Lajme

Në Vjenë promovohet libri “Mos harro kurrë”, i autorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj

Fundjavën që iku, në Vjenë të Austrisë u promovua libri i xhepit “Mos harro kurrë” – “Vergiss Niemals”, i autorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, përkthyer në gjermanisht nga Arlinda Çitaku.

Në këtë ngjarje kulturore e shkencore u promovua edhe filmi dokumentar DËSHMITË E HESHTURA, i përkthyer me titra anglisht, i autorit N. Pllana.

Ky film i kushtohet gjenocidit serb në Krushën e Madhe të komunës së Rahovecit, kur më 25 mars 1999 ushtria dhe policia gjakatare serbe i vrasin 243  shqiptarë duarthatë të këtij fshati, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, në mesin e të cilëve, sot e 23 vjet më parë, 63 janë ende të pagjetur, ndër ta edhe Heroi i kombit, Ukshin Hoti.

Përveç shumë bashkatdhetarëve tanë nga Austria e Gjermania, na nderoi me prezencën e tij edhe poeti i ri, Bear Berisha, djali i heroit të kombit, Xhevat Berisha, ndërkaq morën pjesë aktive dhe e vlerësuan lart këtë vepër publicistike e dokumentare edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vjenë, Lulzim Pllana dhe shkrimtari e dramaturgu nga Shkodra, Mag.Prof. Gjergj Jozef Kola, me banim në Vjenë.

Autorët N.Pllana e Agim Aliçkaj i falënderojnë të gjithë të pranishmit për kontributin e tyre në këtë manifestim kulturor, e në veçanti organizatorin dhe moderatorin Nikollë Gjini, këngëtarin e mirënjohur shqiptar nga Prizreni.