Maqedonia

Në vitin 2020 do të regjistrohen edhe mërgimtarët

Këtë herë thotë Simovski do të regjistrohet edhe diaspora, konkretisht personat të cilët mungojnë në vend më gjatë se 1 vit

Drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë i Maqedonisë, Apostoll Simovski, në një intervistë për “Alsat” beson se regjistrimi i popullsisë i paraparë për vitin 2020 do të kalojë pa ndikime politike.

Ai thotë se kjo është edhe njëra ndër arsyet pse kërkon që në regjistrim të mos ekzistojë grafa për përkatësinë etnike të qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

Për dallim nga regjistrimi i dështuar i vitit 2011, këtë herë thotë Simovski do të regjistrohet edhe diaspora, konkretisht personat të cilët mungojnë në vend më gjatë se 1 vit.

“Ishte pengesë e madhe edhe në vitin 2002 dhe 2011, sepse me atë ligj nuk u mundësua të përfshihen me regjistrim edhe personat që mungojnë në vend më gjatë se 1 vit. Këtë herë edhe këta persona do të përfshihen në regjistrim, pra do të regjistrohen, me atë që do të japim më shumë mundësi për regjistrimin e tyre. Fillimisht, para regjistrimit do të ketë 15 ditë para regjistrimit, do të ketë mundësi të vetë regjistrimit. Këta persona vetë të plotësojnë pyetësor regjistrimi, që do të jetë në faqen e internetit, dhe me një procedurë të hyjnë dhe ta plotësojnë. Pastaj i njëjti do të arkivohet tek ne në bazë. Pra, para regjistrimit, që të dimë kur të shkojmë në terren se në disa amvisëri ka persona që nuk janë prezent në vend. Mundësia e dytë do të jetë gjatë vetë regjistrimit anëtarë të amvisërive që janë këtu, të japin të dhëna për ata që janë jashtë vendit, edhe ata do të përfshihen. Dhe mundësia e tretë, sepse thamë që do të përdorim regjistra, baza të të dhënave, nga këto ku ka informacione për persona të caktuar që janë jashtë vendit, t’i marrim prej atje. Pra, është në interesin tonë, qëllimi ynë është të shohim cilindo njeri që është shtetas i Maqedonisë, dhe nuk është në vendin tonë, të përfshihet në regjistrim”, është shprehur ai.