluar në vitin 1994 dhe është shtëpia e shumë emigrantëve me prejardhje shqiptare nga rajoni. Ramadani thotë: “Ne gjithmonë ndiejmë presion sepse duam t’i japim diçka Zvicrës. Nëse dështojmë, tensioni rritet “.

Të tre flasin për mënyrën se si e përjetuan Kampionatin Evropian, kritikat ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në javën e parë, diskutimet irrituese rreth veturave dhe modeleve të flokëve të futbollistëve të përmendur.

Evropiani është në të vërtetë një moment kur lojtarët me prejardhje të huaj mund ta bëjnë vendin krenar. Por është gjithashtu momenti kur komuniteti kosovar përballet pothuaj me dhimbje duke u identifikuar me futbollistët.

Ramadani e sheh gëzimin e Xhakës pas kualifikimit në çerekfinale si lehtësim që ka arritur t’i bëjë Zvicrës një dhuratë – në emër të tij, në emër të popullit të Kosovës në vend. “Lojtarët janë krahu ynë i zgjatur,” thotë ai.

Ramadani, menaxher i shitjeve në Denner, Spahiu, avokat dhe Limani, bankier në Credit Suisse, janë rritur në Zvicër. Debatet e javëve të fundit nuk ishin të lehta për ta. Modeli i flokëve, makinat… – ata nuk e shohin ku qëndron problemi, përcjell albinfo.ch. Ata e krahasojnë këtë me vendet e tjera ku askush nuk ofendohet për shkak të ekstravagancës së futbollistëve sepse kjo thjesht është pjesë e stilit të tyre të jetesës.

Ata gjithashtu nuk mund ta kuptojnë akuzën kundër Kapitenit Xhaka për faktin që flet dhe vendos qëllime jashtëzakonisht të larta. Spahiu thotë: “Të gjithë kanë pritshmëri të mëdha, vetëm se askush nuk dëshiron t’i emërtojë ato. Kur vjen dikush që beson në ekip, ndaj tij kërkohet përulësi, modesti. Por pse zhgënjimi është kaq i madh sa herë që Zvicra eliminohet në lojërat e grupeve? “.

Nada Boškovska është Profesore e Historisë së Evropës Lindore në Universitetin e Cyrihut. Ajo ka ardhur në Zvicër nga Maqedonia e Veriut, (atëherë Jugosllavia), kur ishte nëntë vjeçe. Profesoresha sheh se si pritet sjellja e Granit Xhakës në Zvicër, vend në të cilin ka pritje të “moderimit, modestisë” dhe ku paraqitja zhgënjen. “Nuk keni pse të fshiheni kur arrini diçka, kur ndryshoni statusin tuaj”, thotë ajo, “ata kalojnë nga të qenët i ri në një burrë të suksesshëm që ka më shumë për të thënë”.

Zvicra ka raporte të brishta me lojtarët e saj të brezit të dytë të të huajve; përqafimi në rast suksesi shpejt kthehet në një hendek në rast dështimi, transmeton albinfo.ch. Nesret Limani thotë: “Nuk bën që gjithnjë të vihet në pikëpyetje nëse gjërat nuk shkojnë mirë ose nëse dikush bën një model të ri flokësh”.

Besim Ramadani thotë se e lëndon atë kur ndjen se dikush nuk shihet si një “zviceran i vërtetë”, për faktin se nuk këndon himnin, për shembull. Që nga fëmijëria, këta lojtarë kanë treguar se sa të lidhur ishin ndjerë me Zvicrën.

Kë do më shumë: Mamin a babin

Situata bëhet e vështirë për secondot kur Zvicra shpreh pretendimin për ekskluzivitet ndaj tyre. Sipas tre bashkëbiseduesve të gazetës, identifikimi me Zvicrën nuk përjashton lidhjen me vendin e origjinës së prindërve të tyre. Spahiu thotë se për të kjo situatë është sikur të pyesësh një fëmijë: kë e do më shumë, mamin apo babin? “Ai nuk mund të vendosë”.

Ramadani mendon se është e rëndësishme të mos harrohen rrënjët, por nuk mund të mendohet që asnjëri prej tyre të jetojë në atdheun e tyre të vjetër. “Kur jemi atje me pushime, fëmijët thonë: ‘Të shkojmë në shtëpi’. Ata me këtë rast fjalën e kanë për Zvicrën”.

Migrantët nga shtetet pasuese të ishb Jugosllavisë tashmë kanë bërë një rrugë të gjatë dhe janë pranuar në Zvicër. “Koha kur ata perceptoheshin kryesisht si ngarës të shpejtë, hajdutë ose dilerë, ka mbaruar,” thotë Nada Boškovska. Secondot sot  punojnë në shtëpi pleqësh, në spitale, në banka, janë sipërmarrës, studiojnë në universitet. “Situata është qetësuar”, përcjell albinfo.ch.

“Për momentin Zvicra po përqafon secondot e saj. Por si do të jetë në aktivitetin tjetër të madh? Druajmë se jo shumë ndryshe nga kjo si ishte në këtë Evropian”, përfundon gazeta