Lajme

Nëpër faqet e librit “Shkolla shqipe në Gjenevë”

Libri trajton probleme të kësaj natyre, shqetësime të mësuesve dhe prindërve në kantonin e Gjenevës

Doli në qarkullim libri « Shkolla shqipe në Gjenevë » nga mësuesi i historisë Agim Paçarizi.

Në të 250 faqet e librit trajtohet historia e organizimit të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Gjenevë të Zvicrës përkundër vështirësive të panumërta.

Libri trajton historinë dhe zanafillën e organizimit të shkollës shqipe të mësimit plotësues. Gjeneva është qyteti dhe Kantoni ku u hap shkolla e parë shqipe e pavarur në shtator të vitit 1987 falë kontributit të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, ish-ministrit të Qeverisë së Kosovës, z. Xhafer Shatri. Mësimin e mbajtën mësueset vullnetare Remzie Selimi – Zymeri, Hidajete Dërmaku dhe mësuesi Sejdi Sopi. Në faqet e librit “Shkolla shqipe në Gjenevë” përmenden edhe shumë emra të tjera të mësimdhënësve të përkushtuar që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në arsimin shqiptar.

Hapja e shkollës shqipe paraprihej dhe shoqërohej nga pengesa të panumërta të karakterit juridik, ekonomik-financiar, organizativ dhe pedagogjik. Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm luajti Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” që qe themeluar në vitin 1990 në Zvicër. Këtë rol ka luajtur edhe Këshilli Kantonal e LAPSH-it në Gjenevë, pjesë e së cilës ka qenë edhe vetë autori i librit Agim Paçarizi për disa mandate Kryetar i LAPSH-it në Gjenevë dhe mësues shumëvjeçar i shkollës shqipe të mësimit plotësues.

Në librin monografik paraqitet përvoja organizative e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, përvoja e mësuesve të shqipes në hapësirën zvicerane dhe problemet me të cilët përballet shoqëria shqiptare në mërgim përballë asimilimit tepër të shpejtë që po ndodh në Zvicër, si pasojë e mosshkollimit shqip të fëmijëve të lindur në vend të huaj.

Libri trajton probleme të kësaj natyre, shqetësime të mësuesve dhe prindërve në kantonin e Gjenevës si dhe mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur, në mënyrë që gjuha shqip të mësohet në shkollë nga të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që jetojnë.

Libri, nga ana tjetër, është një nderim i veçantë për të gjithë mësuesit dhe prindërit shqiptarë në përgjithësi dhe në veçanti për ata të Gjenevës, të cilët edhe pas punës së rëndë e të përditshme në mërgim gjejnë kohën dhe përpiqen që t’ua ruajnë gjuhën shqipe fëmijëve, brezit më të ri që po rritet larg atdheut.

Libri është një dëshmi se si mësuesit dhe prindërit shqiptarë në Zvicër kanë marrë iniciativën dhe organizojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe edhe pa mbështetjen e shtetit të Kosovës. Në mënyrë që fëmijët të kenë mundësinë të mësojnë shqip.

Libri, nga ana tjetër, është një udhërrëfyes për autoritetet e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, për mënyrën dhe rrugën se si mund të ndërtohen politika arsimore në ndihmë të mërgimtarëve.

Në libër ballafaqohet përvoja mjaft pozitive e organizimit të mësimit shqip përmes LAPSH ” Naim Frashëri” në Zvicër dhe indiferentizmi i shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Dhe këtë shtator fillimi i vitit shkollor përkon me 35-vjetorin e kryerjes së këtij misioni fisnik, ku ndjekin mësimin rreth 200 fëmijë të moshave të ndryshme nën udhëheqjen e kryetarit aktual të LAPSH-it në Gjenevë, avokatit Liburn Mehmetaj dhe mësuesve plot zell e dashuri: Lumnije Emini, Hyrije Kurteshi, Fatime Bllaca, Brikena Osmani, Alban Kryeziu dhe Hana Bilalli.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Lena Grafik”.

Nexhmije Mehmetaj